Më shumë se 300 mijë pensionistë do të marrin pensione më të larta këtë vjeshtë, pasi sipas njoftimeve të qeverisë në shtator atyre do tu transferohen edhe 2500 denarë shtesë. Ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor kaluan në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, kështu që harmonizimi i pensioneve do të jetë linear, nuk do të jetë në mënyrë procentuale si deri më tani, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai pret së shpejti të fillojë të funksionojë Parlamenti, të kalojë ky Ligj dhe, siç tha, pensioni i shtatorit të jetë në llogarinë e pensionsitëve, i rritur për 2500 denarë. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, kryeministri sqaroi se së pari nga shtatori i këtij viti do të ketë rritje prej 2500 denarë e më pas nga marsi 2025 edhe 2500 denarë.
“Ne premtuam se në vitin e parë pensionet në mënyrë lineare do të rriten për 5.000 denarë. Këtë do ta bëjmë shumë më shpejtë, përkatësisht në nëntë muajt e parë. Do të shohim më tutje çfarë do të jenë situatat me buxhetin”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se më tutje mund të ketë befasi të këndshme për pensionistët, për punëtorët etj. Por, LSDM-ja opozitare mendojnë se Mickoski dhe VMRO-DPMNE po manipulojnë me rritjen lineare të pensioneve. “VMRO-DPMNE paralajmëroi rritje të pensioneve për 5000 denarë, tani thonë se nuk do të jetë 5000 denarë, por 2500 denarë në shtator dhe mars, kur sigurisht pensionet janë rritur për shkak të rregullimit. Pra, pensionistët sigurisht që do të kishin rritje për shkak të rregullimit në shtator dhe mars. VMRO-DPMNE-ja i shton edhe 1000 denarë shumës që sigurisht do ta merrnin pensionistët në shtator dhe mars të vitit të ardhshëm, asgjë më shumë”, thonë nga partia opozitare.
Ndërkohë që në opinion vazhdojnë polemikat për korrektësinë e rritjen lineare të pensioneve, kryetarja e LSM-së, Stanka Trajkova, në një deklaratë për media, theksoi nevojën për të pasur parasysh qëndrueshmërinë financiare të Fondit Pensional për shkak të pagesës së rregullt të pensioneve.
“Gjëja më e rëndësishme për një sistem pensionesh është të financohet pa kërkuar fonde nga jashtë. Sa i përket rregullimit të paralajmëruar linear, duhet të rregullohet me ndryshime në ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor për të përcaktuar natyrën e rregullimit dhe periudhën e rregullimit të pensioneve”, theksoi ajo.
Raporti i revizionit tregoi se Fondi Sigurimit Pensional dhe Invalidor nuk mund t’u shpëtojë problemeve në të cilat është mbërthyer deri në fyt. Edhe pse të hyrat nga inkasimi i kontributeve për FSPI-në në vitin 2022 janë rritur për 11.63% krahasuar me vitin paraprak, shpenzimet janë ende shumë më të larta. Shpenzimet për përfitime sociale në vitin 2022 arrijnë në 87 miliardë denarë, për gjithsej 335.743 pensionistë. Për shkak të deficitit të fondeve për pagesën e pensioneve, në vitin 2022, nga buxheti i shtetit janë transferuar afro 530 milionë euro.
Ndërkaq, të dhënat e Fondit Pensional tregojnë se në qershor të këtij viti janë regjistruar 341.146 pensionistë, prej tyre 74.336 janë përfitues të pensionit familjar, 26.231 pension invaliditeti dhe 239.783 pension pleqërie. Me rregullimin e fundit më 1 mars të këtij viti, pensionet u rritën për 5.3%, ndërsa me rebalancin e buxhetit të miratuar në korrik në Parlament, parashihen mjete për rritje lineare të pensioneve për 2500 denarë në shtator si dhe një rritje e tillë lineare është paralajmëruar në mars të vitit të ardhshëm. /Koha/