BE-ja prezanton patentat digjitale të drejtimit dhe mundësinë e një afati të shkurtuar për shoferët e moshuar.
Pritet që çdo shtet anëtar i BE-së të vendosë në mënyrë të pavarur, nëse dhe si do ta zbatojë dispozitën e re për kohëzgjatjen më të shkurtër të patentës së drejtimit për shoferët e moshuar, transmeton Telegrafi.
Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshime në direktivat që kanë të bëjnë me lejet e drejtimit, të cilat prezantojnë një numër risish.
Ndër më të rëndësishmet është futja e një patente digjitale, e cila do të bëhet standard në BE dhe të cilën shoferët do të jenë në gjendje ta kenë në telefonat e tyre inteligjentë.
Shtetet anëtare do të kenë pesë vjet e gjysmë kohë për të futur në përdorim patentat digjitale, ndërsa shoferët do të jenë ende në gjendje të kërkojnë një version fizik nëse dëshirojnë.
Një nga ndryshimet më të diskutueshme ka të bëjë me mundësinë që vendet të prezantojnë një periudhë më të shkurtër vlefshmërie për patentat e drejtimit, për personat mbi 65 vjeç.
Përveç ekzaminimeve mjekësore ekzistuese në disa vende, kjo masë do të përfaqësonte një barrë shtesë për popullsinë e moshuar.
Platforma AGE Europe, një organizatë që bashkon shoqatat për të drejtat e të moshuarve nga e gjithë BE-ja, reagoi ndaj këtij vendimi.
Ata paralajmëruan se shkurtimi automatik i vlefshmërisë së një patente, pa një vlerësim individual të aftësive të drejtimit, mund të përbënte një formë diskriminimi për shkak të moshës.
“Masa të tilla nuk bazohen në prova shkencore që do të justifikonin një kufizim automatik. Në vend të kësaj, është i nevojshëm një vlerësim individual i aftësisë për drejtim mjeti, pavarësisht nga mosha”, tha AGE Europe.
Ata kujtojnë se shumë qytetarë të moshuar ende ngasin me përgjegjësi dhe siguri, dhe se kufizimet e pajustifikuara mund të ndikojnë negativisht në lëvizshmërinë, pavarësinë dhe cilësinë e jetës së tyre.
Megjithatë, statistikat tregojnë se shoferët e moshuar janë të përfshirë në një numër të madh aksidentesh rrugore.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2024, personat mbi moshën 65 vjeç shkaktuan 2,688 aksidente trafiku, në të cilat u lënduan 779 persona dhe humbën jetën 24 persona nga kjo grupmoshë.