Shumë pikëpyetje për Korridorin 8!

    Ministria e Punëve të Brendshme trajton disa raste që lidhen me krimin dhe korrupsionin. Në momentin kur janë në fazë të avancuar do ta informojmë opinionin përkatës, thanë sot nga MPB-ja në lidhje me deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se ka pasur tentativë për ryshfet për Korridorin 8, në mënyrë që si kryeministër të pranonte dokumentacionin e tenderit për hekurudhën drejt Bullgarisë. Nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion bëjnë të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar ankesë për ryshfet, ndërsa nga Prokuroria Publike thonë se nuk kanë informacion se ku është depozituar

    Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se dikush i ka ofruar ryshfet për të nënshkruar tenderin për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, në shumën e 560 milionë eurove. Për këtë, ai thotë se ka njoftuar përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Investim, prej të cilëve siç thotë ai ka pasur mirëkuptim pas shpalosjes së argumenteve. Mickoski në deklarimin e tij nuk përmendi asnjë emër.

    “Për korridorin 8, seksioni 3 për hekurudhën, ndaj meje ka pasur tentativë të më ofrohet ryshfet, me çka unë si kryeministër të nënshkruaja pranimin e këtij dokumenti tenderi, i cili skadon më 17 shtator. Dhe, për këtë kam thënë se, për aq kohë sa unë jam kryeministër, këtë tender që është në vazhdimësi, dhe që mbyllet më 17 shtator, nuk do ta pranoj“, tha Mickoski.

    Mickoski sot për ryshfetin për Korridorin 8 shtoi se do të luftojë publikisht kundër korrupsionit dhe krimit në vend.

    Ai tha se së shpejti do të iniciojë hapjen e linjës telefonike, ku qytetarët do të mund të denoncojnë veprime kriminale dhe korruptive.

    “Unë shoh që janë mërzitur qendrat individuale të ndikimit dhe janë të mërzitur sepse është një tender i vjetër, një prokurim publik që është drejtuar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së. Kam vendosur të luftoj publikisht krimin dhe korrupsionin dhe ky është një mesazh se koha e kriminelëve në politikë ka kaluar. Është koha për politikanë të ndershëm që e duan popullin e tyre. Dhe kështu do të vazhdojmë. Në vendin tonë korrupsioni është me përmasa pandemike. Sa të jem unë kryeministër nuk do të ketë vend për kriminelët në politikë”, tha Mickoski.

    Mickoski shtoi se me këtë po i dërgon një mesazh secilit person që emëroj dhe që funksionon nga VMRO-ja: Ruajeni fytyrën tuaj dhe kështu do të shpëtoni timen dhe partisë.

    Politologu Meriton Tusha, për gazetën KOHA, ka deklaruar se brenda diskursit të Korridorit 8, për ironi po mungon shtojca pan-evropiane, gjë që i jep karakter ndërkombëtar dhe shënjon lidhje dhe krijim të një aksi evropian ku mundëson lirinë e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve mes një shteti të BE-së dhe me shtetet kandidate për anëtarësim në BE.

    “Hyrja e VMRO-së, ZNAM-it, dhe VLEN-it si partnerë koalicioni në qeveri, për ironi mori tri narrative të ndryshme. Për VLEN-in, korridori mbetet prioritet i lartë. Kjo për ta është rrugë lidhëse që siguron dalje në detin e zi dhe në detin Adriatik. Kurse në sytë e liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievskit, korridori ‘lidh vetëm një linjë Shkup-Prishtinë-Tiranë, a është përvijim i hartës së Iliridës…’. Në këtë tip të diskursit ekziston një çarje nga pan-evropianizim dhe lidhja e RMV-së me dy shtetet fqinje, në fobinë që gjoja një hartë e re do të krijohet. Kjo lë të nënkuptohet që ende është prezent ndikimi i vjetër jo-fqinjësor ku ekziston përpjekja e mbajtjes së ‘murit’ mes dy shteteve fqinje, që të jenë sa më pak të qasshme nga ana infrastrukturore”, tha Tusha.

    Derisa shtoi se për Mickoskin, korridori është vetëm një, ‘projekt që përfundon në gjysmë tunel në rrugë pa krye’, e që nuk mund të harxhojë gjysmë miliardi euro. Si shtojcë e kësaj, ai deklaroi që ka pasur tentime për ryshfet, që menjëherë prokuroria e ka demantuar duke thënë që nuk ka dhënë aso deklarate te ta.

    “I gjithë ky teatër dezinformatash dhe gënjeshtrash nuk është gjë tjetër veçse tentim për ta mbuluar realitetin e korridorit që është jetik për RMV-në si shtet kandidat i BE-së sepse i mundëson dalje në dy detet me rëndësi strategjike, dhe ekonomike. Mohimi është simptomë që shfaq një problem më të thellë. Në nivelin etnik, përpjekjen për t’i izoluar shqiptarët nga shteti fqinj, dhe në nivelin shtetëror hezitimin për tu kyçur në infrastrukturën evropiane”, tha në fund Tusha.

    Nga ana tjetër, në përurimin e fillimit të punimeve, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pati deklaruar se të bësh më të mirë jetën e njerëzve, lëvizjen e tyre, të përparosh dhe ndikosh drejtpërsëdrejti në zhvillim e ekonomi.

    Ndryshe, një muaj më parë, Sofja Zyrtare shprehu shqetësim dhe theksoi se po ndjek deklaratat e politikanëve zyrtarë maqedonas që synojnë shkeljen e detyrimeve ndërkombëtare për lidhjen e infrastrukturës, gjegjësisht njoftimet se Shkupi do të kërkojë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ridestinimin e parave evropiane për ndërtimin e komponentit hekurudhor të Korridorit 8 për hekurudhat e shpejtësisë së lartë në Korridorin 10. Në opinion prej kohësh është ngritur alarmi për shpërdorime të shumta sa i përket korridorit 8 dhe atij 10, por deri tani, autoritetet ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë konkrete të rishikimit të tyre për shkelje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kontesti RMV – Bullgari / Komision historik në një mision shumë të vështirë

    Lajmi i rradhës

    “Infuzion financiar” për pensionistët në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë