Mes bankave, Postës dhe institucioneve të tjera financiare jo bankare, gara për shërbimet e pagesave është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Dominon sistemi bankar me shërbimet e pagesave sjellin të paktën 12% të të ardhurave për bankat dhe Posta Shqiptare. Vitet e fundit në këtë treg po fitojnë peshë në rritje institucionet financiare të pagesave, që janë profilizuar më shumë në segmente specifike të tregut, si transfertat ndërkombëtare të parave, apo pagesat e shërbimeve utilitare.
Si preferoni t’ju paguaj? Kjo pyetje ekziston me njeriun, që kur u shpik tregtia në format e paratë e njerëzimit.
Në fillimet e njerëzimit, pyetja kishte më shumë se sa një përgjigje të vetme, pasi pagesa bëhej në natyrë dhe malli në këmbim të mallit që blihej mund të ishte i çfarëdoshëm.
Dalja në skenë e parasë cash e bëri këtë pyetje pa kuptim, përveçse një pyetje që bëhet në lidhje se me cilën nga gjithë llojet e parasë cash që përdoret në secilin prej vendeve të botës do të donit të paguheni. Që kur paraja filloi të administrohet nga Bankat, (rreth shekullit XV) pyetja u bë edhe më komplekse, pasi krahas pagesës në “para cash”, u shtuan edhe pagesat nga një llogari bankare në një tjetër.
Qe me daljen në treg të “kartave të pagesës”, rreth viteve ‘50 të shekullit të kaluar, me sofistikimin elektronik të këtyre instrumenteve të pagesës dhe me përhapjen masive (rreth viteve ‘80 të shekullit të kaluar), kjo pyetje, realisht ka shumë më tepër se sa një përgjigje të vetme. Me ndryshimet e erës së internetit vijuan të shtohen opsionet me të cilat blerësi i përgjigjet shitësit, apo dërguesi i përgjigjet pritësit të pagesës.
Me daljen në skenë të formës elektronike të parasë (e-money) dhe të aplikacioneve mobile për pagesat, kjo pyetje praktikisht kthehet në origjinën e saj, në fillimet e njerëzimit dhe ka një pafundësi opsionesh për përgjigje.
Sistemi i Pagesave në Shqipëri – një historik i shkurtër
Në Shqipëri, sistemi i pagesave në kuptimin që ai merr në një ekonomi moderne tregu, ka një histori pak më të shkurtër. Pas kalimit nga një sistem totalisht i centralizuar pagesash, në kushtet e sistemit të përqendruar “socialist”, në formatin e një sistemi financiar të administruar nga një Bankë Qendrore publike, e cila mbikëqyr një treg që përbëhet nga operatorë financiarë tregtarë, sistemi kaloi rreth një dekadë përpara se të formatonte lojtarët e tregut që normalisht janë pjesë e tij.
Konkretisht, në dekadën e parë (1992 – 2000) u formësua jo vetëm Banka e Shqipërisë, si një institucion publik mbikëqyrës i tregut bankar, por edhe bankat tregtare të sistemit. Viti 2000 e gjeti Shqipërinë me disa Banka tregtare – BKT, Banka e Kursimeve, Banka Tirana, Banka Ndërkombëtare Tregtare, Banka Italo-Shqiptare dhe një institucion financiar jo bankë – UFT, aktiv specifikisht në pjesën e tregut të transfertave hyrëse e dalëse nga individët.
Dekada e dytë, ajo prej 2000-2010, pa tregun financiar të kalonte në një formë më afër asaj që është tipike për shtete europiane në aspektin e institucioneve pjesëmarrëse në treg, me një numër jo të vogël Bankash tregtare, një pjesë prej tyre edhe me përvojë europiane dhe një numër në rritje të SFJB që u shfaqën në segmente të ndryshme embrionale të sistemit të pagesave.
Prej më shumë se një dekade, si formësimi i plotë i sistemit të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë, si rritja organike e tregut, si konsolidimi i sistemit bankar (ka kaluar nga 17 Banka në 2006 në 12 Banka aktualisht) dhe sidomos zhvillimet teknologjike e kanë bërë gjithnjë e më dinamik tregun e pagesave në Shqipëri.
Tashmë jo vetëm bankat janë formësuar, në mënyrë të tillë që janë në gjendje të ofrojnë një gamë të plotë të zgjidhjeve teknologjike për klientët e tyre, por edhe SFJB janë formësuar e lidhur me botën në mënyrë të tillë, që të ofrojnë edhe ato një vlerë të shtuar për konsumatorin final, i cili është përfituesi kryesor i këtij evolucioni të një sistemi kaq të rëndësishëm për funksionimin e ekonomisë së tregut.
Tashmë, ky sistem pagesash përfshin jo vetëm 12 Banka të licencuara në vend, por edhe një numër në rritje të SFJB që ofrojnë një gamë shërbimesh apo një shërbim të specializuar në varësi të profilit që kanë ndërtuar, në këtë “puzzle” që është sot sistemi i pagesave në Shqipëri.
Sot, sistemi i pagesave të vendit është totalisht i integruar me atë botëror, ndërsa ambienti rregullator gjithmonë e më shumë po konfigurohet për t’i ngjasuar atij të Bashkimit Europian, me vizionin afatgjatë të Bankës së Shqipërisë për një integrim në këtë treg në vijim të integrimit të vendit në BE. Konkretisht, në Shqipëri, gjen tashmë standard operatorët globalë të pagesave si Swift – në fushën e pagesave ndërbankare; Visa, MasterCard, American Express në fushën e pagesave me kartë; Western Union, MoneyGram e Ria si dhe një numër i lartë operatorësh të tjerë.
Po ashtu, një realitet gjithmonë e më i pranishëm është përdorimi nga ana e qytetarëve shqiptarë të llogarive me institucione financiare me mbulim botëror të cilat ofrojnë mundësi pagesash në internet, si midis individëve, ashtu edhe në favor të tregtarëve.
Dhe qershia mbi tortë është edhe fakti se Shqipëria është një nga vendet e pakta në botë që ka një ligj të posaçëm “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, ose siç njihen më thjesht, kriptovalutat. Megjithatë, për këtë ligj nuk janë hartuar aktet e nevojshme nënligjore që do ta bënin një treg funksional, për të pasur ndikim edhe në fushën e pagesave.
Na ishin dikur…, por edhe janë gjithmonë e më shumë, Bankat
Banka e Shqipërisë raporton se, vitin e kaluar, nëpërmjet llogarive bankare u kryen rreth 22 milionë pagesa, në rritje vjetore me 18.3%. Në vlerë, pagesat pësuan rënie të lehtë në 4.39 trilionë lekë, 2.9% më pak krahasuar me një vit më parë; rënia lidhet kryesisht me uljen e volumeve të aktivitetit ekonomik dhe tregtar që shkaktoi kriza e pandemisë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë dëshmojnë njëkohësisht edhe përmbysjen teknologjike që po ndodh me pagesat në Shqipëri. Që prej vitit 2017, pagesat e kryera në forma të tjera e kanë kaluar numrin e transfertave në formë letër, të iniciuara nga degët e bankave. Dhe është pikërisht kjo kthesë teknologjike që po i rikthen fuqishëm Bankat në motorin lëvizës të sistemit të pagesave.
Pandemia e bëri më dinamik tregun e pagesave
Ky zhvillim nuk u frenua as nga pandemia, përkundrazi; një ndër sektorët që u ndikuan pozitivisht ishin pikërisht pagesat, sidomos nëpërmjet kanaleve elektronike dhe atyre në distancë. Format e tjera përfshijnë transaksionet e urdhëruara përmes home banking, përfshi platformat bankare për shërbim në internet, apo aplikacionet mobile banking, pagesat e urdhëruara nga klientët me kartë, veprimet e debitimit direkt, pagesat me para elektronike, etj., etj.
Për vitin 2020, veprimet përmes kanaleve të tjera përbënin rreth 76% të totalit të pagesave, nga rreth 70% një vit më parë. Tendenca e nisur prej vitesh drejt formave të tjera të pagesave ka vijuar, e nxitur më tej nga efekti i pandemisë.
Numri i pagesave në distancë u rrit me 14%
Pandemia që shpërtheu vitin e kaluar solli një lloj shkundjeje pozitive në adoptimin e instrumenteve dixhitalë të pagesave. Megjithëse pagesat nëpërmjet internetit apo kartës bankare ofroheshin prej vitesh, shumë shqiptarë nisën t’i përdornin ato vetëm nga “halli” që krijoi pandemia. Kufizimet e vendosura, por edhe frika se kontakti me paranë fizike mund shtonte rreziqet e infektimit bënë që njerëzit të përdornin më shumë instrumentet e pagesave jo cash.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i transaksioneve nëpërmjet kanaleve të pagesave në distancë, të përfshira në konceptin e home banking, arriti shifrën rekord prej 4.12 milionësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Në pjesën dërrmuese, kanalet e kryerjes së këtyre veprimeve janë nëpërmjet platformave bankare në internet dhe aplikacioneve mobile banking, apo të aplikacioneve të pagesave e-money.
Pjesën e luanit në këtë segment e zënë transaksionet me internet banking, të cilat vitin e kaluar arritën në 2.8 milionë, në rritje me 6.1% krahasuar me një vit më parë. Përdorimi i këtij kanali, edhe në numër veprimesh, dominohet nga bizneset, por tendenca është në rritje të ndjeshme edhe mes individëve. 68% e numrit të përgjithshëm të këtyre veprimeve kryhet nga bizneset, por zgjerimi i përdorimit vitin e kaluar ishte më i lartë mes individëve. Veprimet me e-banking mes individëve, u zgjeruan me 6.8%, ndërsa mes bizneseve me 5.7%.
Një peshë gjithmonë e më të madhe po e zënë veprimet me anë të aplikacioneve mobile banking. Vitin e kaluar, ato shënuan rritje edhe më të lartë, me rreth 66%. Rritja më e lartë u shënua mes bizneseve, me 74%, ndërsa për individët, numri i veprimeve me mobile banking u rrit me 61%. Ndryshe nga e-banking, struktura e përdorimit të m-banking ka një epërsi të individëve, me 60% të numrit total të veprimeve.
Sistemi bankar po adapton shpejt teknologjitë dhe avantazhet që kjo ofron, duke i dhënë mundësi për zgjedhje klientit fundor. Në fakt, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti vitin e kaluar në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%, ose rreth 144 mijë llogari më shumë. Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar!
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po e vënë më shumë fokusin në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët. Ndonëse nga ana tjetër, numri i aplikuesve për licenca të parasë elektronike duket të tregojë interes për këtë fushë të fintech, duhet thënë se hapat e shpejtë që Bankat po bëjnë në adoptimin e teknologjive të reja, po e plotësojnë nevojën për transformim dixhital të klientelës së tyre të gjerë.
Rritja e numrit të llogarive të lidhura me internetin ishte e lartë si te bizneset, me pothuajse 39%, edhe tek individët, me 33%. Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri, numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.
Nga pikëpamja e përdorimit të llogarive të aksesueshme nga interneti, deri në fund të vitit 2020, Banka e Shqipërisë llogarit rreth 7.03 transaksione në pagesa jo-cash për llogari, duke iu afruar më shumë nivelit të synuar të Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël, prej 10 pagesave jo-cash/jo me para fizike për frymë deri në fund të vitit 2022.
Promovimi i internet banking u nxit më shumë pas shpërthimit të pandemisë, si dhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare përmes internetit. Ndërkohë, me ndryshimet e përhershme rregullative të miratuara në mesin e vitit, u përcaktua se komisionet për transfertat ndërbankare në lekë nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.
Kartat dominojnë pagesat në pikën e blerjes
Vitin e kaluar, kartat bankare u konfirmuan si instrumenti dominues i pagesave nga llogaritë e bizneseve dhe individëve në Shqipëri. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave të iniciuara me kartë kaloi kufirin e 11 milionëve dhe ishin pak më shumë se gjysma e veprimeve totale të pagesave. Krahasuar me një vit më parë, numri i veprimeve me kartë u rrit me pothuajse 37%. Sipas llojit të tyre, 85% e numrit të përgjithshëm të veprimeve me kartë janë pagesa të kryera me kartat e debitit të lidhura me llogaritë rrjedhëse, ndërsa vetëm 15% janë pagesa të kryera me kartë krediti.
Numri i veprimeve me kartë debiti shënoi rritje të fortë me 65%, numri i veprimeve me kartë krediti ka pësuar rënie të ndjeshme me 23%. Tendenca e kundërt mund të shpjegohet sidomos me faktin që kartat e kreditit janë një instrument që përdoren dendur për marrjen e shërbimeve të lidhura me turizmin, si në sektorin e akomodimit dhe të udhëtimeve. Rënia e volumit të këtyre aktiviteteve, për shkak të pandemisë, ka sjellë rrjedhimisht edhe një përdorim më të ulët të kartave të kreditit.
Në fund të vitit 2020, shqiptarët kishin në përdorim 1.26 milionë karta bankare aktive, në pjesën dërrmuese karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Numri i kartave të pagesave u rrit me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i kartave të pagesave dominohet nga kartat e debitit, me 86% të totalit.
Numri i kartave të debitit vijoi rritjen edhe vitin e kaluar, me 5.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Karta e debitit është një indikator i tërthortë i depërtimit të shërbimeve bankare, sepse ajo është një instrument që, në shumicën dërrmuese të rasteve, lidhet me llogaritë e pagës apo llogaritë e tjera rrjedhëse të individëve.
Numri i kartave të kreditit vitin e kaluar pësoi rënie, tendencë që përputhet qartësisht edhe me uljen e numrit të transaksioneve me këto instrumente. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2020, numri i kartave aktive të kreditit zbriti në më pak se 109 mijë, në rënie me 4.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo është hera e parë në 15 vitet e fundit që numri i kartave të kreditit pëson rënie vjetore. Rënia drastike në udhëtimet mes shteteve ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar më si të domosdoshme.
Karta e kreditit është një produkt që nuk ka arritur të zhvillohet shumë në tregun shqiptar. Sipas një studimi krahasues të Bankës Botërore, vitin e kaluar, rreth 8% e shqiptarëve në moshë madhore zotëronin një kartë krediti, kundrejt 9.7% të boshnjakëve, 10.4% të kosovarëve, 16.7% të malazezëve, 17.4% të maqedonasve dhe 17.6% të serbëve.
Në Eurozonë, kjo shifër është disa herë më e lartë dhe pothuajse 45% e individëve zotërojnë një kartë krediti. Zhvillimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sa me vonesën në depërtimin e shërbimeve bankare, aq edhe me faktin se ekonomia shqiptare ka një përqindje të lartë të përdorimit të parasë fizike, si instrument për transaksionet ekonomike.
Kthehet rritja e ATM-ve, shtohen terminalet POS
Rritja e numrit të pagesave nëpërmjet instrumenteve alternative të veprimeve në degë ka sjellë paralelisht edhe zgjerimin e infrastrukturës së terminaleve që sektori bankar ofron për kryerjen e këtyre pagesave.
Vitin e kaluar, numri i bankomateve (ATM) të bankave tregtare u rrit për herë të parë që nga viti 2015. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i tyre në fund të vitit 2020 arriti në 738, në rritje me 4% krahasuar me vitin 2019.
Pakësimi i numrit të ATM-ve për shtatë vite radhazi kishte qenë i lidhur sidomos me zvogëlimin e rrjetit të bankave, por edhe me uljen e numrit të tyre, në procesin e shitblerjeve dhe bashkimeve që nisi në vitin 2015.
Pasi ky proces përfundoi përkohësisht me uljen e numrit të bankave nga 17 në 12, vitin e kaluar bankat nisën përsëri shtimin e numrit të terminaleve ATM, por këtë radhë, prej vendosjes së ATM jashtë dege. Zhvillimi është padyshim i lidhur edhe me pandeminë. Pasi u përballën me kufizimin e orareve dhe me nevojën për të punuar me staf të reduktuar, bankat u përpoqën të shmangnin sa më shumë fluksin në mjediset e degëve për ato shërbime që mund të merren në mënyrë automatike, siç është edhe tërheqja e parave. Kjo është reflektuar edhe në shtimin e numrit të ATM aktive, për të lehtësuar këto shërbime për klientët.
Zhvillim interesant është rritja e vazhdueshme e numrit të ATM-ve që mund të përdoren jo vetëm për tërheqje, por edhe për depozitimin e parasë cash. Në fund të vitit të kaluar, numri i këtyre terminaleve arriti në 217, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Numri i këtyre terminaleve është në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2016. Megjithëse ende nuk përdoret masivisht nga klientët e sektorit, depozitimi në terminale automatike është një shërbim që ka potencial të çlirojë bankat dhe klientët nga përdorimi i sporteleve nga veprimet cash që nuk janë të domosdoshme.
Bankat gjithashtu kanë rritur ndjeshëm numrin e terminaleve elektronike të shitjes (POS) në vitet e fundit, pavarësisht përdorimit relativisht të ulët dhe rezistencës së tregtarëve, të motivuar pjesërisht nga informaliteti, por edhe nga komisionet jo të neglizhueshme të aplikuara për POS nga brandet e skemave ndërkombëtare të pagesave (Visa, MC apo AMEX) e për rrjedhojë, edhe nga Bankat e sistemit. Në fund të vitit 2020, numri i terminaleve POS arriti në më shumë se 12,147, në rritje me afërsisht 9% krahasuar me një vit më parë.
Rritje të konsiderueshme kanë pasur edhe POS-et virtuale, nëpërmjet të cilave mund të kryhen pagesa me karta në internet për qëllime të tregtisë elektronike. Sistemi bankar ka ofruar të tilla shërbime që prej vitit 2013, por zgjerimi i përdorimit të tyre nga tregtarët, të cilët dëshirojnë të kryejnë tregti në mënyrë elektronike, ka qenë me ritme shumë të moderuara.
Por, viti i pandemisë solli një zhvillim pozitiv edhe në përdorimin e këtyre instrumenteve. Numri i POS-eve virtuale arriti në 142, 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Shtimi i këtyre instrumenteve është një tregues mjaft domethënës si për zhvillimin e pagesave elektronike në distancë, edhe për shërbimet e tregtisë elektronike kombëtare, që mbështetet më së shumti në pagesa cash në momentin e dorëzimit të produktit.
Në hapat e parë në këtë lloj pagese (pagesë në pikën e shitjes) janë edhe pagesat me QR Code nga ofertues SFJB të parasë elektronike apo nga Banka që e kanë adaptuar këtë zgjidhje. Me siguri, në këtë aspekt pritet të ketë zhvillime edhe më tej, për vetë faktin se kjo teknologji ka nevojë për infrastrukturë më të lehtë, shmang kostot e lidhura me skemat ndërkombëtare të pagesave dhe, për pasojë, me shumë gjasë do të ofrojë komisione më të ulëta për tregtarin.
Pagesat me para elektronike, në rritje të shpejtë
Që prej vitit 2015, në Shqipëri ka nisur aplikimi i pagesave nëpërmjet parasë elektronike. Ky klasifikim përdoret më tepër për të dalluar këtë produkt teknologjik nga ai i pagesave me kartë që, në vetvete, nuk është asgjë më pak se një pagesë me para elektronike. Që nga ai moment, përdorimi i këtyre pagesave është rritur me ritme të shpejta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2020, numri i transaksioneve arriti në 482 mijë, në rritje vjetore me 37%.
Edhe vlera e këtyre transaksioneve është në rritje të shpejtë, megjithëse ngelet ende e vogël në raport me format e tjera të pagesave. Gjatë vitit 2020, vlera e transaksioneve me para elektronike arriti në 1.9 miliardë lekë, në rritje vjetore me pothuajse 69%. Sipas statistikave, pagesat me para elektronike deri tani kryhen vetëm për individët. Deri në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë kishte licencuar tre institucione financiare të parasë elektronike, Union Financiar Tiranë, EasyPay dhe Postën Shqiptare.
Vlerësohet se ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, i cili është adaptuar në frymën e Direktivës II për pagesat në BE, do të krijojë hapësira për një zhvillim edhe më të shpejtë të parasë elektronike dhe të institucioneve që ofrojnë pagesa të këtij lloji dhe një integrim midis pagesave me kartë apo me aplikacion mobile të parasë elektronike. Licenca e fundit e dhënë nga Banka e Shqipërisë për një operator të kësaj natyre nga vendet e BE-së është shenjë e qartë se kjo do të jetë një nga fushat me zhvillime më të shumta për vitet në vijim.
Nxitje të mëtejshme të kësaj lloj pagese pritet të japë edhe procesi i fiskalizimit e të emetimit të faturës fiskale online, nëse do të implementohet në tregtinë me pakicë në shtator 2021, siç është planifikuar.
Debitimi direkt, veprimet arritën numrin më të lartë në 8 vjet
Debitimi direkt nga llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve është një instrument që po njeh rritje të vazhdueshme, që prej vitit 2012. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i këtyre transaksioneve në vitin 2020 arriti në 951 mijë, në rritje me 4.4% krahasuar me një vit më parë. Debitimi direkt është një shërbim nëpërmjet të cilit klienti autorizon bankën të shlyejë automatikisht një detyrim nga llogaria e vet dhe përdoret zakonisht për detyrime periodike, siç mund të jenë shlyerjet e faturave të shërbimeve utilitare, të tatim-taksave, etj.
Klienti i jep bankës autorizim me shkrim për të shlyer periodikisht faturat e lëshuara nga përfitues të ndryshëm. Falë aksesit në sistemet e përfituesve, si për shembull të tatimeve apo të kompanive utilitare, banka merr informacion për faturën përkatëse të klientit dhe e shlyen atë përmes llogarisë së tij rrjedhëse, pa qenë nevoja që klienti të shkojë në bankë dhe të urdhërojë individualisht çdo pagesë.
Pandemia i ka dhënë shtysë përdorimit të instrumenteve automatike të pagesave, përfshi këtu edhe debitimin direkt. Transaksionet e këtij lloji u rritën me 1.3% për individët dhe 3.8% për bizneset. Gjithsej, vlera e këtyre transaksioneve për vitin 2020 arriti në 56.5 miliardë lekë, ose rreth 457 milionë euro. Në numër, veprimet e debitimit direkt i takojnë, në pjesën më të madhe, individëve, me 56% të totalit. Por, në vlerë, dominojnë dukshëm pagesat e biznesit, me më shumë se 96% të totalit. Bizneset e përdorin këtë shërbim sidomos për shlyerjen e detyrimeve tatimore, gjë që bën që vlerat e pagesave të jenë shumë më të mëdha, krahasuar me individët.
Për të rritur potencialin e përdorimit të këtij shërbimi, prej më shumë se pesë vjetësh po punohet për të ngritur një skemë të Debitimit Direkt Ndërbankar. Ky është një prej projekteve të iniciuara nga rekomandimet e mbledhjes së parë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, që në tetor 2015, me propozim të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Sipas këtij projekti, synohet që të eliminohet kufizimi i pagesave të faturave nga konsumatorët drejt shoqërive utilitare kur palët nuk kanë llogari në të njëjtën bankë.
Aktualisht, debitimi direkt mund të bëhet vetëm nëse klienti dhe kompania përfituese e pagesës kanë llogari në të njëjtën bankë. Skema e debitimit direkt ndërbankar do të mundësonte kryerjen e pagesave dhe kur palët i kanë llogaritë në banka të ndryshme. Megjithëse projekti parashikohej të përfundonte që në vitin 2018, sot e kësaj dite ai nuk është realizuar ende. Në muajin dhjetor 2020, Banka e Shqipërisë vendosi si afat të ri për mundësimin e një shërbimi të tillë fundin e këtij viti.
Sistemi i pagesave në euro, operativ këtë vit
Projekti i ngritjes së një sistemi për të shlyer pagesat kombëtare në Euro pritet të jetë funksional brenda këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, po vijon puna në drejtim të zhvillimit të sistemeve të përfshira në këtë projekt, të cilat parashikohet të testohen, implementohen e vihen në zbatim në vitin 2021.
Ky do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun e brendshëm të pagesave, ku mungesa e një skeme të shlyerjes brenda vendit krijon kosto të mëdha për kryerjen e transfertave ndërbankare në Euro. Në prononcimet e tyre për revistën “Monitor”, bankierët janë shprehur se ngritja e infrastrukturës që do të mundësonte një shërbim të tillë është shumë e rëndësishme.
“Mendoj se është domosdoshmëri. Vërehet një numër i lartë dhe gjithnjë e në rritje i transfertave në euro brenda vendit, të cilat zënë rreth 20 – 25% të transaksioneve në Euro. Këto transferta aktualisht klerohen dhe shlyhen nëpërmjet bankave korrespondente europiane, ku bankat rezidente mbajnë llogaritë e tyre, duke u shoqëruar me kosto të larta, si të transaksionit, ashtu edhe të fondeve që mbahen në to. Klerimi dhe shlyerja kombëtare e transfertave në Euro, do të sjellë shpejtësi dhe kosto më të reduktuara për këto transferta brenda vendit” – thotë Suela Çela, drejtore e Operacioneve në Credins Bank.
Sipas Bankës OTP Albania, shlyerja kombëtare e pagesave në monedhë të huaj do të ishte gjithashtu mbështetje për format alternative dhe më inovative të pagesave, njëlloj si dhe prania e procesorëve lokalë për transaksionet me karta. Sipas OTP, mundësimi i shërbimeve të mësipërme do të ndikonte në uljen e tarifave për konsumatorët e këtyre shërbimeve bankare.
“Duke njohur kostot tepër të larta të përdorimit të bankave korrespendente për pagesat në valutë brenda vendit, Raiffeisen Bank inkurajon nevojën për ndërhyrje të mundshme në treg nëpërmjet skemës së shlyerjes kombëtare të transfertave në Euro. Kjo do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, duke ju dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive”, thotë Gentian Capo, drejtor i Operacioneve në Raiffeisen Bank – Shqipëri.
Euroizimi i lartë i ekonomisë dhe i sektorit financiar e bëjnë të rëndësishëm adresimin e problemit të kostove të larta të transfertave në monedhën europiane. Ende sot, transferimi i eurove mes dy bankave shqiptare duhet, detyrimisht, të kalojë nga një bankë korrespondente jashtë vendit, çka krijon kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë.
Kostot shpesh nxisin edhe veprimet cash në monedhën europiane dhe kur klientët kanë nevojë të lëvizin fondet nga një bankë në tjetrën, shpesh ata zgjedhin ta bëjnë këtë fizikisht, për të shmangur komisionet. Lëvizja e shumave cash krijon rreziqe operacionale për bankën, por edhe për vetë klientin. Skema për shlyerjen e pagesave në euro pritet të shfrytëzojë infrastrukturën ekzistuese të pagesave të Bankës së Shqipërisë, konkretisht sistemin e shlyerjes së pagesave me vlerë të vogël (AECH).
Ngritja e një sistemi të tillë do të mundësojë uljen e ndjeshme të komisioneve për transfertat kombëtare në Euro, duke parashikuar edhe vlera tavan. Për Lekun, komisioni tavan është 500 lekë për transfertat në vlerë të vogël (deri 1.5 milionë lekë) dhe 1500 lekë për transfertat në shuma të mëdha, mbi 1.5 milionë lekë. Për euron, komisionet janë disa herë më të larta, në varësi të rrugës që ndjek transferta dhe të bankave korrespondente të përfshira.
Card Switch kombëtar ul kostot
Projekt tjetër i rëndësishëm për lehtësimin e pagesave elektronike është përpunimi kombëtar i pagesave me kartë ose card switch. Shqipëria nuk ka një sistem kombëtar për të kanalizuar pagesat që kryhen me kartë, por shfrytëzon infrastrukturën e ofruesve globalë të këtyre shërbimeve, gjë që sjell kosto të konsiderueshme.
Një sistem kombëtar do të bëjë të mundur që të gjitha pagesat nga kartat e ndryshme të emetuara në Shqipëri të kanalizohen, klerohen dhe shlyhen nëpërmjet kësaj infrastrukture, duke bërë që efikasiteti i përpunimit të pagesës të rritet dhe kostot do të ulen.
Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se kartat ngelen një instrument relativisht i shtrenjtë për bankat dhe rrjedhimisht kostot përcillen edhe tek ofruesit dhe përfituesit e pagesave me kartë bankare. Sipas studimit, përdorimi i një platforme kombëtare të procesimit të pagesave me kartë mund të sjellë ulje të kostove me të paktën 30%, në raport me skemat e ofruara nga ofruesit ndërkombëtarë të kartave. Kostot janë një barrierë e konsiderueshme, sidomos për ofrimin e shërbimit të pagesës me kartë nga tregtarët.
Mbështetur në të dhënat e vitit 2019, komisionet e aplikuara nga bankat shqiptare për pranimin e pagesave me kartë ishin në intervalin midis 1.8 dhe 3.3% të shumës së përgjithshme të transaksionit. Në një masë të madhe, këto kosto lidhen me komisionet e procesimit ndërbankar të pagesave me kartë, që përcaktohen nga dy ofruesit kryesorë, Visa dhe Master Card.
Komisionet e vendosura nga Visa dhe Master Card janë me intervale, por sipas studimit, ato tentojnë përgjithësisht të jenë pranë kufirit të sipërm të intervalit, që për Visa është 2.02% dhe për Master Card 2.6%. Këto tarifa janë mjaft të larta krahasuar me limitet rregullatore të vendosura nga Bashkimi Europian, që për kartat e debitit është 0.2% dhe për ato të kreditit, 0.3%. Madje, studimi tregon se tarifat për Shqipërinë janë ndjeshëm më të larta jo vetëm me BE-në, por edhe me tregje më të krahasueshme me Shqipërinë, për nga stadi i zhvillimit.
Rreth 98.5% e kartave bankare në Shqipëri janë Visa dhe Master Card, çka tregon varësinë pothuajse totale të pagesave me kartë në tregun shqiptar nga dy kompanitë e mësipërme. Ato kanë avantazhin e të qenët instrumente globale, që mund të përdoren pothuajse në të gjithë botën. Në nivel lokal, ato mund të shfrytëzojnë një sistem kombëtar pagesash, gjë që do të ulte ndjeshëm kostot për përdoruesit.
FSHU: 1500 sportele ku mund të kryhen pagesat e faturave
Arkëtuesi më i madh i pagesave të faturave flet për impaktin e reformimit të mënyrës së likuidimit të detyrimeve që nisi para disa vitesh.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group), bën të ditur në një informacion për revistën “Monitor”, se në vitet e fundit, kanalet e shërbimit për kryerjen e pagesave të detyrimeve janë zgjeruar ndjeshëm.
Sipas FSHU, duke përfshirë edhe sportelet e sektorit bankar, qytetarët kanë në dispozicion një rrjet me rreth 1500 sportele ku mund të kryejnë pagesën e faturave. Në rrjetin e shërbimit për arkëtimin e pagesave të FSHU, veç sporteleve të vetë kompanisë, përfshihet rrjeti i bankave tregtare, i Postës Shqiptare, dhe i disa operatorëve të shërbimeve të pagesave në vend. Këtyre u shtohen edhe alternativat e pagesës online, nëpërmjet e-albania, vetës faqes së FSHU, ose shërbimit të internet banking të bankave tregtare.
“Qytetarët kanë në dispozicion një rrjet total pikash për veprime që arrijnë në rreth 1500, të cilat bëjnë të mundur që një zyrë shërbimi pagesash të shërbejë rreth 600 konsumatorë të energjisë, duke e ulur këtë tregues me rreth 1,200 konsumatorë krahasuar me vitin 2013. Kemi përmirësuar sistemet e informacionit, duke realizuar njoftimin direkt të qytetarit për pagesën me SMS dhe kalimin e veprimit në të njëjtën kohë në sistemet tona” – thuhet në informacionin e FSHU.
Sipas kompanisë, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të arkëtimeve ka zeruar abuzimet nga punonjësit apo arkëtarët, që verifikoheshin herë pas here në të shkuarën. Pagesat e kryera nëpërmjet Postës Shqiptare pasqyroheshin në sistemet e FSHU vetëm një herë në muaj. Rakordimet e vonuara bëheshin shkas për mospasqyrim të shlyerjes së detyrimeve apo edhe raste të vjedhjes së parave nga arkëtarët, por edhe nga faturistët që bënin arkëtimin e pagesave në zonat rurale. FSHU vlerëson se rritja e besimit të publikut dhe rritja e kanaleve dhe alternativave për të përdorur shërbimin e pagesës ka bërë që numri i transaksioneve të rritet ndjeshëm.
Faturat e energjisë, konsumatorët po përdorin më shumë kanalet alternative
Të dhënat e FSHU tregojnë se në vitet e fundit janë diversifikuar ndjeshëm kanalet e pagesave që shqiptarët përdorin për të shlyer detyrimet ndaj kompanisë. Nëse në vitin 2013, rreth 95% e pagesave shlyheshin përmes FSHU (OSHEE) dhe Postës Shqiptare, në vitet e fundit është rritur pesha e pagesave që kryhen nëpërmjet kanaleve alternative, si institucionet financiare jobanka apo pagesat nëpërmjet internetit.
FSHU raporton se në fund të vitit 2020, këto raporte kanë ndryshuar ndjeshëm. 36% e pagesave kryheshin nëpërmjet kanaleve alternative, ku përfshihen institucionet financiare jobanka si Union Financiar Tiranë/ Unionnet – Western Union, EasyPay/Ria, AK -Invest/MoneyGram, Raea, Kastrati dhe platformat e pagesave online.
Kanali i dytë më i përdorur janë sportelet e FSHU, me 32% të pagesave totale, të ndjekura nga sportelet e Postës Shqiptare, me 27% të pagesave dhe nga pagesat bankare, me rreth 5% të totalit. Në muajin dhjetor 2020, FSHU arkëtoi rreth 433 mijë pagesa nëpërmjet kanaleve alternative, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. /Monitor/FSHU/