Sipas drejtorit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Masimilijano Paoluçi, pavarësisht progresit që nga vitet 1990, ndotja e ajrit në RMV është ende e lartë, duke theksuar se ajri i shëndetshëm është vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm, përcjell Nistori.
Ajri i ndotur vret çdo vit rreth 2800 qytetarë të vendit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Europës Perëndimore. Kështu tha ditë më parë drejtori i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Paoluço, në konferencën në Shkup për cilësinë e ajrit.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Maxhiti, gjatë konferencës, tha se sipas tij, faktori i parë për gjendjen e keqe të ajrit është se amvisëritë dhe industria ende përdorin dru të cilësisë së ulët dhe burime të tjera të ngrohjes, veçanërisht në stinën e dimrit.
“Ka edhe transport urban dhe një sërë arsyesh të tjera. Tashmë kemi miratuar dhe jemi duke punuar në një program specifik ku përveç gazifikimit janë planifikuar edhe sistemet e gazit me kogjenerim, planifikojmë të subvencionojmë edhe kthimin e qytetarëve në ngrohje qendrore, veçanërisht në zonat urbane ku ajo ekziston. Për sa i përket gazifikimit, mendoj se është një nga zgjidhjet që do t’i ridrejtojë qytetarët drejt mjeteve më pak të dëmshme apo jo të ngrohjes gjatë sezonit. Edhe për sa i përket transportit urban, siç e kemi nisur me autobusët elektrikë… Po punojmë edhe për nisma dhe projekte të tjera. Pra, ne jemi të përkushtuar që të shfrytëzojmë çdo mundësi për të pasur ajër më të pastër”, shtoi Mexhiti.
Dimitrovski, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike – Shkup, sqaroi se programi është përgatitur në bazë të hulumtimeve afatgjata, duke paralajmëruar kontrolle më të rrepta dhe të drejta inspektuese për të gjitha objektet industriale.
Deri më tani, siç tha ai, ka ndodhur që ndotësit ia kanë vënë fajin njëri-tjetrit, gjegjësisht familjet kanë thënë se industria është ndotëse, kanë fajësuar transportin, ndërsa transportin një të tretë. Me programin e ri, thotë ai, mbulohen të gjithë ndotësit në zonat urbane në Maqedoni. /Nistori/