Si e komentojnë rusët mundësinë e ndalimit të vizave brenda BE-së?

    Vadim Kobzev ka menduar se do të ishte e lehtë të fitonte vizë humanitare për të hyrë në Gjermani.

    Përveç tjerash, vendimi i tij për ikur nga Rusia në Gjeorgji, në muajin prill, disa javë pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, është përcjellë me disa vite të marrjeve në pyetje, kërcënimeve dhe bastisjeve policore që e kanë shënjestruar punën e tij si koordinator rajonal në qytetin jugor, Rostov-on-Don, për Aleksei Navalynin, aktivist kundër-korrupsionit, i cili tani gjendet në një prej burgjeve më famëkeqe të Rusisë.

    Prandaj, Kobzev, 25-vjeçar, është befasuar kur Ambasada gjermane në Tbilisi, ia ka refuzuar aplikimin për vizë, duke i thënë se Gjeorgjia është “shtet i sigurt” për rusët.

    Ai ka thënë se është i shokuar nga vendimi.

    Ai, po ashtu, është i zemëruar nga rritja e zërave në mesin e ligjvënësve evropianë që janë duke kërkuar vënien e ndalesës për viza për turistët rusë, si mënyrë për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj në Ukrainë.

    “Unë mbështes çdo masë adekuate që do të ndihmojë në dhënien fund të luftës. Por, si ndihmon burgosja e mijëra aktivistëve rusë?”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    “Në këtë moment, kjo është një prej mënyrave të pakta për anëtarët e opozitës ruse – të cilët po përndiqen nga Rusia – për t’i ikur torturës dhe burgut”, ka thënë ai.

    “Pavarësisht këtij fakti, liderët evropianë pretendojnë se procedurat humanitare për lëshim të vizave janë duke funksionuar si duhet. Duke marrë shembullin tim, mund ta kuptoni se ky program nuk po funksionon”.

    Rasti i Kobzevit është simptomë e një diskutimi të gjatë nëpër kryeqytetet evropiane rreth asaj se a duhet që Bashkimi Evropian të vendosë ndalesë ndaj turistëve rusë – apo të gjithë shtetasve rusë – si mënyrë për t’i bërë presion Kremlinit dhe për të ndëshkuar shtetin për luftën në Ukrainë.

    “Nuk është e drejtë”

    Edhe vetë autoritetet ukrainase i kanë bërë thirrje bllokut evropian që të mos japë viza për rusët.

    “Ata duhet t’ua marrin të drejtën e kalimit të kufijve ndërkombëtarë derisa të mësohen t’i respektojnë ata”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, më 10 gusht.

    Në mesin e vendeve të BE-së, shtetet baltike dhe Finlanda janë marrë më seriozisht me këto thirrje.

    Kjo edhe për shkakun se këto vende janë destinacionet e para për turistët rusë që udhëtojnë në Evropë, sidomos pas vendimit të kompanive të mëdha ajrore për të pamundësuar fluturimet drejt Rusisë.

    Krerët e Estonisë kanë bërë thirrje më 9 gusht që t’i ndalojnë vizat turistike për rusët.

    Letonia ka pezulluar lëshimin e vizave për rusët, ndërsa zyrtarët finlandezë kanë njoftuar këtë javë se shteti i tyre do të zvogëlojë për 90 për qind numrin e vizave që lëshon.

    “Nuk është e drejtë që në kohën kur Rusia është duke zhvilluar luftë brutale në Evropë, rusët të jetojnë jetë normale, të udhëtojnë në Evropë, të jenë turistë. Nuk është e drejtë”, ka thënë kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, për transmetuesin public Yle News.

    Edhe zyrtarët në Danimarkë kanë thënë se janë të gatshëm t’i bashkohen iniciativës.

    “Më duket e turpshme që turistët rusë mund të shijojnë plazhin dhe të bëjnë jetë luksoze në jug të Evropës, derisa qytetet ukrainase bombardohen përtej asaj që pritej”, ka thënë ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, për agjencinë daneze të lajmeve, Ritzau.

    Propozimi nuk është pritur ngrohtë nga vendet më të mëdha të BE-së, sidomos nga Gjermania, e cila është kritikuar pse nuk ka marrë masa më të ashpra kundër Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së janë duke planifikuar që të diskutojnë për këtë ide në Pragë më vonë, gjatë këtij muaji.

    Për shumë zyrtarë nga të dyja anët, debati lidhet rreth pyetjes nëse të gjithë rusët kanë përgjegjësi për veprimet e Putinit, Qeverisë dhe ushtrisë.

    “Kjo është lufta e Putinit, dhe kjo ide më duket shumë e rëndë për ta pranuar”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, kur është pyetur rreth idesë për ndëshkim të rusëve me viza.

    Kjo çështje është komplikuar edhe më shumë nga sistemi i Shengenit, i cili u mundëson rusëve të vizitojnë gati të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, nëse marrin vizë në njërën prej tyre.

    Kërcënime të ftohta

    Në Moskë, zyrtarët janë përgjigjur me zemërim ndaj thirrjeve për ndalesë në viza.

    “Në mungesë të miqësisë, shumë prej këtyre shteteve rrëshqasin në nënvetëdijen e tyre. Për pasojë arrijnë në deklarata të tilla që i kemi dëgjuar 80 vjet më parë në qendër të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për gazetarët rusë më 9 gusht.

    Në një postim në Telegram më 18 gusht, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cili tani është shumë i angazhuar si komentator publik, ka bërë kërcënime për furnizimet ruse me gaz natyror, të cilat janë duke u zvogëluar në Evropë.

    “Mos heshtni. Kërkoni përgjegjësi nga budallenjtë. Ne do t’ju dëgjojmë”, ka shkruar Medvedev duke iu referuar evropianëve.

    “Përfitimet janë të qarta: dimri në kompanitë ruse është më i ngrohtë dhe më i rehatshëm sesa në vendet e izoluara nga gazi, ku radiatorët janë të ftohtë”.

    Diskutimet janë zhvilluar edhe në rrjetet sociale: Facebook, VKontakte dhe Telegram.

    Andrei Kolesnikov, komentator politik dhe analist në Institutin për Paqe, Carnegie, ka thënë se është budallallëk të mendohet se ndalesa në udhëtim për rusët e zakonshëm do ta ndëshkonte Qeverinë e Putinit.

    “Ideja se rusët mund të bëhen bashkë kundër Putinit ‘përmes ndëshkimit’ është e pabazë”, ka thënë ai në një koment të publikuar më 12 gusht.

    “Një masë e tillë inkurajon ata që nuk janë pro-Perëndimit dhe as pro-liberalë që të mbështesin edhe më shumë Putinin, derisa ata që kanë orientim më demokratik do të ndihen më të shqetësuar: në njërën anë ndëshkohen nga Putini, dhe në anën tjetër braktisen nga Perëndim”, ka shkruar ai.

    Një organizatë e quajtur Komiteti Kundër luftës në Rusi, anëtarët e së cilës përfshijnë disa prej disidentëve më të njohur politikë të Rusisë, ka kritikuar po ashtu idenë, “duke thënë se ndalesa për viza ndaj të gjithë shtetasve rusë, përfshirë ata që janë kundër luftës, ofron shembull të keq për historinë evropiane dhe e gjithë situata shkon në të mirë të Kremlinit”.

    Sergei Medvedev, politolog, dhe ish-profesor në Universitetin e Moskës për Ekonomi, dhe kontribuues i rregullt në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë, ka thënë se Kremlini tashmë e ka ndarë Rusinë nga Evropa, andaj diskutimet për ndalesë në viza janë të pavenda.

    “Ne po flasim për fundin e epokës kur rusët janë ndier si në shtëpi në Evropë”, ka thënë ai në Facebook.

    Për disa rusë, anketat për propozimet e BE-së janë të gabuara.

    Zemërimi rus duhet të ketë në qendër Kremlinin, ka thënë, Alfred Kokh, i cili ka shërbyer si zëvendëskryeministër i Rusisë në fund të viteve 1990.

    “Thjesht, Evropa nuk ka zgjidhje tjetër”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

    “Nëse dëshironi të shihni Italinë apo muzetë në Paris, atëherë duhet të luteni që ushtria ukrainase t’i mposhtë luftëtarët e Putinit sa më shpejt që është e mundur, dhe që paqja të mbizotërojë në tokën ukrainase dhe të çlirohen në të gjitha territoret e pushtuara”, ka thënë Kokh, i cili jeton në Evropën Perëndimore.

    Kobzev, analist politik, ka thënë se ende shpreson për ndryshim të vendimit nga zyrtarët e Ambasadës gjermane, mirëpo po ashtu mirëpret debatin më të gjerë për rregullat rreth imigrimit të rusëve.

    Ai ka cituar një paralele historike të rusëve që kanë ikur nga shteti i tyre në fillim të shekullit XX, pas Revolucionit Bolshevik dhe luftës civile, duke përmendur laureatin e Çmimit Nobel, Ivan Bunin, apo kompozitorin e muzikës klasike, Sergei Rachmaninov.

    “Këta njerëz e kanë vazhduar realitetin në Evropë, kanë bërë zbulime shkencore dhe kulturore”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Shumë rusë kanë ikur edhe kohën e fundit dhe po e vazhdojnë aktivitetin politik nga jashtë, ka thënë ai.

    “Ata vazhdojnë të angazhohen në aktivitete politike. Ata marrin pjesë në aksione kundër luftës, mbledhin ndihma humanitare për refugjatët ukrainas dhe vullnetarët”, ka thënë ai.

    “Ata nuk përbëjnë kërcënim për shtetet e BE-së. Shumica prej tyre kanë edukim të lartë dhe kanë specializuar në shumë fusha, dinë gjuhë të huaja dhe kanë kulturë evropiane. Ata mund të integrohen lehtë dhe të jenë të dobishëm”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shkarkimi i Fehmi Stafës, për punë joprofesionale

    Lajmi i rradhës

    Eurostat: 72 për qind e qytetarëve në RMV lexojnë lajme online

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë