Me sugjerimin e eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Weitz, Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) e shtyu votimin për miratimin e projekt-raportit për vendin deri më 24 qershor. Weitz theksoi se kishte qenë dëshmitar i debateve të forta politike rreth raportit, por se ai absolutisht qëndron pas dokumentit, në negociatat dhe kompromiset e të cilit, siç tha ai, ishin të përfshira të gjitha grupet parlamentare në PE.
“Ky është një raport i Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian. Ky raport nuk ka qëllim dhe nuk synon të zgjidhë çështjet dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ne e dimë se bëhet fjalë edhe për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe, le të themi, për sundimin e ligjit, trajtimin e komuniteteve minoritare e kështu me radhë. Prandaj, do të doja të kërkoja një shtyrje të votimit për këtë raport deri më 24 qershor”, tha Weitz në seancën e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Ai shtoi se qëllimi i kërkesës është t’u japë eurodeputetëve, veçanërisht atyre nga grupet parlamentare të krahut të djathtë Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR) dhe Evropa e Kombeve Sovrane (ESN), mundësinë për të përditësuar regjistrat e tyre të lobimit. Ai iu drejtua eurodeputetit bullgar Ivaylo Valchev nga partia “Ka një Popull të Tillë”, e cila është anëtare e ECR, duke theksuar se ai vetë kishte njoftuar tre takime lobimi.
“E di që ndonjëherë jemi pak të mbingarkuar me punë në zyrat tona dhe dua t’ju jap mundësinë të përditësoni regjistrat tuaj të lobimit dhe të ktheheni në këtë votim më 24 qershor”, shtoi Weitz.
Drafti i raportit të progresit për vendin për vitin 2023 dhe 2024, i përgatitur nga eurodeputeti Weitz, duhej të ishte në seancën e sotme të AFET. Dokumenti thekson nevojën për të ruajtur vrullin dhe vëren se vendi vazhdon të demonstrojë angazhim për integrimin evropian dhe përafrimin me politikat e BE-së. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.
Përveç kësaj, draft-dokumenti përmban disa referenca për njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, tha raportuesi për Maqedoninë e Jugut, Thomas Weitz, në një intervistë për “360 Gradë”.