Si do të quhet qeveria e re në Gjermani – nga “koalicioni shqiptar” te “koalicioni buburrec”

    Partitë CDU/CSU dhe SPD sot kanë arritur marrëveshje për një koalicion që do të formojë qeverinë në Gjermani për katër vitet e ardhshme, dhe menjëherë në mediat gjermane, si edhe në rrjetet sociale, ka nisur diskutimi: Si do të quhet koalicioni i ri?

    Emërtimi i koalicionit që do të qeverisë shtetin gjerman është tashmë një traditë e gjatë politike, shkruan faz.

    Kështu, për shembull, koalicioni i mëparshëm, i përbërë nga të Gjelbrit, FDP dhe SPD, u quajt “koalicioni semafor” sipas ngjyrave të partive.

    Para se të mbaheshin zgjedhjet, kur flitej për koalicione të mundshme, vëmendja ishte gjithashtu te emërtimet e tyre.

    Një bashkëpunim i mundshëm mes CDU-së dhe të Gjelbërve ishte quajtur “koalicioni kivi”.

    Në këtë kontekst, politikanët gjermanë kanë filluar tashmë të propozojnë emra për koalicionin mes CDU/CSU-së dhe SPD-së, i cili në të kaluarën njihej si “Große Koalition” (Koalicioni i Madh).

    Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ka propozuar emrin “GroKo”, që është një shkurtim nga emri i mëparshëm, por problemi është se këto dy parti nuk kanë më një shumicë të tillë në Bundestag për ta quajtur sërish kështu, siç ishte në kohën e ish-kancelares Angela Merkel.

    Për këtë arsye, propozimi zyrtar nga liderët e dy partive ka qenë “koalicioni kuq-e-zi për punë”, megjithëse ata theksuan se “nuk ka rëndësi emri, por puna”.

    Megjithatë, kundërshtarët e tyre politikë kanë qenë shumë më kreativë – sidomos politikanët e të Gjelbërve.

    Kështu, ata kanë propozuar që të quhet “Kolalicioni” (nga fjala Cola, për shkak të ngjyrave të errëta si pijet e gazuara), apo “Koalicioni Shqiptar”, bazuar në ngjyrat e partive dhe ngjyrat e flamurit të Shqipërisë.

    Të Gjelbrit kanë propozuar gjithashtu “koalicioni djallëzor”, si dhe “Blackrot”, që është një kombinim i fjalëve black dhe rot (e kuqe në gjermanisht), duke aluduar edhe për kompaninë Blackrock ku Merz ka punuar më parë.

    Sa i përket rrjeteve sociale, favoriti absolut për emërtimin e ri, sipas gazetës FAZ, është “koalicioni Buburrec”. 

    Lajmi Paraprak

    Skandal në burgun e Shtipit, policët ndihmuan të burgosurit të gjejnë drogën

    Lajmi i rradhës

    Sindikatat këmbëngulin në rritje të pagës minimale por dhe të gjitha pagave të tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë