SI PËRDORET INTERNETI: Europianët bëjnë biznes, ballkanasit llomotisin

    Ndërsa biznesi po zhvendoset drejt internetit, ballkanasit po e përdorin gjithnjë e më shumë për të komunikuar. Maqedonia e Veriut së bashku me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit perëndimor janë shumë larg nivelit të vendeve të Bashkimit Evropian sa i takon mënyrës sesi ata e shfrytëzojnë internetin. Për shembull, nëse Maqedonia renditet e para në rajon, sa i takon numrit të përdoruesve të rrjeteve sociale ( mbi 74 për qind e popullsisë), pjesa tjetër e Evropës (rreth 66 për qind e banorëve në shtetet e Bashkimit Evropian) kanë blerë me transaksione në internet gjatë vitit 2021. Madje në disa vende 9 nga 10 persona kanë blerë një prodhim ose shërbim në internet të paktën një herë në vit. Por Ballkani është ende larg nga kjo mesatare.

    hitblerjet onlajn më së shumti përdoren në Kosovë, ku më pak se gjysma e popullsisë ka kryer blerje onlajn brenda 1 viti. Menjëherë pas vijnë qytetarët e Serbisë me rreth 45 për qind përdorues të “marketeve” onlajn. Në Maqedoninë e Veriut 34 për qind e popullsisë përdor shitblerjet onlajn, në Bosnjë e Hercegovinë 30 për qind ndërsa në Mal të Zi vetëm 26 për qind e popullsisë.

    Por nga ana tjetër, ballkanasit janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale në Evropë. Secili nga shtetet e Ballkanit e kalon 60 përqindëshin e popullsisë prej moshës 16 deri 74 vjeç që kanë profile në ndonjërin prej rrjeteve sociale. Pas Maqedonisë së Veriut, me 74 për qind të popullsisë prezente në ndonjë rrjet social, është Mali i Zi me 71 për qind. Shqipëria (61 për qind ) dhe Serbia (60 për qind ) vijojnë listën e vendeve nga Ballkani me gati 2/3 e popullsisë që përdor rrjetet sociale. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë gjithashtu numër të lartë të popullsisë përdorues të rrjeteve sociale, ndonëse Eurostat-i nuk ka të dhëna për to.

    Të dhënat nga Eurostat tregojnë se Kosova dhe Shqipëria prijnë për nga numri i familjeve që kanë lidhje interneti në shtëpi ( 96% e familjeve në Kosovë dhe 91% e familjeve në Shqipëri). Me përqindje të lartë të familjeve që janë të lidhur në internet me ndonjërin prej kompanive të telekomunikimit që ofron shërbime është Maqedonia e Veriut (84%), Serbia (82%) dhe Mali i Zi. Përqindje këto të rajonit në tërësi që janë më të vogla se vendet e BE, ku 92% e familjeve janë parapagues të shërbimeve të internetit.

    Por, në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, përqindja e popullsisë në rrjete sociale është shumë më e ulët se sa në Ballkan. Gjermanët dhe francezët kanë një mesatare rreth 40 për qind, ndërsa italianët rreth 50 për qind. Përjashtim bëjnë vendet e Beneluksit dhe Zvicra, ku numri i popullsisë që përdor rrjetet sociale është i ngjashëm si në Ballkan. Krah për krah me mundësitë e shumta që ofron interneti, vijnë edhe rreziqe të mëdha.

    Sipas Eurostat qytetarët e Ballkanit Perëndimor gjithnjë e më shumë po raportojnë se kanë qenë viktimë e keqpërdorimeve në internet. Krimet në internet janë të shumta, që nga vjedhja dhe keqpërdorimi i të dhënave personale e deri te mashtrimet financiare. Po ashtu krimet financiare në internet po shtohen dhe shpesh kalojnë pa u zgjidhur nga autoritetet, sidomos nëse kriminelët vijnë nga vende të tjera. Prandaj, është e rëndësishme që të mbrohen të dhënat personale, të mos jepen të dhënat e kartelës në faqe të dyshimta dhe të panjohura që ofrojnë shërbime ose prodhime për shitje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Koka bën e koka vuan

    Lajmi i rradhës

    Bujqit e Pollogut të painteresuar për kooperativa bujqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë