Reshjet e dendura të shiut ditët e fundit në Shqipëri kanë shkaktuar probleme thuajse në mbarë vendin. Situata paraqitet më problematike në Durrës, Lezhë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura të shiut, të cilat kanë sjellë përmbytje në disa qarqe. Situata ka qenë më problematike në Durrës, Lezhë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Sipas raportimit zyrtar të fundit nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, deri më tani janë 800 banesa me prezencë uji.
Në total, janë evakuuar 180 banorë, të cilët janë të strehuar në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Vlorë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Urës së Mifolit. Sipas të dhënave të fundit, niveli i Vjosës ka arritur në 7.1 metra mbi nivelin e detit.
Autoritetet kanë njoftuar të gjitha familjet të marrin masa dhe të jenë në gatishmëri. Autoriteti rrugor njofton se ka pasur bllokim të akseve rrugore, si pasojë e rënies së gurëve dhe inerteve.
Akset që kanë pasur më tepër probleme janë në rajonin verior. Sipas parashikimeve të motit, reshjet e dendura do të vijojnë deri më 8 janar. /DW/






