Shqetësim në Gjermani pas fitores së AfD në nivel komunal

    AfD për herë të parë fitoi kreun e administratës së një qarku me kandidatin e saj, Robert Sesselmann. Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues e kategorizon AfD në Tyringji si parti ekstremiste të djathtë.

    Partia populiste  gjermane, AfD arrin për herë të parë të marrë një post të rëndësishëm komunal – kjo fitore ka shkaktuar shqetësim në Gjermani. Partitë qeverisëse dhe opozitare, shoqëria civile dhe Këshilli Qendror i Hebrenjve kanë reaguar me tronditje: Bodo Ramelow, kryeministri i landit të Tyringjisë, ku ndodhet edhe qarku ku fitoi Robert Sesselmann i AfD, tha se “qytetarët kanë vendosur t’i dërgojnë një sinjal të gjithë Republikës, që atyre shumë gjëra nuk ju pëlqejnë. Unioni CDU/CSU kishte pasur bindjen, se bashkimi i të gjitha partive të tjera do ta pengonte fitoren e kandidatit të AfD-së.

    Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster e përcaktoi fitoren e AfD-së qarkun Sonneberg si “thyerje të digës” dhe u shpreh shumë i shqetësuar që kaq shumë njerëz votojnë për AfD. Për rrjetin redaksional “RedaktionsNetzwerk Deutschland”, ai tha se forcat politike demokratike në vend nuk duhet ta pranojnë këtë. Bashkëkryesuesja e partisë Të Gjelbrit, Ricarda Lang, shkroi në twitter, se rezultati në Sonneberg është “tronditës”. Lang e shikon këtë rezultat si “paralajmërim për të gjitha forcat demokratike: më së voni tani është koha, ku -megjithë grindjet parimore –  të gjitha forcat demokratike duhet të bashkohen të mbrojnë demokracinë.”

    Kurse dega e CDU-së në Tyringji shikon në këtë rezultat të suksesshëm të AfD-së një “protestë kundër Berlinit”. Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Christian Herrgott u shpreh të dielën, se “në fund edhe fushata zgjedhore u hijezua nga politika e paaftë e qeverisë federale, gjë që është për të ardhur keq.” Kreu i degës së SPD për Tyringjinë, Georg Maier bëri përgjegjëse për fitoren e AfD edhe situatën e pastabilizuar politike në landin gjerman. Për shumë çështje që shqetësojnë njerëzit nuk ka pasur progres, tha ai. “Ne jemi pjesërisht në vendnumëro”, kritikoi Maier.

    Dhjetë vite pas themelimit të saj, partia populiste, AfD në Tyringji arriti të dielën (25.06.) të marrë një post të rëndësishëm në nivel komunal për herë të parë. Kandidati i AfD-së, Robert Sesselmann ka fituar kundrejt kandidatit të CDU-së, Jürgen Köpper  në qarkun Sonneberg. 

    Në balotazh u vendos, se kush do të drejtojë në 6 vitet e ardhshme qarkun Sonneberg me 57.000 banorë një nga qarqet më të vogla në Gjermani e në kufi me Bavarinë. Kandidati i AfD-së, Robert Sesselmann fitoi 52,8% të votave dhe mori kështu shumicën absolute, sipas Zyrës Zgjedhore. Kandidati i CDU-së, Jürgen Köpper i cili mbështet nga SPD, Të Gjelbrit, FDP mori 47,2% të votave.

    AfD nuk kishte asnjë post të rëndësishëm komunal deri më tani

    Në raundin e parë të votimeve para dy javësh Sesselmannit i mungonin vetëm pak pikë për të arritur fitoren. Deputeti i parlamentit të landit nga AfD dhe avokati Sesselmann mori 46,7% të votave, Köpper 35,7%. Rezultati zgjedhor shkaktoi alarm në nivel federal, për shkak se AfD në sondazhet më të fundit në Gjermani ka shënuar rritje në elektorat, sidomos në landet lindore gjermane. Në landin e Tyringjisë, AfD me kreun e saj, Björn Höcke kategorizohet si ekstremiste e djathë dhe vëzhgohet nga Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

    Përfaqësues të socialdemokratëve, Të Gjelbërve, liberalëve dhe Të Majtës si edhe Shoqata e Sindikatave Gjermane kishin bërë thirrje për mbështetjen e kandidatit të CDU-së, Köpper. Deri më tani AfD megjithë disa përpjekje nuk kishte asnjë post të rëndësishëm komunal si kreun e qarkut apo një kryebashkiak. Sipas një sondazhi të Civey, shumica e gjermanëve janë të shqetësuar nga zgjedhja e kreu të qarkut nga AfD, këtë përgjigje e dhanë 52% të pyeturve, kurse 43% thanë se nuk i shqetëson zgjedhja e një kreu qarku nga partia populiste, AfD. /DW/

    Lajmi Paraprak

    OKB: Më shumë njerëz po injektojnë droga në nivel global

    Lajmi i rradhës

    Sa për qind të trurit përdorim çdo ditë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë