Të shkosh në punë i rrezikuar!

    E drejta për të jetuar nuk është edhe aq e sigurt për një punëtor në Maqedoninë e Veriut pasi sipas raportit të Shoqatës për Siguri në Punë, punëtori i cili punon në Maqedoni ka dy herë më shumë shanse për humbje jete sesa një punëtor i cili punon në vendet evropiane. Dy punëtor ndërtimi humbën jetën në Shipkovic të Tetovës, një tjetër u plagos në Radovish, njëri vdiq në hekuranën e Shkupit, njëri në kantier ndërtimi në Çair, njëjtë edhe një tjetër në qendër të Shkupit, një traktorist vdiq në Kumanovë ndërsa edhe një tjetër në Radovish pas traktori i kishte dal nga rruga, e gjithë këto tragjedi në vetëm 3 muajt e fundit.

    Një aksident me pasojë viktima në Maqedoninë e Veriut ndodh në çdo dy javë, e që sipas raportit të Shoqatës në vitin 2022 ka pasur 22 të vdekur dhe 147 të lënduar nga aksidentet në vendin e punës. Në raport theksohet gjithashtu se ky është një vlerësim konservativ pasi sipas të dhënave të ISHP-së deri në vitin 2022 do të ketë rreth 1.500 lëndime të rënda në vit. Sipas shoqatës, në Maqedoninë e Veriut në vit mesatarisht vdesin mbi 3 punëtor ndërsa në vendet e BE-së rreth 2 punëtor. Në vendet më të zhvilluara ka më pak se një vdekje në 100 mijë punëtor. Frika e Milan Petkovskit nga Shoqata për Siguri në Punë është se numri real i aksidenteve në punë është shumë herë më i madh por që ato rrallë herë raportohen.

    “Vendet e punës në Maqedoni janë një fushë e minuar ku për çdo vit vdekjen e gjejnë me dhjetëra apo qindra punëtor. Kjo nuk shihet në statistikat zyrtare të shtetit, por në raportet e shoqatës tonë. Përgjithësisht, nga viti 2007 e deri më sot numërojmë rreth 500 persona që kanë humbur jetën në vendin e punës”, thotë Petkovski.

    Ai rikujton gjithashtu se Organizata Ndërkombëtare e Punës ka vlerësuar se dëmet nga aksidentet dhe sëmundjet profesionale kushtojnë 4% i BPV-së, që në termin maqedonas është gati gjysmë miliardë euro në vit.

    Petkovski foli edhe për mungesën e regjistrimit të sëmundjeve profesionale ku tha se nëse dërgohen të dhëna në OBSH-së duket se nuk kemi sëmundje profesionale. “Asnjë minator nuk ka vdekur nga silikoza, asnjë vdekje nga kanceri i fituar në punë, nuk ka vdekje as nga melanomat e shkaktuara nga sëmundjet intensive, rrezatimi diellor”, tha ai duke shtuar se në këtë rast ne gënjejmë shumë. Sipas tij, ndryshimet në ligjin e punës të miratuara për autostradën që do të ndërtohet nga Bechtel dhe Enka do ta përkeqësojnë gjendjen edhe më shumë.

    “Të kalosh një ligj në Kuvend që të mund të punosh më shumë se 40 orë në javë pikërisht në kushte të tilla që jemi për momentin është edhe e turpshme edhe qesharake. Do të doja shumë që ata që ngrenë gishtin në Kuvend, të dalin në këtë mot, në 40 gradë dhe pastaj ta votojnë ligjin”, tha ai.

    Me Petkovskin pajtohet edhe profesori i të drejtës së punës Lazar Joveski i cili tha se ndryshimet ligjore janë problematike dhe se në këtë mes ka punë edhe për Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tij fakti se rritja e orarit të punës rrit edhe rrezikun e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, është standard botëror dhe jo standard maqedonas. Gati 9 mijë inspektime dhe 2.500 vendime për mangësitë e konstatuara janë realizuar gjatë vitit të kaluar sipas drejtoreshës së ISHP-së Vesna Tomovska. “Janë lëshuar dhe paguar rreth 100 urdhra për kundërvajtje, janë iniciuar 16 procedura për kundërvajtje si dhe janë ngritur 9 kallëzime penale. Janë kryer 1.767 kontrolle të jashtëzakonshme për lëndime më të rënda në punë, 15 për lëndime kolektive dhe 12 për lëndime me pasoja fatale”, tha Tomovska.

    Shifrat e ISHP-së dhe Shoqatës për Siguri në Punë sa i përket numrit të vdekjeve në punë nuk janë të njëjta pasi nga Shoqata merren në konsideratë të gjithë ata persona që kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa nga ISHP-ja vetëm ata për të cilët është raportuar se janë lënduar në vendin e punës. Profesori Joveski thotë se Maqedonia e Veriut ka legjislacion relativisht të mirë, por problemi qëndron tek mënyra e zbatimit me të cilën po ballafaqohemi prej kohësh. 

    Sipas tij, kultura e abuzimit dhe mospërfillja e ligjit, koncepti ku kërkohet se si të luhet me ligjin, si të gjendet një boshllëk që dispozitat të mos zbatohen si nga punëdhënësi edhe nga punëtori janë ato të cilat na vendosin në fund të Evropës, dhe në aspektin ndërkombëtar nuk jemi shumë të ndritur.

    “Gjobat më të larta dhe më shumë inspektor mund të japin një rezultat të caktuar, por zgjidhja duhet kërkuar në rritjen e ndërgjegjësimit të ligj-zbatimit, trajnimit dhe edukimit, në mënyrë që punëdhënësi dhe punëtori të kuptojnë se respektimi i rregullave të sigurisë në punë është në favor të tyre”, tha ai.

    Profesioni më i rrezikshëm është ai i ndërtimtarisë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit ISHP-ja ka regjistruar 11vdekje në vendin e punës që janë pothuajse aq sa vitin e kaluar, dhe 7 nga të vdekurit janë punëtorë ndërtimi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    “Error” për gjuhën shqipe (Foto)

    Lajmi i rradhës

    Tetovë, ulet rendimenti i grurit për 60 për qind

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë