A do ta dëgjojë qeveria ish-ministrin Panariti?

    NDUE DEDAJ

    Rrallëherë mund dëgjosh shprehje unike si “Bujqësia është Shqipëria” e profesor Edmond Panaritit, njëherësh politikan i njohur. Ai apelon: “Bujqësia shqiptare duhet të prodhojë grurë, misër, mish, qumësht, perime, fruta, për të ushqyer popullin e saj dhe për të krijuar të ardhura kombëtare. Mbajeni fort këtë parim të shenjtë! Mos e prekni këtë orientim strategjik dhe sovranist të saj!

    Hapini sytë dhe shihni se ç’po ndodh me ushqimet dhe çmimet e tyre te ne dhe kudo! Kush do të na shpëtojë nga kriza globale e furnizimit me ushqime, e cila është në prag dhe mund të vazhdojë me vite! Kush? Vetëm Bujqësia do të na shpëtojë nga uria dhe varfëria dhe jo vetëm, por edhe nga zbrazja e vendit nga shqiptarët. Sepse Bujqësia është Shqipëria. Prandaj mos lini që të devijojë me aventura hashashi mjekësor, sado tërheqëse dhe joshëse që të duken. Sepse dëmi do të jetë kolosal dhe i pakthyeshëm!”.

    A ka më shqip dhe me më dorë në zemër? Këtij vendi fatmirësisht nuk i kanë munguar asnjëherë mendjet e kthjellëta dhe mendimtarët vizionarë të perspektivës, problemi ka qenë sa ata nuk janë dëgjuar nga pushteti. E udhës do të ishte që profesor Panariti të dëgjohej nga qeveria pa “ndërmjetës” për faktin se ka qenë ministër i Bujqësisë, për më tepër me këtë Kryeministër, kur PS bashkëqeveriste në koalicion me LSI-në në vitet 2013-2017. Në gjendjen e sotme të një bujqësie të rrënuar, thirrja për ringritjen e saj dhe për ta bërë atë të qëndrueshme, është një kambanë që i drejtohet në njëfarë mënyrë çdo shqiptari, pasi bëhet fjalë për një strategji kombëtare nga më të rëndësishmet.

    Nuk e nderon asnjë qeveri fakti që bujqësia, sektori më i madh i ekonomisë, është më i prapambeturi; qeveritë e tranzicionit jo vetëm nuk janë ngritur në lartësinë e detyrës për zhvillimin e politikave bashkëkohore në bujqësi, nxitjen e sipërmarrjes në këtë sektor jetik, përmirësimin e skemës së mbështetjes financiare të saj etj., por nuk kanë mundur as të bëjnë që fermerët e Myzeqesë, Beratit apo Korçës, prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale të mos detyrohen shpesh t’i hedhin në përrua, pasi nuk gjejnë treg, ngaqë tregu i këtushëm është mbytur me prodhime eksporti nga vendet fqinje.

    Ca prerje kashte (byku) që u përdorën si stola për t’u ulur delegatët e PS në kongresin e këtyre ditëve s’besojmë se kishin simbolikën e vëmendjes së shtuar të qeverisë ndaj arave të grurit. Sipas të dhënave të INSTAT, publikuar kohët e fundit, viti 2021 shënoi ritmet më të ulëta të prodhimit bujqësor në 24 vite. E tregon këtë dhe pamja djerr e tokave bujqësore gjithandej Shqipërisë, mbuluar me ferra, ku rrallë ndonjë ekskavator nxjerr kryet buzë ndonjë kanali.

    Nuk dimë ndonjë statistikë të makinerive bujqësore, ama janë të paktë traktorët në fshat, pa kurrfarë krahasimi me numrin e “Benz”-ave për çdo shtëpi. Dhe si të mos mjaftojë kjo gjendje kritike e bujqësisë në vend, udhëheqësia jonë ekzekutive propozon si “zgjidhje” për fshatin dhe mirëqenien ekonomike, kultivimin e hashashit për nevoja mjekësore!? E kjo bash në kohën e mbjelljeve të pranverës, kur fshatari i thjeshtë ende mbjell një sofër vend me perime e zarzavate bio, pa OMGJ e hormone, që të dalë me to në tregun e vockël të gjelbër në trotuar, që për çudi quhet i “zi” dhe ndëshkohet nga policia bashkiake me gjobë!? Se në ç’mjerim e kemi lënë bujqësinë në zonat rurale, mjafton të gjendesh një të diel në pazarin e famshëm të Milotit, ku vëren të njëjtën pamje si në fotografitë e tij të fillimeve të shekullit XX.

    Nuk jemi ne që mund të themi nëse duhet lejuar mbjellja e hashashit mjekësor apo ajo, problemi është se nuk kemi parë ndonjë strategji madhore të qeverisë për reformimin dhe modernizimin e bujqësisë, me anë të projekteve që i tejkalojnë nismat individuale të disa fermerëve kurajozë etj. Nuk e dimë se sa institucionet tona shkencore kanë tagrin e këshilluesit e rekomanduesit pranë qeverisë, teksa ti do të doje që Akademia e Shkencave të mos merret vetëm me albanologjinë, historinë dhe problematika të tjera shkencore që lidhën me të kaluarën, por zëri i saj të dëgjohet në forumet shtetërore dhe për programe të zhvillimit të ekonomisë kombëtare, siç është bujqësia, pyjet, mjedisi etj.

    Të thuash që jemi këshilluar me popullin dhe se 61 për qind e shqiptarëve të anketuar janë shprehur në favor të kanabisit mjekësor, duket jo fort bindëse, krahasuar me një debat shkencor të mundshëm në forumet apo institutet universitare e akademike të bujqësisë, mjekësisë, biologjisë, mjedisit etj. Të mos harrojmë përvojën e shumë dekadave, që mund të na vijë në ndihmë, ku përpos Universitetit Bujqësor të Tiranës, fakultetit të Bujqësisë në Korçë, kemi pasur dhe një sërë institucionesh kërkimore, që ushtronin veprimtarinë e tyre eksperimentuese në terren, si: instituti i kërkimeve bujqësore në Lushnje, instituti i misrit e orizit në Shkodër, instituti i foragjereve në Fushë-Krujë etj., me specialistë të mirënjohur. Një traditë që nis qysh me shkollën e parë bujqësore të Lushnjës më 1921, shkollë e mesme bujqësore të Golemit etj.

    Nuk është fjala për histori e as nostalgji, por për ta rikthyer dinjitetin e profesionit të agronomit, veterinerit, zooteknikut, inxhinierit pyjor e mjedisor, ekonomistit agrar etj., çka do të na bënte të flisnim jo për “akademi të barinjve”, por të specialistëve të tokës, bimëve, pemëtarisë, blegtorisë, bletarisë, pyjeve, agrobiznesit, agroturizmit etj. Atëbotë emrat e Abedin Çiçit, Tomson Nishanit, Ahmet Osjes etj. nuk do të shiheshin vetëm si elita e djeshme që krijoi shkollën agrare shqiptare, por dhe si modele të karrierës dhe profesionalizmit për sot.

    Ka qenë dramatike, në fillim të viteve ‘90, kur shumë agronomë e veterinerë lanë profesionin e tyre (më saktë i la profesioni ata) dhe u futën në punë ku mundën, në arsim, përfshi dhe në polici. Edhe sot diplomohen specialistë të këtyre profesioneve, por nuk dimë se ku ata punësohen, përveç ndonjë kompanie private që kërkon ta zhvillojë biznesin e saj nën menaxhimin e këtyre profesionistëve dhe jo sa për t’i pasur ata për “firmë” në raportet teknike.

    Qeveria dhe bashkitë mund të “krenohen” me arritjet e sipërmarrësve privatë në ekspozitat e prodhimeve bujqësore, në sheshin “Skënderbej” a kudo tjetër, por askund bujqësia nuk është zhvilluar pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të shtetit, i cili nuk mund të jetë dorëjashtë apo sipërfaqësor sa u përket subvencioneve në bujqësi. E dëshmon këtë përvoja e mjaft vendeve të zhvilluara si Gjermania, Spanja, Greqia etj., apo dhe Kosova e Maqedonia, ku fermerëve u krijohen lehtësira nga shteti që në doganë për kalimin e mjeteve bujqësore, karburantin etj., ashtu siç ka dhe kooperativa apo njësi mbrojtëse për fermerët. Sipas investuesve në bujqësi, subvencionet në këtë sektor tek ne deri tash kanë qenë me “pikatore”.

    Fjala vjen, qeveria e ka përparësi turizmin, por si mund të zhvillohet ai pa agroturizmin? Duam të integrohemi në Europë, po kjo nuk mund të ndodhë me një bujqësi anemike, spontane, me “parmendë”, që nuk ka asgjë të përbashkët me ritmet, progresin dhe teknologjitë e përparuara që zbatohen në vendet europiane falë politikave qeveritare dhe subvencioneve, sa u përket farërave, punimit të tokës, plehërimit, ujitjes, korrjes, përpunimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale etj., ku mekanizimi ngërthen deri në 80 për qind të proceseve të punës. Kemi pasur rastin vite më parë të vizitojmë një panair ballkanik të prodhimeve dhe mjeteve bujqësore në Novi Sad (Serbi), ku i gjithë qyteti ato ditë ishte kthyer në një emblemë të bujqësisë moderne.

    Vetëm sa e cekëm problemin e madh të bujqësisë së prapambetur, nxitur nga apeli i profesor Panaritit dhe jo vetëm, me dëshirën që në fusha e male të shihen shumë e më shumë investitorë të bujqësisë, agrobiznesit dhe agroturizmit, që, veç të tjerash, do të mendonin seriozisht dhe për mbarështimin e kulturave apo racave autoktone. Veçse kjo nuk bëhet pa atdhetari, të qeverisësve në radhë të parë. E nëse Shqipëria do të vazhdojë si deri më sot të shihet si plaçkë për t’u ndarë mes pasanikëve (oligarkëve), atëherë kot që harxhojmë frymë, pasi kur të kenë mbaruar punë ata me grabitjen e pasurive publike, këtu nuk do të ketë më shqiptarë, ngaqë do të kenë emigruar të gjithë atje ku nuk prodhohet hashash (qoftë ky dhe mjekësor), por grurë, misër, oriz, patate, agrume, mollë, perime, qumësht, djathë etj.

    “Bujqësia është Shqipëria”, kurse mungesa e saj është kriza e pashmangshme, që mund të na kthente një ditë në kufijtë e mbijetesës. Atëherë do të ishte vonë, qoftë dhe për t’iu thirrur gjyshërve… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Energjia, pas linjës 400 kv me Kosovën po studiohet një tjetër investim i përbashkët

    Lajmi i rradhës

    Një paralele ndërmjet pastrimit të parave dhe abuzimit me fondet publike

    Lajme tjera

    Letër nga Gaza

    Ghassan Kanafani I dashur Mustafa!Sapo morra letrën tënde, ku shkruan se ke rregulluar gjithçka në mënyrë që të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë