SHTRENJTIMI I QUMËSHTIT, SHKAK SHTRENJTIMI I RRYMËS ELEKTRIKE DHE FUQIA PUNËTORE

    Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është pasojë direkte nga lufta në Ukrainë. Në këtë drejtim, rritja e çmimit të rrymës elektrike në berzat evropiane, ka bërë që edhe në Maqedoninë e Veriut, të rriten në mënyrë enorme çmimet e të gjitha produkteve.

    Sipas Kasam Zendelit, anëtar në Odën Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Rusia dhe Ukraina bashkërisht prodhojnë një të tretën e drithërave botërorë dhe kur tregut botëror i hiqet një e treta, atëherë çrregullohet tregu dhe kërkesa momentale ka qenë në një nivel dhe oferta bie në nivel më të ulët, atëherë shkaktohet një rritje enorme e çmimeve, dhe kemi të bëjmë me çrregullim të tregut.

    Nga ana tjetër, çmimet e qumështit dhe produkteve të qumështit po rriten shumë në shitjet me pakicë, ndërsa prodhuesit e drejtpërdrejtë janë në kufijtë e ekzistencës. Qumështi i lopës blihet 24 dhe 25 denarë për litër nga blegtori dhe shitet nga 70 deri në 95 denarë.

    “Ne, edhe pse njihemi si vend bujqësorë, megjithatë nuk jemi, sepse shumë lëndë të para i importojmë nga jashtë. Këtu në bujqësi, rritja e çmimeve u vërejt më shumë pasi plehrat artificial importoheshin nga Serbia dhe fabrika që prodhon plehra artificial atje – lëndën e parë (urean) e ka marrë nga Ukraina dhe në moment që filloi lufta, ka ndërprerë furnizimet me urea dhe këtu filloi rritja çmimeve të plehrave artificial. Me këtë rast, bujqit në pranverë hasën në rritje enorme të plehrave artificial nga 700 -800 denarë sa ishte më herët, në 2400 denarë tani. Rrjedhimisht edhe produktet e bujqve filluan të rriten, filloi të rritet çmimi i qumëshit si lëndë e parë, por edhe të produkteve tjera, prandaj sot kemi një inflacion të çmimeve në treg”, sqaroi Zendeli.

    Më tej, ai nënvizon se prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit filluan të rrisin çmimet e produkteve më shumë se sa lënda e parë që prodhojnë bujqit. Zendeli thotë se aty ku përpunohen produktet, harxhohet rrymë elektrike, aty bëjnë pjesë ambalazhi, fuqia punëtore, prandaj janë shumë faktorë që ndikuan në rritjen enorme të çmimeve të papërballueshme për qytetarët.

    “Përpunuesit e qumështit nga bujqit e blejnë lëndën e parë dhe ajo lëndë e parë përpunohet derisa të del forma finale dhe ky proces ka shumë kosto, si ambalazhimi, paketimi, energjia elektrike, forca punëtore, marzhi i fitimit, transporti, mirëmbajtja… deri aty ku konsumatori ta ketë në raftet e shitoreve prodhimin final. Pra, produkti që kur blihet si lëndë e parë nga bujqit e deri tek shitja, ka kosto shumë të lartë. Mos të harrojmë se energjia elektrike për qytetarët është e subvencionuar, kurse për tregtarët është rritur dukshëm dhe firma për një kilovat rrymë paguan 40 denarë. Një shembull konkret – qytetari më shumë llogari ka të blejë miellin dhe vet ta pjek bukën, sepse paguan 7 denarë kilovatin e rrymës, kurse tregtari 40 denarë! Prandaj është rritur çmimi i bukës dhe të gjitha prodhimeve tjera”, pohon Zendeli.

    Sipas të dhënave zyrtare, numri i lopëve është ulur me rreth 30 mijë në pesë vitet e fundit dhe 70 për qind e qumështit të lopës prodhohet në ferma të vogla familjare. Krahas kësaj, një pjesë e qumështit importohet. Momentalisht, qumështi është më shtrenjtë në Maqedoninë e Veriut se në shumë vende të rajonit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kur ne prindërit mbesim jetimë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë