SHQETËSUESE | Rritet numri i të rinjve në RMV që konsumojnë alkool dhe drogë

    Është rritur numri i personave që konsumojnë alkool dhe drogë, sidomos te të rinjtë, tregojnë të dhënat që për AIM i dhanë nga Qendra Informative e Toksikologjisë në Klinikën Universitare për Toksikologji në Shkup.

    Në gjysmën e parë të vitit është shënuar rritje prej 13.5 për qind te helmimet nga alkooli krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në rastin e keqpërdorimit me drogën është shënuar rritje prej 281 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

    “Përfaqësimi i intoksikimeve akute me alkool dhe drogë ka një trend pozitiv në vitet e fundit, i cili ruhet edhe gjatë periudhës së pandemisë, por kjo rritje në vitin 2023 bëhet edhe më e ndjeshme. Në vitin 2022, intoksikimet akute me PAS, vetëm ose në kombinim me alkool, rriten për 104 për qind, krahasuar me vitin 2021. Në gjysmën e parë të vitit 2023 është shënuar rritje prej 13,5 për qind e helmimeve nga alkooli, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, njofton Qendra Informative Toksikologjike për AIM.

    Nga Qendra tregojnë se më së shumti trajtohen intoksikimet akute me kokainë, e cila përfaqësohet me mbi 30 për qind të të gjitha helmimeve akute me drogë dhe së fundmi ato kombinohen kryesisht me alkool.

    Këtë vit në Qendër gjatë muajit qershor janë raportuar dy raste të përdorimit të drogës tek fëmijët nën 14 vjeç, përkatësisht në grupmoshën nga nëntë deri në 14 vjeç, gjatë qershorit, gjë që nuk ka ndodhur në tre vitet e mëparshme në periudhën e njëjtë.

    RRITJE E INTOKSIKIMEVE AKUTE NGA ALKOOLI NË KORRIK

    Të dhënat me të cilat disponon Qendra në Klinikën Universitare për Toksikologji tregojnë se në korrik të këtij viti ka pasur rritje të intoksikimeve akute me alkool për 65.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Te të miturit nën 14 vjeç dhe nga 15 deri në 19 vjeç, muajin e kaluar është shënuar rritje prej 100 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, ndërsa te të rriturit nga 20 deri në 74 vjeç është shënuar rritje prej 73,7 për qind.

    Në vitin 2022, helmimet akute me alkool etilik zënë vendin e parë për sa i përket përfaqësimit në numrin e përgjithshëm të helmimeve dhe ka pasur një rritje prej 28,4 për qind krahasuar me vitin 2021.

    KEQPËRDORIMI ME DROGËN NË QERSHOR ISHTE 375 PËR QIND MË I LARTË SE VITIN E KALUAR

    Nga Qendra tregojnë se abuzimi me drogën në gjysmën e parë të vitit është rritur për 281 për qind, krahasuar me gjysmën e parë të 2022. Vetëm në qershor është vërejtur një rritje prej 375 për qind dhe në korrik për 54,5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

    Gjatë muajit korrik, rritje më të madhe në përdorimin e drogave ka pasur tek popullsia e rritur mbi 20 vjeç, dhe atë për 54,5 për qind dhe nuk ka pasur rritje të ndjeshme tek popullsia nën 19 vjeç.

    Këto të dhëna, sipas Qendrës Informative të Toksikologjisë, duhet të interpretohen në kuadër të lëvizjeve të njerëzve gjatë pushimeve verore, kur shumica e tyre janë larg vendbanimit.

    Të dhënat e Qendrës tregojnë se konsumimi i alkoolit dhe drogës është më i shpeshtë tek personat e gjinisë mashkullore.

    Lajmi Paraprak

    Krimet në Maqedoni po rriten, çdo vit e më shumë vepra penale! (TABELA)

    Lajmi i rradhës

    Përplasje e hapur mes kryeministrit dhe prokurorëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë