Shtetet muslimane janë pajtuar të krijojnë një fond humanitar për Afganistanin

    Shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik janë pajtuar që të krijojnë një fond për të adresuar krizën humanitare në Afganistan, që ka lënë miliona qytetarë të përballen me uri, pas marrjes nën kontroll të shtetit nga talibanët në muajin gusht.

    Fondi që do të krijohet, do të mbikëqyret nga Banka Islamike për Zhvillim, dhe ka për qëllim që të koordinojë së bashku me grupet e tjera, ndihmën humanitare për Afganistanin, tha Organizata për Bashkëpunim Islamik pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme që u mbajt në Islamabad.

    Delegatët e 57 shteteve anëtare që morën pjesë në këtë takim kërkuan nga Banka Islamike për Zhvillim që ta krijojë këtë fond deri në çerekun e parë të vitit 2022 dhe kërkuan nga komunitetit ndërkombëtar që të kontribuojnë në këtë fond dhe të japin ndihmë për Afganistanin.

    Ky takim i shteteve myslimane vjen në kohën kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë paralajmëruar se Afganistani është buzë katastrofës ekonomike dhe humanitare dhe miliona afganë kanë mbetur pa punë dhe ushqim.

    Komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar që të njohë udhëheqësit e rinj të Afgasnitanit, duke u bërë thirrje talibanëve që të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të sigurojnë të drejta themelore për të gjithë afganët. Shumica e donatorëve kryesorë botërorë kanë bllokuar ndihmën e tyre për Afganistanin dhe rezervat e Bankës Qendrore afgane, që gjenden jashtë vendit, janë ngrirë.

    Në rezolutën e miratuar, Organizata për Bashkëpunim Islamik u bëri thirrje talibanëve që të respektojnë “obligimet që dalin nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, veçanërisht sa u përket të drejtave të grave, fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara”.

    Përveç ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, në takimin në Islamabad ishin edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja. Ndërkaq, qeveria e udhëhequr nga talibanët, në këtë takim u përfaqësua nga ministri i saj i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi.

    Gjatë adresimit të tij, Muttaqi tha se ngrirja e aseteve afgane “është shkelje e qartë e të drejtave të njeriut të qytetarëve afganë”.

    Më herët gjatë këtij muaji, Banka Botërore tha se donatorët kanë miratuar transferin e 280 milionë dollarëve që ishin ngrirë nga një fond i dy agjencive të ndihmës, në mënyrë që të dërgohet ndihmë në Afganistan për shkak të krizës humanitare. Ndërkaq, SHBA-ja ka thënë se do të lejojë që të dërgohen remitenca në Afganistan./REL/

    Lajmi Paraprak

    Në Kërçovë ka rënë interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër Covid-19

    Lajmi i rradhës

    30 vjet nga shembja e Bashkimit Sovjetik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë