Siljanovska e quajti “operacion ushtarak” pushtimin ushtarak rus në Ukrainë — reagon opozita shqiptare

    Presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska Davkova / Fotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska, gjatë pritjes tradicionale vjetore për trupin diplomatik në vend, iu referua pushtimit rus në Ukrainë si “operacion ushtarak rus”. Ky formulim ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka ngjallur debate në mbarë vendin. Ndërkohë, opozita shqiptare ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papërshtatshme dhe të dëmshme për qëndrimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, shkruan Nistori.

    Bashkimi Demokratik për Integrim Fjalor e cilësoi si fjalor të pahijshëm formulumin e presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova për agresionin rus ndaj Ukrainës. Kështu nga BDI e vlerësuan fjalimin e presidentes Siljanovska në takimin vjetor me përfaqësuesit e korit diplomatik në të cilin agresionin rus në Ukrainë e quajti operacion ushtarak, definicion që e shfrytëzon Rusia. Nga BDI i bënë thirrje Siljanovskës që qartë të përfaqësojë qëndrimet dhe interesat e vendit.

    “Një narrativë e tillë është e papranueshme dhe bie në kundërshtim me qëndrimet e shtetit tonë si anëtar i NATO-s dhe aspirant për integrim evropian.  Përshkrimi i një agresioni të përgjakshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme si një “operacion ushtarak” relativizon aktet kriminale dhe mohon realitetin e hidhur që po përjeton populli ukrainas. BDI riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe dënon çdo përpjekje për të përdorur gjuhë që i përshtatet propagandës së Kremlinit.  Përfaqësuesit e lartë të shtetit duhet të pasqyrojnë qartë dhe me përgjegjësi pozicionin e vendit tonë, duke respektuar angazhimet tona ndërkombëtare dhe aleancat strategjike”, kumton BDI.

    Me reagim të ngjashëm doli edhe Aleanca për Shqiptarët e Selës, të cilët vlerësojnë se Siljanovska përdor retorikën e Putinit dhe agresionin në Ukrainë e quan “operacion ushtarak”. Përdorimi i shprehjeve të tilla e fundos pozitën ndërkombëtare dhe aspiratat eurointegruese, ndërsa edhe një herë e konfirmon mentalitetin dhe orientimin prorus të Qeverisë së tanishme, thonë nga ASh e Selës.

    “Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s, përdor retorikën zyrtare të Putinit dhe propagandën e Kremlinit zyrtar për një konflikt të paprovokuar që ka shkaktuar mijëra civil të pafajshëm. Përdorimi i shprehjeve të këtilla cënon pozicionin ndërkombëtar dhe aspiratat euro-integruese, ndërsa konfirmon edhe një herë mentalitetin dhe orientimin pro rus të Qeverisë aktuale. Në vend që të reshtohet me vendet perëndimore dhe të respektojë obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO, presidentja e vendit ndjek rrugën e aleatëve të Rusisë, si Sërbia dhe vendet e tjera anti NATO”, reagoi edhe ASh e Selës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV ka rënie të interesimit për t’u bërë polic

    Lajmi i rradhës

    Trumpi betohet si president i ShBA-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë