Edhe pse në Dibër një pjesë e theksuar e popullatës ballafaqohet me probleme ekstreme sociale, gjatë vitit që kaloi – shumë pak janë shfrytëzuar mjetet nga Programi komunal në sferën e mbrojtjes sociale. Kërkesat kanë qenë të pakta dhe vlerësohet se popullata që i takon kategorisë që mund të shfrytëzojnë mjetet në fjalë, nuk ka qenë e informuar sa duhet për këtë mundësi që jep pushteti vendor i Dibrës.
Në seancën e parë të Këshillit të Komunës Dibër të këtij viti u prezantua Raporti për realizimin e planin ku u theksua se nga gjithsej 400.000 denarë të planifikuara, janë realizuar vetëm 156.000 denarë. Duke prezantuar Raportin për vitin 2024, për realizimin e Programit në sferën e mbrojtjes sociale në Komunën e Dibrës, koordinatori Maliq Disha tha se kanë munguar kërkesat, prandaj edhe ka një realizim shumë të ulët të planit.
Sipas tij, për kategorinë e nxënësve nga familjet me problem sociale ishin të planifikuar 120.000 denarë dhe janë realizuar vetëm 13.000 denarë. Për organizimin e aktiviteteve për fëmijët me nevoja të veçanta kanë qenë të planifikuar 62.000 denarë, ndërsa janë realizuar – (0) zero denarë, ndihmë për fëmijët të posalinduar kanë qenë të planifikuar 400.000 denarë dhe nuk është realizuar asnjë denarë, meqë siç tha Disha, nuk ka patur lindje në Dibër, por se lindjet kanë qenë në qytete të tjera të vendit, dhe sipas Rregullores, mjete jepen vetëm për lindjet në Dibër.
Në debat mes tjerësh u theksua se realizimi i ulët i mjeteve ka të bëjë me mungesën e informatave që ka për këtë program popullata. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, potencoi se për një realizim më të mire të programit nevojitet të ketë një informim më të madh të popullatës e sidomos kategorive, për të cilët janë dedikuar mjetet nga Programi në sferën e mbrojtjes sociale.
Duka ka shtuar se gjatë muajve të parë të këtij viti pikërisht duhet ti jepet një hapësirë më e madhe Programit, me qëllim që të ketë më shumë kërkesa. Duhet të theksojmë se këto ndihma në para jepen vetëm njëherë në vit dhe kanë për qëllim të ndihmojnë disa kategori të popullatës dibrane, kryesisht për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe nxënësit dhe studentët nga familjet me problem ekstreme sociale.
Po ashtu kërkohet një angazhim edhe i anëtarëve të Këshillit komunal për të informuar popullatën për këtë ndihmë në përputhje me Programin për mbrojtje sociale. Anëtari i Këshillit të Komunës, Shkëlqim Xhafa tha se nuk ka mundësi që në këtë Dibër të varfër, të mos ketë kërkesa për mjete nga sfera e mbrojtjes sociale. Ai shtoi se patjetër duhet të ndërmerren aktivitete për më shumë transparencë dhe më shumë informim në media për të shfrytëzuar këtë të drejtë ata që kanë nevojë.
Kur jemi te situata sociale në Komunë e Dibrës, të theksojmë se sipas të dhënave të Qendrës për Punë Sociale në Dibër, në komunë numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale është mbi 780 familje me mbi 3600 anëtarë, të dhëna që tregojnë qartë se një pjesë e popullatës është ose e ka kaluar pragun e varfërisë. /Koha/