Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë (SPUP) ka kallëzuar penalisht ish-ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska për shkak të dyshimit se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke penguar lëvizjet sindikaliste dhe punën e SPUP për përmirësimin e të drejtave të pjesëtarëve të ushtrisë, përcjell Nistori.
“Në periudhën prej 1 dhjetor 2023 deri më 28 maj 2024 ka ndërprerë funksionimin e Sindikatës në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, ka ndërprerë pagesën e anëtarësimit në kundërshtim me Marrëveshjen Kolektive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ka ngrirë anëtarësimin dhe me të gjitha këto ka penguae lëvizjen sindikale të Sindikatës”, deklaroi kryetari i sindikatës, Aleksandër Naskovski.
Në të cilën ushtri të NATO-s, thotë Naskovski, sindikata është e bllokuar, nuk respektohen vendimet e kryetarit të sindikatës dhe mjetet transferohen në një llogari tjetër dhe në një person tjetër.
Ai shtoi se Sindikata e Ushtarëve Profesionistë do të protestojë para Qeverisë, nëse siç tha ai nuk ndalet bllokimi dhe krimi ndaj Sindikatës në një kohë sa më të shkurtër.
Ai tha se problemin ia kanë adresuar ministrit Vllado Misajllovski, nga i cili pas marrjes së detyrës janë injoruar, tri herë te Qeveria, prej nga e kanë hedhur përgjegjësinë te Ministria e Mbrojtjes, por edhe te presidentja dhe komandantja supreme e ushtrisë, Gordana Siljanovska-Davkova nga ku nuk kanë marrë përgjigje deri më tani.
“Ky krim ka 11 muaj që vazhdon. Duhet të ketë një dialog social, e jo të bllokohet dhe të vidhet Sindikata. Ushtarët profesionistë kërkojnë zgjidhjen e statusit të tyre, të drejtën e pensionit pas 45 vjeç dhe shndërrimin e marrëdhënies së punës në afat të pacaktuar”, shtoi Naskovski.
Ai ka akuzuar se struktura të caktuara në Ministrinë e Mbrojtjes kanë penguar prej kohësh ushtarët profesionistë dhe Sindikatat sa herë, siç tha ai, ushtarët do të kërkojnë të drejtat e tyre. Kryetari i Sindikatës shprehu shpresën që ministrja e Mbrojtjes të mos heshtë përballë këtyre personave që janë ende në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe këshilloi ish-ministren që të mos kryejë krime të tilla.
Ish-ministrja Petrovska i mohoi akuzat dhe tha se asnjë vendim i marrë nuk ka qenë i kundërligjshëm.
“Qëndroj pas vendimeve që i kam marrë dhe nuk ka asnjë veprim të kundërligjshëm. Kam negociuar me të gjitha sindikatat dhe kemi arritur të harmonizojmë një marrëveshje të re kolektive. Prapavija e këtij kallëzimi penal është fitimprurës dhe nuk i zgjidh problemet me të cilat përballet kërkuesi, që janë të natyrës personale materiale.”, deklaroi Petrovska. /Nistori/