Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeministri zyrtar i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, kanë thënë se pardje kanë biseduar për zjarret në zonën kufitare mes dy vendeve. Sipas Mickoskit, koordinimi rreth aktiviteteve për shuarjen e zjarrit nuk duhet të jetë i pazakontë, duke pasur parasysh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të relaksuara, të koordinuara, të dyja vendet janë partnerë në NATO, por siç tha ai, “ne kemi pikëpamje të ndryshme për disa gjëra”.
Për sa i përket pyetjes se çfarë i pengon RMV-së për integrim, ai thotë se nuk ka kushte për hapjen e bisedimeve me qeverinë aktuale bullgare sepse ajo vetëm teknikisht e kryen funksionin. Në një intervistë për TV Sitel, kryeministri përsëriti se mbetet në qëndrimin që ka mbrojtur deri më tani. “Qëndrimi i kësaj qeverie që unë drejtoj është i qartë dhe nuk ka ndryshuar, jo pse jemi kokëfortë, por se dikush ka gabuar më parë, ka suspenduar opozitën dhe parlamentin”, theksoi Mickoski.
“Ne jemi të gatshëm ta zgjidhim, por jo në ato kushte, sepse nuk është mirë. Populli maqedonas nuk e pranon këtë, dhe qytetarët e Maqedonisë më paguajnë për të punuar në interes të tyre – maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, rom, boshnjakë e të tjerë. Ata janë njerëzit që janë sovran në këtë vend. 75% prej tyre thonë se kjo punë është e papranueshme. Dhe pikë. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, kemi përgatitur qëndrimin tonë dhe nuk mund të pranoj qëndrimin e ndryshimit të Kushtetutës për të sjellë disa qindra bashkëqytetarë tanë që thonë se janë pjesë e komunitetit bullgar, këtu, te ne. Cila është arsyeja? Pse duhet ta bëjmë këtë? Është një ultimatum. Kjo nuk mund të bëhet”, tha Mickoski.
NDRYSHIMI I KUSHTETUTËS ËSHTË ÇËSHTJE E BRENDSHME
Kryeministri potencoi dje se kriteret e Kopenhagës janë detyrim nga kuadri i negociatave. “Nëse dikujt i kufizohen apo i mohohen të drejtat, nuk jam unë ai që gjykoj, as ju, as Radevi, as ndonjë politikan. Ekziston një institucion që quhet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ai thotë 14:0, 14 aktgjykime për komunitetin maqedonas në Bullgari, të drejtat e të cilit padyshim janë ose të kufizuara ose nuk ekzistojnë, dhe zero për komunitetin bullgar në vendin tonë”, krahasoi Mickoski.
Me vërejtjen se zbatimi i atyre aktgjykimeve është çështje e Bullgarisë, Mickoski pyeti: Dhe ndryshimi i Kushtetutës – çështje e kujt është? “Pse duhet ta pranojmë? Nëse është pyetja ime, kush ka të drejtë të ndërhyjë në punët e mia të brendshme. Dhe tani nëse është kusht, a duhet të shpërfytyrojmë veten? Një tjetër gjendje do të ndodhë nesër. Ata do t’ju thonë se kryengritja e Ilindenit nuk ishte maqedonase, por bullgare. Dhe a duhet ta pranojmë këtë?”, pyeti kryeministri.
VEPRIMI PËRBASHKËT PËR ZJARRET
Ai foli për këtë çështje dhe qëndrimin e vendit gjatë qëndrimit në Uashington me personalitete dhe përfaqësues të organizatave me ndikim të mendimit që formësojnë opinionin publik, si dhe me guvernatorë, senatorë, këshilltarë, njerëz me ndikim të dikurshëm dhe aktual. Nga samiti në Uashington, kryeministri zyrtar i Bullgarisë tha se më së shumti ka folur pikërisht me kryeministrin maqedonas dhe janë shprehur të njëjtat qëndrime për nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në ekonomi dhe transport. Por ai theksoi se kjo nuk do të thotë se Sofja ka devijuar nga qëndrimi se RMV duhet të përmbushë detyrimet e marra për të vazhduar rrugën integruese drejt BE-së.
Komunikimi i dytë pas Samiit në Uashington ka ndodhur me rastin e zjarreve në rajonin kufitar, të cilat u përhapën nga territori maqedonas në bullgar dhe anasjelltas.
“Kam pasur komunikim edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe për pasojë shefat e dy zjarrfikësve kanë hyrë në komunikim për zjarrin në Petrich dhe Strumicë. Ka një efekt të menjëhershëm, që është tregues se ne po veprojmë në të gjitha mënyrat e mundshme”, tha Glavçev. Si rezultat i atij koordinimi, dje në mbrëmje autoritetet kufitare të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut janë takuar në pikën kufitare Gueshevo, ka konfirmuar për BNR menaxheri rajonal i Qustendilit, Aleksandar Pandurski. /Koha/