“SHKUPI SHFRYTËZON UASHINGTONIN KUNDËR BULLGARISË”!

    Rezoluta e Senatit Amerikan për festimin e gjuhës, kulturës dhe historisë maqedonase ka shqetësuar aq shumë një pjesë të analistëve dhe ekspertëve bullgar sa kanë kërkuar reagimin e Presidentit bullgar tek ai amerikan Biden. Profesori bullgar, Spas Tashev nga Instituti për Punime Popullore në Akademinë Bullgare thotë se emigracioni maqedono-bullgar gjatë vitit të kaluar u bë shumë aktiv me çka edhe Shkupi i njohu dobësitë e veta dhe tani është përsëri në ofensivë me draft-rezolutën e këtij viti. Ai në një intervistë për mediat bullgare tha se është me rëndësi që Bullgaria të reagojë në një kërkesë të tillë pasi që kështu po del që edhe Amerika e cila pretendon se është një shtet demokratik, do të pranojë falsifikimet komuniste.

    “Dobësia jonë është se kur paraqesim një projekt në Senatin Amerikan duhet të kemi një mendim të parlamentit bullgar. Vitin e kaluar iu drejtuam të gjitha forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, por fatkeqësisht nuk pati asnjë reagim nga Asambleja jonë kombëtare. Së paku Komisioni Parlamentar i Miqësisë me SHBA-në duhet të shkojë në Senatin Amerikan dhe të nxjerrë në pah të gjitha të pavërtetat dhe që kjo në fund të fundit është një imponim i propagandës komuniste”, tha ai duke shtuar më tej se beson që Radev mund të bisedojë me homologun e tij amerikan, pasi siç tha ai, të paktën deri më tani ka treguar se ky është mekanizmi me të cilin arrijmë të bllokojmë disa sulme. “Kujtojmë se si Shkupi pretendonte që edhe përmes senatorëve amerikan ta paraqes Bullgarinë si pengesë për integrimet evropiane të Maqedonisë, dhe atëherë Presidenti Radev arriti që t’i shpjegoj Bidenit se këto gjëra nuk janë të vërteta, duke vënë në dukje problemin me të drejtat e njeriut, dhe pas kësaj bisede nuk pashë ndonjë presion të fortë amerikan ndaj Bullgarisë për të ndryshuar qëndrimin e saj. Është më se e qartë se biseda mes presidentëve jep rezultat dhe jam i bindur se Radev do ta kryejë këtë funksion”, tha ai duke njoftuar se edhe ata si OJQ dhe organizatat maqedono-bullgare në SHBA do duhet të ndërmarrin veprime.

    Qëndrim të njëjtë ka edhe diplomati dhe ish-zëvendësministri i MPJ-së bullgare Ljubomir Quçukov i cili thotë se lobi i fortë maqedonas i cili ka ekzistuar gjithmonë në Kanada, Australi dhe deri diku në SHBA, aktivizohet në sfondin e marrëdhënieve të tensionuara në mes dy vendeve. Sipas tij festa e përbashkët e Presidentit të Maqedonisë së Veriut dhe atij serb në përvjetorin e kryengritjes së Ilindenit është pasojë e politikës bullgare pasi siç tha ai, është lënë një hapësirë e madhe për ndjenjat anti-bullgare e cila rrjedhimisht hap mundësi për ato pro-serbe. “Vetoja që vendosëm për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE funksionoi plotësisht në favor të maqedonizimit. Maqedonizimi si krijim i një identiteti të ri ka qenë gjithmonë politikë shtetërore e Jugosllavisë dhe e Maqedonisë. Është një doktrinë ideologjike që funksionon me mendjet e njerëzve, dhe nga ideologji shtetërore e kthyem në qëndrim publik, kështu e humbëm betejën për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë në vitin 2017 1% e gjysmë e maqedonasve e konsideronin Bullgarinë armike, kurse pas vendosjes së vetos në vitin 2019 përqindja shkoi në 23%”, tha ai për median bullgare.

    Shpallja e shtatorit si muaj i trashëgimisë maqedono-amerikane gjatë të cilit do të festohet gjuha, kultura dhe historia e maqedono-amerikanëve, është propozuar nga Senatori republikan nga Indiana Mike Braun, ndërsa përpara se Senati i plotë ta votojë atë duhet që Komiteti Gjyqësor i Senatit ta miratojë. Kjo iniciativë për rezolutën është paraqitur nga Diaspora e Bashkuar Maqedonase. /koha/

    Lajmi Paraprak

    REZULTATE MODESTE TË HETIMEVE! Raporti për pastrimin e parave

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia, vendi i pestë më i varfër i Europës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë