Parlamenti dhe një polici demokratike

    PËLLUMB NAKO

    Komisioni i Sigurisë Kombëtare thirri para disa ditëve në një seancë pyetjesh Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Nga pyetjet e bëra nga parlamentarët e të dy krahëve, u kuptua qartësisht se cili është shqetësimi për rendin publik dhe kriminalitetin si dhe cilat janë pretendimet e politikës për Policinë e Shtetit. Në thelb, asgjë e re nuk u vu re në raport më seanca të tilla të ngjashme të zhvilluara që prej disa dekadave. Gjithçka e ngjashme. Gjatë kësaj të fundit kishte edhe parlamentarë, të cilët ishin mjaft të shqetësuar të dinin sesa ishte buxheti për pagesën e bashkëpunëtorëve të Policisë, detaj ky pa rëndësi jetike për organizatën.

    Pyetjet e shumta natyrshëm kishin të bënin më dinamikën e përditshme të sigurisë dhe kriminalitetit. Megjithatë, nga ana e ligjvënësve tanë nuk u pasqyrua asnjë shqetësim lidhur me një komponent të rëndësishëm të aktivitetit të policisë, ai i respektimit të të drejtave të njeriut. Komponent ky aspak teorik, por konkret në disa fusha: në procesin e manifestimeve publike me karakter kontestues, në pritjen e viktimave që denoncojnë nëpër komisariatet e Policisë, në trajtimin e personave të marrë në pyetje gjatë procesit të hetimit, në sjelljen e policisë gjatë momentit të shoqërimit të një individi drejt komisariateve të Policisë. Janë pikërisht këto komponentë, të cilët e ndajnë Policinë e një vendi demokratik nga një vend tjetër jo të tillë.

    E gjitha kjo sepse nëse i referohemi një statistike të bërë publike në një kanal televiziv perëndimor, aktualisht 38 për qind të të gjithë kartelave të kuqe (urdhra arresti ndërkombëtarë) të lëshuara nga INTERPOL-i i takojnë Rusisë. Kjo shifër tregon se Rusia është vendi më efikas dhe më i dhënë pas kërkimit të kriminelëve, ndërkohë që janë të shumta organizatat dhe shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar që denoncojnë se Rusia shfrytëzon kanalin e INTERPOL-it për të goditur kundërshtarët e saj politikë, disidentët duke u faturuar krime të zakonshme.

    Po ashtu, aktualisht ekzistojnë prova të shumta se edhe Kina e përdor organizatën ndërkombëtare të Policisë për të goditur të pabindurit. Të njëjtin pretendim ka edhe opozita bjelloruse. Ndërkohë, presidenti turk, Erdogan, u kërkoi 195 vendeve të botës, anëtare të INTERPOL-it të bashkëpunojnë me këtë vend për të arrestuar terroristët gylenistë, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it të zhvilluar më 26 nëntor të këtij viti në Turqi. Po ashtu, nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti tjetër i ngjashëm (i përsëritur disa herë në shkrimet e mia) ai e kartelave të kuqe kundër mjaft titullarëve të ish-UÇK-së të lëshuara nga drejtësia serbe nëpërmjet kanalit të sipërpërmendur. Madje, edhe Presidenti aktual i INTERPOL-it nga Emiratet e Bashkuara Arabe është në qendër të shumë kontestimeve të organizatave të ndryshme kundër torturës që e akuzojnë pikërisht për përdorim torturash.

    Në shembujt e dhënë më sipër, duken hapur veprime policore të disa vendeve, të cilat në thelb luftojnë krimin si Policia jonë, ndoshta dhe më mirë (p.sh., Policia e Emirateve Arabe të Bashkuara mundësoi arrestimin dhe ekstradimin e kriminelit më të kërkuar nga ana e Policisë franceze), por të gjitha kanë për karakteristikë jo vetëm mungesën komponentit e respektimit të të drejtave të njeriut që shkelet, por kalohet në akte ende më të rënda, në manipulimin e akuzave dhe shfrytëzimin e kanaleve të bashkëpunimit policor ndërkombëtar për të larë duart me kundërshtarët politikë.ADVERTISEMENT

    Me të drejtë, lexuesi i këtyre rreshtave do të pyeste se si do të ishte e mundur të mateshin me statistika komponentët e numëruar më sipër, tregues të respektimit të të drejtave të njeriut. Pikërisht ky fakt duhej të ishte jo vetëm një pyetje që mungoi dhimbshëm në seancë, por edhe një moment reflektimi.

    Pyetja do të ishte e thjeshtë: A ka menduar Policia të gjejë mënyra apo tregues se si të masë respektimin e të drejtave të njeriut në katër komponentët e përmendur më sipër? Respektimi i të drejtave të njeriut nga ana e Policisë nuk duhet të mbetet si hyrje apo fill ideologjik që përshkon gjithë raportet e komunikimet publike të vetë organizatës dhe as të organizatave të tjera që monitorojnë apo kontrollojnë atë. Ky tregues duhet të marrë përmasa konkrete të ndarë dhe të matur me statistika, njëlloj si krimet.

    Një nga mënyrat që të paktën përdoret sot me efikasitet në shumë vende demokratike të botës, mbetet sondazhi ku merren në pyetje për mënyrën e shërbimit të Policisë nga manifestues, nga viktima që denoncojnë, nga persona të marrë në pyetje apo ata të shoqëruar. Do të ishte me më shumë vlerë nëse gjithë seanca do të përqendrohej pikërisht edhe në një debat të shëndetshëm për mënyrën se si të gjenden rrugët për të matur sesa shërbimi i ofruar nga Policia respekton të drejtat e njeriut, gjë që bën dallimin e një Policie demokratike dhe jo të vihej vërdallë edhe me pyetje pa bukë./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Përgjigjja modeste e Lionel Messit

    Lajmi i rradhës

    Ilire Dauti, koordinatore e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë