Shtatë muaj dhe autobusët askund!

    Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti është shprehur se janë në konsultim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për të përcaktuat linjat dhe orarin e autobusëve.

    Edhe pse Komuna e Tetovës pas shumë premtimesh dhe përpjekjesh arriti të sigurojë pesë autobusë për transportin publik në Tetovë, megjithatë të njëjtit edhe pas shtatë muajve qëndrojnë të mbyllur dhe nuk kanë lëvizur në terren. Për sigurimin e pesë autobusëve, Komuna e Tetovës kishte aplikuar për kredi përmes Ministrisë së Financave në Bankën Botërore. Këta autobusë ekologjik kushtojnë rreth 1 milion euro. Kërkesa për rivendosjen e transportit publik në Tetovë daton që moti pasi edhe qytetarët dhe sektori joqeveritar ka vlerësuar se kjo – në masë të madhe do të ndikojë në uljen e ndotjes në këtë qytet për shkak të numrit të madh të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Tetovës. Pas arritjes së autobusëve në muajin janar dhe ceremonisë së pranim-dorëzimit, Komuna e Tetovës kishte shpallur thirrje për angazhimin e shoferëve të këtyre autobusëve. Por edhe ky proces kishte zgjatur. Së fundmi, pasi ishin angazhuar shoferët, të njëjtit janë duke u trajnuar dhe më pas autobusët do të lëshohet në përdorim transporti publik në rrugët e Tetovës.

    Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti është shprehur se janë në konsultim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për të përcaktuat linjat dhe orarin e autobusëve. “Siç jeni të njoftuar, autobusët një kohë të gjatë janë në Tetovë dhe që nga momenti që kanë ardhur, ne vazhdimisht kemi punuar që të njëjtit të hyjnë në funksion. Ndërmarrja është themeluar, drejtori është caktuar, bordi është emëruar, së fundmi janë siguruar edhe shoferët, të cilët janë duke bërë trajnimin e tyre, janë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm. Po ashtu, Këshilli kohë më parë ka përcaktuar edhe linjat ku do të qarkullojnë këta autobusë, ku do të qëndrojnë të njëjtit, mini-stacionet janë përcaktuar në qytet… prandaj besoj se shumë shpejtë do të fillohet me punë”, thotë Bekim Memeti, kryetar i Këshillit komunal në Tetovë.

    Me vendosjen e transportit publik, pritet që po ashtu të lehtësohet edhe kaosi në rrugët e Tetovës dhe apelohet që në të ardhmen qytetarët pa nevojë mos dalin me veturat e tyre, por të shfrytëzohet transporti publik. Në të kaluarën, në Tetovë ka ekzistuar një ndërmarrje publike respektivisht “Polet”, e cila falimentoi diku rreth vitit 2006 dhe që atëherë e këndej, në Tetovë nuk ka patur transport publik të organizuar nga Komuna e Tetovës. Sipas çmimeve të publikuara, çmimi për biletën bazë do të jetë 20 denarë për katër kategoritë e para, kurse kategoritë tjera do të kenë edhe lirime./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Truqe për të shpëtuar nga pluhuri i shtëpisë

    Lajmi i rradhës

    VJESHTË E VËSHTIRË! Paralajmërime për largime të reja nga puna

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë