Kush i vrau zgjedhjet?

    Lufta për pushtet në kushtet e një shoqërie të varfër kulturalisht dhe të dobët ekonomikisht nuk mund të prodhojë gjë tjetër veçse një bilanc tragjik për lirinë dhe demokracinë e qytetarëve!

    Leons Hasani

    Sundimtarët njohin vetëm një kënaqësi, atë të pushtetit!

    Çdo kënaqësi tjetër që mund të vij jashtë zonës apo burimit të pushtetit përçmohet dhe përbuzet prej tyre!

    Lufta për pushtet në kushtet e një shoqërie të varfër kulturalisht dhe të dobët ekonomikisht nuk mund të prodhojë gjë tjetër veçse një bilanc tragjik për lirinë dhe demokracinë e qytetarëve!

    Kurthi në të cilin tashmë prej kohësh ka rënë shoqëria shqiptare sa për faj të saj e sa për faj të politikës së papërgjegjshme, është modeli më erozionues i vlerave dhe karakterit njerëzor. Ky cikël i pamëshirshëm i degradimit të sistemit të meritës dhe meritokracisë është vetëm fillimi i një fundi të errët. Denatyrimi i çdo norme dhe i çdo parimi shoqëror do të sillte medoemos shkeljen e kushtetutës dhe të ligjeve nga ata të cilët e kanë për qëllim respektimin dhe mbrojtjen e tyre.

    Ndaj edhe sot, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të panjohur dhe tejet kritik për të ardhmen e saj.  Kjo si pasojë e sjelljes së pa preçedentë dhe abuzive e politikës në raport me institucionet, ligjin, kushtetutën dhe qytetarin.

    Zgjedhjet e 25 prillit dështuan që të ishin zgjedhje shprese dhe ndryshimi për qytetarët. Në një vend si ky i joni, me probleme të theksuara kronike si korrupsioni, keqmenaxhimi i financave publike, mosrespektimi i ligjit, papunësia dhe varfëria, kërkonte me patjetër një qasje krejt ndryshe nga ajo e opozitës në 4 vitet e fundit. Ajo se çfarë kam artikuluar gjithmonë për djegien e mandateve dhe për mos hyrjen në zgjedhjet lokale qëlloi fatkeqësisht të ishte e vërtetë. Dy nga gabimet më fatale të opozitës që i lanë dorë të lirë qeverisë Rama në përdorjen e të gjithë aparatit shtetëror në mënyrë absolute dhe të njëanshme në interesin e partisë në pushtet.

    Pikërisht këtu fillon edhe çarja përmes së cilës mund të ekzekutoheshin zgjedhjet e 25 prillit. Nga ana tjetër qeveria thelloi akoma më shumë aksionin me goditjet e opozitës poshtë brezit dhe shtoi dozën e presionit shtetëror për një mandatë të tretë me çdo kusht.

    Opozita e gjendur mes atmosferës për ndryshim dhe kushtit të panegocieshëm të Ramës për ta përdorur shtetin në funksion të zgjedhjeve, dështoi që ta ruante të pacënuar vullnetin e qytetarëve në 10 ditët e fundit të fushatës zgjedhore. 

    Fushata model e frontit opozitar dhe oferta politike e z. Basha kurrësesi nuk duhet të kritikohet. Problemi në thelb nuk ishte progami, as kandidatët, as aksioni apo komunikimi i opozitës me votuesin, por ishte pamundësia për të ruajtur votën e qytetarit të paprekur. Pamundësi kjo e cila erdhi si pasojë e vetzhveshjes katarsiane që opozita i bëri deputetëve të saj dhe dorëzimit të pushtetit lokal nën hyqmin e një njeriu të vetëm. 

    Nëse do të kishim një vend normal ku qeveria do të respektonte ligjin, dhe prioritet do të kishte garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, opozita edhe pse pa asnjë pushtet do ti kishte fituar bindshëm zgjedhjet me ofertën e saj politike. Por në rrethanat që jemi sot opozitës i duhet të konsolidojë me tej vetvetën. Thirrjet për largimin e kryetarit të PD-së z. Basha, nuk i shërbejnë as PD-së dhe as Shqipërisë.

    Rruga e vetme për ta çliruar vendin nga autokracia është një opozitë e fortë që denoncon krimet zgjedhore, kërkon zgjedhje lokale të parakohshme dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Pa ndodhur këto të fundit integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të vazhdojë të jetë një ëndërr e pamundur për dekada me rradhë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Borrell: Jemi të shqetësuar për deklaratat mbi ndarjen e Shkupit dhe Tiranës në procesin e BE-së

    Lajmi i rradhës

    Artan Grubi nuk pret në radhë, vaksinohet kundër virusit Covid-19 (Video)

    Lajme tjera

    Rrofshin fasulet tona!

    EDMOND TUPJA Siç jemi të gjithë dëshmitarë, për shkak të ngrohjes globale të planetit Tokë, njerëzimi po shkon…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë