Shpresë për zhvillim apo fabrikë diplomash për tregun europian?

    Në vitin akademik 2025/26, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup shënoi një sukses të jashtëzakonshëm në afatin e parë të regjistrimeve me gjithsej 233 studentë të regjistruar, që përfaqëson një rritje prej 43 për qind krahasuar me vitin e kaluar, shkruan gazeta Koha. Kjo statistikë, në shikim të parë, paraqet një tregues pozitiv për të ardhmen e arsimit teknik në vend, por gjithashtu ngre një pyetje thelbësore: A po i zgjedhin të rinjtë këto studime për të kontribuar në zhvillimin vendas, apo si trampolinë drejt një jete më të mirë jashtë vendit?

    Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – UKM u përgjigj ndaj këtyre trendeve duke investuar në modernizimin e laboratorëve, digjitalizimin e mësimdhënies, si dhe bashkëpunime me sektorin privat, që e bëjnë më tërheqës për studentët. Për herë të parë pas shumë vitesh, kuotat për disa programe u plotësuan që në semestrin e parë.

     ZHVILLIM KOMBËTAR APO TRAMPOLINË PËR MIGRIM?

    Por në Maqedoninë e Veriut, si në shumë vende të tjera të rajonit, suksesi në regjistrime nuk është gjithmonë i barabartë me sukses në ndërtimin e një të ardhmeje brenda vendit. Migrimi i trurit, veçanërisht në fushat teknike, është një realitet i prekshëm.

    Shumë të rinj zgjedhin të studiojnë degë si inxhinieria mekanike jo vetëm për pasion, por edhe sepse ato janë profesione “ndërkombëtarisht të konvertueshme”, diploma dhe aftësi që lehtësisht i çojnë drejt tregjeve më të pasura në Evropën Perëndimore, si Gjermania, Zvicra apo shtetet skandinave. Kërkesa për inxhinierë është aq e lartë sa që shumë kompani të huaja ofrojnë punësim që në përfundim të studimeve, ndonjëherë edhe më herët. Kështu, ndonëse rritja e regjistrimeve në fakultetin në fjalë është lajm pozitiv, ajo mund të pasqyrojë më shumë një strategji personale për migrim, sesa një sinjal të fuqishëm për ndërtimin e kapitalit njerëzor në vend.

     TË DIPLOMUAR, POR JO TË PUNËSUAR NË VEND

    Profesori universitar Arsim Islami për gazetën Koha deklaroi se mungesa e kushteve të favorshme për punë dhe zhvillim profesional në vend bën që shumë të rinj, edhe pse formohen në vend, të kërkojnë të ardhmen jashtë saj.

    “Një ndër arsyet kryesore që të rinjtë largohen, është mungesa e kushteve të përshtatshme të punës dhe e mundësive për zhvillim profesional në tregun vendas. Pagat mbeten relativisht të ulëta, mundësitë për kërkime shkencore të limituara, dhe lidhja mes universitetit dhe industrisë shpesh nuk shkon përtej praktikave afatshkurtra. Madje, edhe vetë universitetet e ndiejnë presionin e këtij realiteti: të edukojnë kuadro të cilat, ndonëse përgatiten në Maqedoni, nuk kontribuojnë domosdoshmërisht në ekonominë e saj. Ky është një problem kompleks, që kërkon politika të qarta për motivimin e të rinjve që të qëndrojnë: qoftë përmes subvencioneve, qasjeve më të mira në tregun e punës, apo zhvillimit të zonave industriale ku ata mund të punësohen pas diplomimit”, theksoi ai duke u bërë thirrje institucioneve dhe subjekteve politike që të ndërtojnë një të ardhme në të cilën inxhinierët nuk kërkojnë rrugëdalje, por shohin mundësi në vendin e tyre.

    Ndryshe, rritja e interesit për inxhinierinë mekanike në vend është pa dyshim një shenjë shprese. Por kjo duhet të shoqërohet me krijimin e kushteve konkrete që ky interes të përkthehet në qëndrueshmëri, në ndërtimin e karrierave brenda vendit, në mbështetje të industrisë vendase dhe në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në të kundërt, vendi rrezikon të bëhet vetëm një pikë tranziti për trurin teknik, një shkollë për tregjet e huaja.

    Lajmi Paraprak

    Dashuri në dy gjuhë: kur shqiptarët dhe maqedonasit bashkojnë jetët (Tabela)

    Lajmi i rradhës

    Marta Kos: është e rëndësishme të përmbushen detyrimet e mbetura

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë