Sigurimi i Mickoskit rrah policin në detyrë

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së në protestën e 18.06.2022 / Fotografia: Nistori, Emir Hamzi

    Një pjesëtar i sigurimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka sulmuar fizikisht një koleg të tij, polic në detyrë, para një lokali në Shkup gjatë një aksioni të ndërmarrë nga MPB-ja. Sipas policisë, sulmuesi me inicialet I.B i punësuar si polic, nuk ka qenë në detyrë gjatë incidentit ndërsa ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës.

    “Policët e Njësitit për tregti të paligjshme në SPB Shkup e kanë privuar nga liria personin me inicialet I.B.(43) nga Shkupi, polic i cili nuk ka qenë në detyrë, pasi ka sulmuar fizikisht një zyrtar policie i cili po kryente veprime zyrtare. Personi është ndaluar në Komisariat dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzim përkatës”, thonë nga MPB-ja.

    Lidhur me rastin, reagoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili kërkoi nga Prokuroria zbardhjen e shpejtë të rastit.

    “Për ngjarjen është njoftuar menjëherë prokurori publik kompetent, i cili ka dhënë udhëzime që janë duke u ndjekur dhe nga ana e shërbimeve kompetente. Në ministri kam kërkuar që të veprojnë në mënyrë sa më profesionale dhe në përputhje me procedurat standarde të funksionimit. Me qëllim zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje dhe për rezultatet e veprimeve të ndërmarra do të njoftohet menjëherë opinioni”, u shpreh Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

    Nga LSDM-ja thonë se behet fjalë për sulm ndaj një inspektori të anti-drogës i cili ka qenë në detyrë në një aksion të MPB-së, ndërsa shtuan se i njëjti person me inicialet I.B. që ka sulmuar policin është edhe shef i ekipit të sigurimit të Mickoskit.

    “Shefi i sigurimit të Mickoskit rrah policët. Mbrëmë para kafe bar “Mosh” në Shkup, shefi i sigurimit të Mickovskit, Ivica Bisovski ka sulmuar fizikisht një polic. Edhe pse vetë është polic, shefi i sigurimit të Mickoskit ka tentuar të ndaloje një aksion policor anti-drogë, për këtë shkak është rrahur polici, inspektor i NTSH-së për lufte kundër lëndëve narkotike, lufta ndaj policisë është luftë ndaj shtetit. Mjaftuan disa ditë pas hyrjes në Qeverinë teknike, VMRO-MVRO është sërish në veprim. Ky skandal hap shumë dilema për rolin e Mickoskit dhe VMRO-MVRO-së”, tha Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

    Edhe VMRO-DPMNE-ja ka reaguar lidhur me incidentin. Nga kjo parti, thanë se personi me inicialet I. B. i cili ka sulmuar policin në detyrë, pas incidentit është përjashtuar menjëherë nga ekipi i sigurimit të Mickoskit.

    “Personi i përmendur për të cilin mediat raportojnë se ka qenë pjesë e një incidenti është i angazhuar si pjesë e sigurimit, por nuk është shef i sigurimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së. Nga sa dimë bëhet fjalë për mosdurim personal mes dy policëve. Pas kësaj ngjarje, i njëjti do të largohet nga sigurimi dhe nuk do të ketë asnjë lloj angazhim lidhur me kryetarin e partisë. Kërkojmë nga autoritetet, pa rezerva, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e ashpër të çdo lloj dhune, duke vepruar në përputhje me ligjin”, thonë nga VMDO DPMNE.

    Sipas raportit nga vendi i ngjarjes, personi I.B. fillimisht e ka kërcënuar me fjalë kolegun tij V. G., ndërsa më pas e ka kapur për dore dhe së bashku me disa persona tjerë e kanë nxjerrë jashtë lokalit ku kanë qenë edhe punonjësit e tjerë të policisë. Pavarësisht paralajmërimeve nga V. G. se po sulmojnë një pjesëtar policor në detyrë, I. B. e ka goditur me grusht në pjesën e kokës. Më pas I.B. është privuar nga liria./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VMRO akuza pushtetit për pasaportat

    Lajmi i rradhës

    Strumica do të ketë transport ekologjik të qytetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë