Shumë probleme me grumbullimin e mbeturinave në Tetovë

    Kohëve të fundit në Tetovë sërish është shfaqur problemi me grumbullimin në kohë të mbeturinave. Janë hasur kontejner të stërmbushur në shumë pjesë të qytetit të Tetovës. Kjo situatë shfaqet pikërisht në periudhën kur rriten temperaturat dhe kontejnerët kundërmojnë erë të rëndë. Nga njësia Higjiena, e cila merret me grumbullimin e mbeturinave, thonë se problemi me mbeturinat në qytetin e Tetovës gjatë ditëve të fundit ka ardhur si rezultat i disa faktorëve. Kapaciteti i menaxhimit të mbeturinave si çdo vit, edhe këtë vit është rritur gjatë sezonit të verës për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe kjo e rrit edhe sasinë e mbeturinave që duhet të trajtohen, pohojnë nga Njësia Higjiena në Tetovë.

    Një shkak tjetër për mos marrjen e mbeturinave në kohë janë edhe reshjet e fundit të shiut, ku pamundësohej arritja e kamionëve deri në deponinë Rusino. “Problemi është përkeqësuar edhe për shkak të problemeve në deponinë Rusino ku ka pasur disa herë ndërprerje në transportimin e mbeturinave për shkak të reshjeve të shiut të vazhdueshme. Kjo ka penguar kamionët e mbeturinave të kryejnë misionin e tyre, duke krijuar akumulimin e mbeturinave në qytet. Një tjetër sfidë është numri i kufizuar i kamionëve që bartin kontejnerë me kapacitet 5 dhe 7 ton dhe që mund të transportojnë mbeturinat në një kohë të caktuar. Kapaciteti i tyre i kufizuar ka penguar funksionimin efikas të transportit të mbeturinave”, thotë Samet Bislimi, udhëheqës i njësisë Higjiena në Tetovë.

    Nga kjo njësia kanë thënë se punohet vazhdimisht për të përmirësuar gjendjen me mbeturinat në qytetin e Tetovës. Sipas tyre, gjatë ditëve të kaluara është punuar që brenda 24 orëve të merren nga dy herë mbeturinat. “Për të adresuar këto probleme, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm. Është punuar me kapacitet të shtuar në trajtimin e mbeturinave, duke siguruar që të gjitha kontejnerët e mbeturinave të zbrazen dy herë brenda 24 orëve. Këto masa emergjente po ndihmojnë në zvogëlimin e akumulimit të mbeturinave në qytet dhe situata pritet të përmirësohet brenda disa ditëve. Në përfundim, është e rëndësishme të theksojmë se situata me mbeturinat është një problem dhe autoritetet tona janë të angazhuara për të gjetur zgjidhje afatgjata për menaxhimin e tyre në të ardhmen”, tha Samet Bislimi.

    Problemi me mbeturinat u diskutua edhe në seancën e fundit të këshillit të komunës së Tetovës. Autoritetet e komunës së Tetovës theksuan se është duke i biseduar që në të ardhmen të shqyrtohet mundësia për hapjen e një rruge drejtpërdrejt nga autostrada Gostivar-Kërçovë deri në deponinë Rusino, sepse rruga aktuale është shumë problematike gjatë periudhës kur ka reshje atmosferike,ku kamionët që transportojnë mbeturina nuk mund të arrin deri në Rusino. Probleme të njëjta shfaqen edhe gjatë periudhës së dimrit, prandaj është shtruar nevoja për një rrugë të re deri në Rusino. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kafeja “helm” rreth liqenit të Ohrit!  

    Lajmi i rradhës

    Cilësia e plazheve, raporti europian tregon zonat e pastra në Shqipëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë