Shqipëri: Shumica miraton projektligjet nën sprej tymues

    Kuvendi i Shqipërisë nuk arriti as këtë të enjte të zhvillojë seancë të qetë.

    Deputetët e opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit, Sali Berisha, bllokuan foltoren e Kuvendit duke vendosur aty karrige dhe më pas hodhën sprej tymues.

    Pas kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përjashtoi deputetin e opozitës, Saimir Korreshi, i cili hodhi sprejin tymues në sallë.

    Mes kaosit të krijuar, shumica votoi projektligjet e përcaktuara në rendin e ditës.

    Gjashtë prej tyre, që ishin propozime të Partisë Demokratike në opozitë, u rrëzuan.

    “Do ishte e udhës që deputetët e opozitës të merrnin fjalën dhe të shpjegonin qëllimet pse kanë marrë këto iniciativa ligjore. Mos u keqpërdorni nga interesi personal i një njeriu, që ka marrë peng PD-në prej 33 vitesh. Vendosja e flakadanëve dhe lëndëve kimike, është një vepër penale”, tha ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

    Seanca u mbyll pas 20 minutash, mes tymit të shkaktuar nga spreji tymues dhe bllokimit të foltores me karrige.

    Ish-kryeministri Sali Berisha tha se situata e krijuar është përgjegjësi e pushtetit, që sipas tij “po asgjëson pluralizmin”.

    “Kanë tmerr nga të drejtat kushtetuese të opozitës. Parlamenti po funksionon njëlloj si në diktaturë. Nevojitet rivendosja e të drejtave kushtetuese të deputetëve, dhe lejimi i krijimit të komisioneve hetimore parlamentare, që janë frenuar nga Edi Rama”, theksoi ai.

    Berisha deklaroi se bllokimi i komisioneve dhe seancave parlamentare do të vijojë derisa të plotësohen kërkesat e opozitës.

    Deputetët e opozitës akuzojnë shumicën për refuzimin e ngritjes së disa komisioneve hetimore, dhe se po kërkon të imponojë përfaqësuesit e opozitës në komisionin e Posaçëm të Reformës zgjedhore, kjo për shkak të përplasjeve brenda Partisë Demokratike.

    Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, u shpreh pas mbylljes së seancës se shumica “do të vazhdojë të miratojmë ligje, dhe të Qeverisë”.

    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe deputetët që e mbështesin atë, nuk morën pjesë në seancë, ashtu siç kanë bërë edhe në dy seancat e kaluara, ku është krijuar e njëjta situatë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Hovenier: Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e fundit për draft-statutin për Asociacionin

    Lajmi i rradhës

    Firmat serbe e furnizojnë Rusinë me mallra të sanksionuara teknologjike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë