EVARIST BEQIRI
Të rinjtë në protestë, me parullat e tyre të thjeshta dhe të mprehta si thikat, po na japin leksione qytetarie, dinjiteti dhe shprese. Historia nuk ka nevojë vetëm për historianë. Historia ka nevojë për njerëz që e kujtojnë.
Një prej atyre parullave më goditi. Shkruante: “Ismail Qemal Vlora – Themeluesi. Edi Rama – versioni i Ismail Qemalit në Temu.” Të rinjtë shqiptarë po e thonë në dy rreshta thelbin. Imitim pa substancë, kopje pa cilësi. Nuk ka metaforë më të saktë.
Ekziston një Shqipëri që u themelua si ideal. Ekziston një Shqipëri tjetër që qeveriset me skenar. Distanca midis tyre nuk matet me vite, por me karakter.
Ismail Qemal Vlora nuk erdhi në Vlorë që të bënte karrierë. Ai erdhi që të mbyllte një borxh ndaj historisë. Kishte moshën, kishte lodhjen, kishte armiq më shumë se miq. Por kishte edhe diçka që sot mungon bujshëm në skenën shqiptare. Një kuptim të qartë të faktit se pushteti nuk është pronësi, është përgjegjësi.
Ismail Qemali ngriti flamurin, hodhi themelet, u largua. Pa pension të artë. Pa kult personaliteti. Pa kamera që ta ndiqnin hap pas hapi.
Edi Rama ka 13 vjet në qeverisje. Pikturon. Filozofon. Tallet. Shteti ndërkohë kalbet nga brenda.
Jep intervista në Paris, Berlin dhe Uashington. Flet për vizion, për Europën, për të ardhmen. Ndërkohë, një pjesë e drejtësisë mbetet e kapur dhe mediat punojnë nën hije frike. Paratë publike humbasin në tendera që askush nuk i pyet. Protestat e qytetarëve trajtohen me cinizëm dhe indiferencë institucionale.
Dallimi midis këtyre dy figurave nuk është thjesht estetik. Dallimi është ekzistencial.
Njëri e kuptoi shtetin si qëllim. Tjetri e trajton si mjet. Mjet për imazh, mjet për pushtet, mjet për të mbijetuar zgjedhje pas zgjedhjeje me të njëjtën retorikë.
Njëri ndërtoi. Tjetri komunikon se ndërton. Dallimi ndërmjet ndërtimit dhe spektaklit të ndërtimit është pikërisht dallimi ndërmjet shtetit dhe fasadës së tij.
Shqipëria e sotme ka fasadë. Ka bulevardin e ri dhe kullat e larta. Ka uniformën europiane dhe fjalimet ndërkombëtare. Por ka edhe gjykata që nuk funksionojnë, institucione që i binden një zëri të vetëm dhe një opozitë që zhgënjen. Kjo nuk është Shqipëria e Ismail Qemal Vlorës. Është karikatura e saj.
Një shoqëri që e harron themeluesin e vet dhe toleron sundimtarin e vet, nuk ka probleme lidershipi. Ka problem vetëvlerësimi.
Shqiptarët nuk sakrifikuan gjakun e tyre për një shtet ku qytetari ndihet i pafuqishëm përballë pushtetit. Kjo nuk është Shqipëria që ëndërruan Ismail Qemal Vlora dhe Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ata ndërtuan një ideal lirie, dinjiteti dhe përgjegjësie publike. Ata ndërtuan ëndrrën europiane. Sot jemi larg atij ideali.
Monumenti që i mungon Ismail Qemalit në Tiranë nuk është prej guri e bronzi. Muzeu i munguar në Vlorë e Tiranë nuk është thjesht një hapësirë me artefakte. Ajo që na mungon është kujtesa. Është ndërgjegjja jonë kolektive, e gërryer ngadalë. Shumë ngadalë, pikërisht që të mos e vëmë re.
Por një shoqëri që nuk e vëren gërryerjen e ndërgjegjes së vet rrezikon të humbasë edhe kujtesën e asaj që duhet të jetë. Kjo është arsyeja pse zgjimi i sotëm qytetar ka rëndësi.
Shqipëria e parë është shteti si projekt kombëtar. Shqipëria e dytë është shteti si projekt personal politik.
Beteja e vërtetë nuk është se kush do ta drejtojë Shqipërinë e dytë. Është nëse shqiptarët do të kenë më në fund guximin ta ndërtojnë përsëri të parën. Panorama






