Shteti që jeton me borxhe!

    Qeveria hyri në borxhe të reja për t’u ballafaquar me krizën energjetike. Nga Shparkase Banka janë huazuar javën e kaluar 50 milionë euro me kamatë prej 2.5 për qind për një vit, ndërsa janë lëshuar edhe letrat me vlerë të shtetit prej 25.5 milionë euro me afat kthimi për 15 vite dhe me kamatë prej 4 për qind. Në plan janë edhe huazimet e reja prej mbi 700 milionë euro për të mbyllur gropën në buxhet apo dallimin midis të hyrave dhe dalave apo deficitin prej mbi 500 milionë euro si dhe për të paguar borxhet e brendshme dhe jashtme prej afër 350 milionë euro për borxhet e viteve të kaluara. Përskaj mjeteve financiare për të cilat diskutohet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, shqyrtohen instrumente të tjera të financimit si në tregun vendor, ashtu edhe në tregjet financiare ndërkombëtare.

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi thotë se aktualisht nuk janë të volitshme kushtet për lëshimin e euro-bondit për shkak të normave të larta të interesit. Situata do të ndiqet deri në fund të vitit për shkak se kamatat aktualisht janë 6 për qind, ndërsa në muajin maj ishin 7.5 për qind, ndërsa do të pritet momenti më i përshtatshëm për hyrjen në borxhe të reja. Njëherësh pritet do të përkufizohet edhe me ligj, tavani i borxhit.

    Pritet që prej vitit të ardhshëm borxhi i qeverisë të mos tejkalojë 60 për qind, ndërsa borxhi publik të mos kalojë 75 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi thekson se Ligji i ri për buxhete parashihet të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit 2023, ndërsa do të përcaktojë rregullat fiskale, deficitin buxhetor në nivel deri në 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi publik në nivel prej 60 për qind, që në fakt – sipas Metodologjisë së re, konsiderohet borxhi i qeverisë së përgjithshme (pushteti qendror dhe lokal), ndërkohë që borxhi i garantuar për ndërmarrjet publike dhe institucionet e tjera të sektorit publik që nuk janë shfrytëzues të buxhetit, kufizohet deri në 15 për qind të produktit të brendshëm bruto. Gjithashtu, rregullohet edhe themelimi i Këshillit Fiskal.

    “Me këtë ligj vendoset edhe buxhetimi i bazuar në performancë, nëpërmjet vendosjes dhe monitorimit të treguesve të performancës (KPI – Key Performance Indicators), me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike përmes lidhjes së kostove në sektorin publik me rezultatet. Buxhetimi i bazuar në rezultate ka për qëllim që vendimmarrësit kryesorë dhe hartuesit e politikave t’i marrin në konsideratë sistematikisht rezultatet që duhet të arrihen me realizimin e shpenzimeve. Në këtë mënyrë arrihet qëllimi i përcaktimit të prioriteteve dhe politikave në buxhet sipas konceptit të ashtuquajtur, vlera e parasë (Value for Money), që do të thotë se mjetet në buxhet do të akordohen aty ku japin efekte më të mëdha në arritjen e qëllimeve për standard më të lartë dhe cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve”, shton Besimi.

    Sipas Strategjisë së rishikuar të menaxhimit të borxhit publik, pritet që borxhi në fund të vitit të arrijë në 63.5 për qind të PBB-së. Në periudhën afatmesme, përkatësisht deri në vitin 2026, projeksionet në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik janë që ai do të stabilizohet dhe do të zvogëlohet në 56.5 për qind, ndërsa borxhi shtetëror do të zvogëlohet në 50 për qind. Pra, po vijon më tej përcaktimi për uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe rënien e tij nën kriterin e Mastrihtit prej 60 për qind të PBB-së. Nga ana tjetër, profesori universitar Borçe Trenovski thotë se duhet menduar mirë se ku do të vendoset tavani i borxhit.

    “Me kufizimin e borxhit, vendoset një disiplinë më e madhe fiskale, do të ushtrohet trysni ndaj qeverisë që të sillet në mënyrë më racionale dhe më efikase. Gjithashtu, ligjet apo amendamentet kushtetuese vendosin dispozitat se çfarë do të bëhet në rast të krizave apo fatkeqësive natyrore, ku borxhi edhe mund të rritet mbi kufirin e përcaktuar”, shton ai.

    Për më tepër, ai thekson se duhet shqyrtuar mirë edhe tavanin e borxhit, i cili në se është i vendosur shumë lartë, i jep liri qeverisë në raport me huamarrjen nga njëra anë , ndërsa nga ana tjetër, efektet negative të këtij borxhi, mbi të cilin kufiri do të vendoset më lart se ç’duhet, nuk do të sjellin efekte pozitive për ekonominë tonë.

    “Njëherësh nëse kufirin e vendosim shumë poshtë, atëherë do të kufizojmë potencialin për përkrahje në radhë të parë për ato projekte investuese produktive. Pra, duhet të kemi një nivel optimal të borxhit, zakonisht të gjitha llogaritjet që kemi bërë deri më tani tregojnë se ky nivel është diku rreth 55 deri në maksimum 60 për qind, por nën 60 për qind të PBB-së”, thotë ai.

    Ndryshe nga Ministria e Financave, thonë se me Strategjinë fiskale të periudhës 2023-2027 parashikohet konsolidim fiskal gradual me etapa, me ulje të deficitit buxhetor si pjesëmarrje procentuale në PBB prej 4.2 për qind në vitin 2023, 3.6 për qind në vitin 2024, 3.2 për qind në vitin 2025, 3.0% në vitin 2026 për qind dhe 2.8 për qind në vitin 2027.

    Në periudhë afatmesme, pavarësisht rreziqeve dhe pasigurive aktuale, politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit dhe ristrukturimit të mëtejshëm të shpenzimeve publike me ulje graduale të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, stimulimit të aktivitetit ekonomik përmes shpenzimeve kapitale dhe investimeve në infrastrukturë, si dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

    Me fjalë të tjera, politikat fiskale në një periudhë afatshkurtër do të fokusohen në rikuperimin e ekonomisë dhe mbështetjen e standardit të qytetarëve, ndërkohë që ulja e deficitit buxhetor, në drejtim të stabilizimit të borxhit, do të jetë një politikë që do të zbatohet në një periudhë afatmesme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski tregon pyetjen e referendumit, javën e ardhshme do të fillojnë me mbledhjen e nënshkrimeve

    Lajmi i rradhës

    Kush është Liz Truss?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë