Në një botë të digjitalizuar, ku përdorimi i rrjeteve sociale është në masë të madhe, pothuajse të gjitha të dhënat tona janë të vendosura në internet. Megjithëse interneti na sjellë përfitime të mëdha, nga ana tjetër na sjell edhe rreziqet që në të kaluarën nuk i kemi hasur, siç është ekspozimi i të dhënave tona personale.
Kohët e fundit janë rritur dukshëm sulmet kibernetike, dhe gjithnjë e më shumë rritet rreziku për ekspozimin e të dhënave tona personale, gjë që mund të shkaktojë dëme të mëdha në jetën tonë të përditshme. Andaj mbrojtja apo siguria digjitale është shumë e rëndësishme.
I ftuar në Alsat, eksperti i inovacionit digjital, Suad Saliu theksoi se mbrojtja e të dhënave tona personale nuk është vetëm një çështje teknike, por është diçka që duhet ta marrim seriozisht. Ai tha se çdokush duhet të mundohet të ruajë të dhënat e tyre, duke marrë masat e duhura, siç është edhe kujdesi me fjalëkalimet.
“Ndodhin malware edhe në organizata të mëdha që ne mendojmë se janë të sigurta dhe këto vjedhje të mëdha zakonisht janë lajme dhe duhet ti ndjekim kur ka raste të tilla dhe ka metoda se si të mbrohemi në raste të tilla. Gjëja e parë është të përdorim fjalëkalime të forta për çdo software që kyçemi mos jenë të njëjta, të jenë të forta dhe unike, të ketë simbole, numra shkronja, por kryesorja është që të mos përdoret fjalëkalimi i njëjtë sepse nëse njëri kompromentohet atëherë edhe llogaritë në software tjerë janë kompromentuar të gjitha. E di që është e vështirë të mbash mend fjalëkalimet por ekzistojnë aplikacione që ti menaxhojnë. Ndërsa duhet të aplikohet edhe metoda two factor authenication për të siguruar më shumë llogaritë tuaja në internet.” – tha Suad Saliu, ekspert i inovacionit digjital.
Saliu theksoi se duhet të kemi kujdes me linqet që na dërgohen për t’i hapur, ku shpesh janë sulme kibernetike përmes kompanive apo mesazheve të ndryshme. Ai thotë se edhe të dhënat që shpërndajmë në internet duhet të jenë të limituara, fotografitë dhe të kemi kujdes se cilat rrjete sociale i përdorim dhe sa të besueshme janë ato.