Ziadin Sela u bëri thirrje Ministrisë së Arsimit, Qeverisë, dhe kryetarit të Komunës së Krushevës që t’i japin fund presionit ndaj banorëve të fshatit Nerovë dhe t’u mundësojnë atyre dokumentacionin e duhur për legalizimin e shkollës fillore “Nikolla Karev”, e cila është në javën e dytë të bojkotit të mësimit.
Sipas Selës, i vetmi politikan që vizitoi këtë shkollë, kontesti për objektin e ri, që sipas autoriteteve shtetërore është ndërtim pa leje, nuk duhet konsideruar i tillë, pasi përpjekjet për shkollë dhe arsimimin e fëmijëve, nuk mund të krahasohen kurrë me ndërtimet e tjera të paligjshme, sipas këndvështrimit të tij.
“Në këndvështrimin tim, edhe pse jam marrë me këtë problematikë edhe kur kam qenë kryetarë komune, objekt pa leje për mua nuk është një shkollë. Shfrytëzoj rastin t’i bëjë apel Ministrisë së Arsimit, kryetarit të Komunës së Krushevës që urgjentisht të marrin të gjitha masat dhe sa më shpejt të rregullohet dokumentacioni i kësaj shkolle dhe jo të ndalohen punimet në këtë shkollë, por përkundrazi të vazhdojnë investimin e mëtutjeshëm me buxhetin e shtetit në mënyrë që kjo shkollë të përfundojë dhe nxënësit të kenë kushte normale për mësim”, tha Ziadin Sela.
Shkolla “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës, e cila është ndërtuar deri në fazën e çatisë tashmë, me iniciativë të vetë banorëve, deri më sot nuk ishte denoncuar nga autoritetet. Ditë më parë policia filloi të merrte në pyetje banorët duke bërë presion për ndërtimin e saj, situatë kjo që u aludua nga kreu i komunës së Krushevës si presion i pushtetit qendror.
Nga ana tjetër, banorët këmbëngulin, se legalizimi i objektit të ri shkollor është i patjetërsueshëm për shkak të rritjes së natalitetit në këtë pjesë të Krushevës. Dashmir Jusifi, përfaqësues i banorëve, shpalosi ditë më parë për Alsat një raport të Entit për Testimin e Materialeve dhe Zhvillimin e Teknologjive të Reja në “Shkup”, i kryer me kërkesë të vet banorëve, që tregonte se gjatë ndërtimit të objektit të ri shkollor janë respektuar të gjitha standardet për ndërtim.