SHTRENJTIMI I RRYMËS | Faturat e larta të rrymës “godasin” xhepin e qytetarëve

    Shtrenjtimi i rrymës duhej të ndodhte nga 1 janari, por edhe faturat e dhjetorit erdhën me çmime kontradiktore. Qytetarët e panumërt ia kanë mësyrë pikave pagesore të EVN-së për t’i kontestuar faturat me kosto të larta. Disa thonë se u ka ardhur dyfishi i çmimit të energjisë elektrike në krahasim me faturën e nëntorit.

    “Më kanë vënë në bllok-tarifën e katër kinse kam harxhuar shumë rrymë, por ne jetojmë dy veta, unë dhe djali dhe për këtë muaj me erdhi fatura 18,390 denarë këtë nuk e kam të qartë. Bojlerin e ndezi pas orës 22:00, gjithë ditën nuk jemi në shtëpi. Për nëntorin fatura më erdhi rreth 8 mijë denarë. Si mund ta paguaj kur marr 15 mijë denarë pagë, më mirë të rrijë në terr pa rrymë, le të më shkyçin lirshëm.”

    “Vetëm në muajin e 12-të fatura na erdhi 24 mijë denarë, i bie 400 euro. Sa anëtarë të familjes jeni? Jemi vetëm katër anëtarë. A për nëntorin sa paguat? Sa herë po na vjen shumë, 8 mijë denarë pata paguar, bile edhe verës kur e kisha solarin për ujë të ngrohtë, kam paguar nga 5 mijë denarë në muaj.”

    Nga 1 korriku është hequr tarifa e lirë ditore ndërmjet 14:00-16:00, ndërsa nga 1 janari rritje të lehtë ka edhe çmimi për tarifën e lirë të natës 22:00-06:00, për 1kw dikur kushtonte 3.99 tani do të kushtojë 4.00 denarë. Në përpjekje për të kursyer qytetarët thonë se lajnë, gatuajnë dhe ngrohen vetëm natën, por faturat rriten.

    “Me EVN-në duhet të shkohet nëpër gjykata, e kush fiton deri më tani vetëm një padi ka kaluar ndaj tyre, mbahen ata nën kontrolle. Me këto fatura, ka organe përkatëse që duhet të hetojnë nëse janë të vërteta. Nëse nga 1 janari është shtrenjtuar rryma, përse konsumatorët që kanë kontestuar faturat deri më 31 dhjetor nuk u pranohen!? Qëllimisht lihen më pak që në faturën e radhës ta fryjnë me çmimoren e re.”

    “Pak më vështirë, çdo muaj ka rritje të diçkaje ndonëse prisnim ulje çmimesh. Paratë janë ato që marrim kurse vlera e tyre është ulur shumë në raport me atë që duhet të sigurojmë për ekzistencë.”

    Nga EVN Home thonë se humbjet teknike dhe komerciale në nivel të shtetit për 2022-ën janë rreth 14%. Sipas tyre, vjedhjet përfshihen në këto shifra, edhe pse nuk iu faturohen qytetarëve të tjerë, por shifrat paraqiten në Komisionin Rregullator të Energjetikës, ndërsa më tej të njëjtat merren parasysh nga ana e KRRE-së në momentin e formimit të çmimit të ri të energjisë elektrike.

    “Në krahasim me muajt e mëparshëm, çdo vit gjatë periudhës dimërore vërehet rritje e lehtë e numrit të ankesave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike nga ana e qytetarëve për shkak të temperaturave të ulëta. Ankesat trajtohen individualisht nga ana e shërbimeve të EVN, ndërsa çdo konsumator pranon përgjigje të përshtatshme”, njoftojnë nga EVN HOME.

    Me vendim të KRRE nga 1 janari energjia elektrike faturohet pak më e lirë për amvisëritë dhe kompanitë e vogla. Për familjet që kursejnë, çmimi i rrymës për bllokun I dhe II ulet simbolikisht, rritje çmimesh ka për bllokun e III dhe IV. Këtyre faturave do të ulet kostoja e shpërndarjes së rrymës nga 3,3 në 2,68 den. për kw/h, por të njëjtës iu shtua TVSH nga 5% në 10%, para për të cilat shteti krekoset se subvencionon rrymën për amvisëritë dhe kompanitë e vogla. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “LISTA E ZEZË” | Aggeler: Emrat, pasi të mbarojnë hetimet

    Lajmi i rradhës

    Zendeli: Veprimet e ASh-së në Kuvend, dëshmojnë mbështetjen e shumicës parlamentare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë