KOMUNAT RURALE – Ujë s’ka, por vullnet për projekte inovative ka!

    Komuna e Tearcës në rajonin e Tetovës është një nga komunat e shumta rurale në Maqedoninë e Veriut që përballet me probleme të shumta infrastrukturore, duke nisur nga mungesa e ujit të pijshëm, problemi me ujërat e zeza, mungesa e investimeve për hapjen e vendeve të punës, probleme në forcimin e kapaciteteve në arsim e të tjera.

    Tetë komuna të Maqedonisë së Veriut, kanë përfituar fonde nga Bashkimi Evropian për projekte inovative. Shifra e saktë e fondeve të ndara nuk është publikuar, pasi ato variojnë varësisht nga projektet për të cilat kanë aplikuar komunat.

    Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, thotë se nuk kanë konkurruar për projekte inovative, jo se i shpërfillin ato, por sepse komuna të cilën ai e drejton, është më e interesuar për projekte të tjera jetësore për banorët.

    “Ne kemi një projekt kapital për ujin e pijshëm për nëntë vendbanime në Komunën e Tearcës dhe fshatrat që janë më të mëdha këtë problem e ndjejnë në veçanti në periudhës e verës. Jo që mungojnë burimet e ujit, por kanë munguar investimet për një periudhë të gjatë. Kemi amortizimin e sistemit sekondar të shpërndarjes së ujit nëpër vendbanime si dhe grumbullimi i burimeve të reja, të cilat njëkohësisht duhet t’i nënshtrohen procesit të filtrimit. Ky është një problem madhor jo vetëm për një fshat, por për të gjithë fshatrat e komunës tonë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nuhi Neziri kryetar i Tearcës.

    “Ne jo që duam t’i ngufasim projektet inovative, ato që do të sjellnin risi në komunë, por për ne këto probleme që përmenda janë, si të thuash, të jesh apo të mos jesh. Prioritet kemi zgjidhjen e tyre e pastaj do mendojmë apo do të kisha gjetur kohë për ndonjë inovacion apo risi në komunën tonë”, shton Neziri.

    Në mesin e atyre që kanë përfituara fonde nga BE-ja janë edhe Dibra dhe Vrapçishtit, që është një komunë rurale në rajonin e Gostivarit.

    Vrapçishti ka marrë ndihmë financiare në vlerë të përgjithshme prej 5.5 milionë euro nga BE-ja dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

    Kjo komunë ka përfituar fonde edhe për ndërtimin e një qendre ditore për fëmijët me nevoja të veçanta. Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, thotë se ky projekt është prioritet për komunën e tij, pasi ka 59 fëmijë me nevoja të veçanta.

    Ai thotë se komuna që drejton ka nevoja të shumta, por edhe ky projekt, sipas tij, është shumë i rëndësishëm për këtë vendbanim rural.

    “Pa ndihmë nga jashtë vështirë se mund ta realizojmë një projekt të tillë. Komunat kanë borxh dhe kanë shumë pak fonde, të cilat kryesisht shkojnë për paga apo projekte më të vogla. Ato nuk mund të financojnë të gjitha projektet që kanë imagjinuar. Për komunën tonë, kjo qendër ditore është prioritet dhe jam i kënaqur që e pranuan projektin tonë”, thotë Shabani.

    Komunat tjera kanë aplikuar për 58 projekte dhe fondet ndryshojnë varësisht kostos të projekteve. Projektet kishin të bënin me menaxhimin e mbetjeve të ngurta, përmirësimin e pajisjeve urbane, gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, digjitalizimin e shërbimeve lokale, efikasitetin energjik dhe risi për zhvillimin e turizmit.

    Edhe Komuna e Dibrës ka probleme të shumta, në veçanti me mungesën e ujit të pijshëm, por ajo ka aplikuar për projekte tjera, për të mos humbur mundësinë që të tërheqë fonde, që sipas kryetarit Hekuran Duka, do të ishin në të mirën e komunës.

    Por, Duka thotë për Radion Evropa e Lirë se me fondet evropiane kanë realizuar projekte për sistemin energjetik dhe certifikimin e produkteve organike në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, një projekt prej disa dhjetëra mijëra euro. Megjithatë, ai apelon që investimet të jenë në projektet prioritare, gjegjësisht problemet thelbësore për qytetarët në komunë.

    “Ne nuk kemi ujë për pije. Për çfarë inovacione të flasim kur kemi mungesë të ujit. Ne duam të bëjmë një resor turistik të agrobiznesit, por nuk e kemi të rregulluar ujin për pije. Ne për këtë jemi të interesuar dhe nuk është vetëm Dibra, të gjitha komunat kanë problem me ujin e pijshëm, sikur edhe me menaxhimin e mbeturinave. Ne ende nuk kemi deponi rajonale të mirëfilltë”, thotë kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.

    Ai kërkon edhe thjeshtësimin e procedurave për aplikim, pasi sipas tij, komunat përballen edhe me mungesë të kuadrit për të përgatitur aplikimet për tërheqjen e fondeve.

    “Ne nuk jemi në gjendje edhe të aplikojmë me këto resurse njerëzore dhe këtë edukim që kemi. Kriteret duhet të jenë më të lehta, por unë jam për atë që inspektimi të jetë më rigoroz”, thotë Duka.

    Por, nga Ministria e Pushtetit Lokal, e cila merr pjesë në bashkëfinancimin e projekteve me 15 për qind, thonë se qëllimi i programit ka qenë që të ketë një nivel më të avancuar të projekteve, që do të përmirësonin konkurrencën dhe zhvillimin e komunave.

    Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski, thotë se qëndrojnë vërejtjet e komunave se nevojiten projekte që do të kenë prioritet për jetën e qytetarëve.

    “Konkursi është shpallur nga Bashkimi Evropian dhe për këtë qëllim janë angazhuar ekspertë të huaj të cilët përmes trajnimeve kanë ndihmuar komunat që të përgatisin projekte të mira dhe të aplikojnë. Ne e kuptojmë se komunat mbase kanë nevojë për projektet tjera dhe ne i kemi përcjellë vërejtjen e tyre, por këto janë rregullat që duhet t’iu përmbahen. Por, mendoj se duhet dëgjuar fjala jonë, pasi edhe si ministri japim para. Bëhet fjalë për 600,000 euro që janë shpërndarë në mënyrë lineare”, thotë Milevski, duke shtuar se në përzgjedhjen e projekteve është ndjekur agjenda e gjelbër e bllokut evropian.

    Ndërkohë, delegacioni i BE-së, është shprehur i kënaqur që komunat kanë treguar interesim të për thirrjen publike, sepse në praktikë dy të tretat e fondeve të BE-së për përkrahje shtetërore realizohen në nivel lokal.

    Sipas Karl Giacinti, koordinator i BE-së për Komunat, “ka mundësi për të financuar projekte të reja, si përmirësimi i transparencës në prokurimet publike, zhvillimi i planeve lokale të energjisë së ripërtërishme dhe projekte tjera. Ai tha se Bashkimi Evropian ka dhe shumë programe të tjera që do të jenë në dispozicion të komunave. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski: Nga mesi i vitit pritet të ulen çmimet

    Lajmi i rradhës

    Arben Taravari i kërkon falje babait të Ëmblës: Ju kërkoj falje 100 herë nëse jeni ndjerë i ofenduar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë