Si po e shkatërrojnë qytetarët infrastrukturën rrugore në Tetovë!

    Prerjet e asfaltit nga qytetarët për kyçje në rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, si dhe në rrjetin e energjisë elektrike, vazhdojnë të dëmtojnë infrastrukturën rrugore në Tetovë. Përveç qytetarëve, një tjetër problem paraqet edhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, e cila pas ndërhyrjeve në rrjetin e ujësjellësit është e obliguar ta rikthejë rrugën në gjendjen e mëparshme. Megjithatë, kjo procedurë shpeshherë vonohet edhe nga vetë ky institucion.

    Ndërkohë, nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se vitin e kaluar është dënuar një person fizik për kyçje ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe ndaj tij janë marrë masa.

    “Për çdo prerje të asfaltit apo ndërhyrje që bëhet, duhet fillimisht të merret leje, si nga personat fizikë ashtu edhe nga ata juridikë. Sipas informacioneve që kemi, vitin e kaluar është dënuar një person fizik për kyçje ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe ndaj tij janë ndërmarrë masa. Ndërhyrjet që i bën ndërmarrja ‘Sharri’ në ujësjellës obligohet që menjëherë ta rikthejë gjendjen siç ka qenë më parë. Po ashtu, edhe personat fizikë apo juridikë që marrin leje janë të detyruar ta rikthejnë infrastrukturën në gjendjen e mëparshme”, deklaroi Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

    Si rrjedhojë, gropat në rrugët e qytetit të Tetovës, të cilat hapen për ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit, mbeten të pambyllura për muaj të tërë. Nga komuna theksojnë se edhe qytetarët që kanë marrë leje, ashtu si edhe ndërmarrjet, kanë obligim ligjor t’i mbyllin ato, por kjo nuk po ndodh. Në disa raste, rrugët dëmtohen vetëm pak muaj apo javë pasi janë asfaltuar tërësisht. Intervenime të tilla ndodhin çdo ditë, dhe në shumicën e rasteve është e nevojshme që të pritet asfalti në rrugë apo në trotuar. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se në raste të tilla duhet të reagojë inspektorati komunal.

    “Sigurisht që është një obligim ligjor. Nëse ka raste të tilla, ato duhet të denoncohen dhe inspektorati duhet të veprojë”, theksoi Kasami.

    Dëmtimet më të mëdha ndodhin gjatë ndërhyrjeve në rrjetin e ujësjellësit nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, për shkak të defekteve të shpeshta që ndodhin si pasojë e rrjetit të vjetruar të ujësjellësit, i cili ka mbi 60 vite. Sipas informacioneve nga kjo ndërmarrje, brenda një dite mund të ndodhin deri në tre apo katër defekte, duke i detyruar ata të bëjnë prerje të asfaltit për riparimin e rrjetit kryesor të furnizimit me ujë të qytetit.

    Këto ndërhyrje lënë pasoja të dukshme në infrastrukturën rrugore të Tetovës. Deri më tani, nuk është paralajmëruar asnjë projekt kapital për zëvendësimin e këtij rrjeti të vjetruar. Autoritetet komunale kanë deklaruar disa herë se për një projekt të tillë kërkohen financa nga pushteti qendror. Megjithatë, deri më tani, nga pushteti qendror nuk ka pasur paralajmërime për një investim të kësaj natyre. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Shtëpia duhet të ketë djem” / Abortet selektive në Dibër po pakësohen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë