Qeveria ka bllokuar edhe 173 faqe të reja ilegale për lojëra të fatit online, me çka shkon në 226 numri i përgjithshëm i faqeve të mbyllura për dy muaj. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se brenda një viti veprimtaria e bixhozit është ulur për 40 për qind, ndërsa me shpejtësi të tillë do të vazhdohet edhe me tej. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tërheqin paratë e depozituara nëpër faqe të tilla, duke u shprehur i prerë se të gjitha do të mbyllen.
“Deri dje BDI ndërtonte perandori bixhozi mbi varfërinë dhe dëshpërimin e shqiptarëve, sot VLEN po rrënon këto perandori të krimit dhe po ndërton të ardhmen. Dua tu bëj thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos të rinjve, mos bini pre e email-ave mashtrues, mos luani me fatin tuaj në platformat ilegale, nëse keni mjete të depozituara në këto faqe, tërhiqni ato sa më shpejtë, shteti po vepron dhe këto platforma nuk do të ekzistojnë më”, tha Izet Mexhiti, Zv kryeministër.
Përveç kësaj, Mexhiti paralajmëroi edhe mbylljen e rreth 70 për qind të bastoreve dhe kazinove që ndodhen nëpër lagje, afër shkollave e çerdheve, por tha se kjo do të rregullohet me propozim ligjin e ri për lojërat e fatit.
“Mund të ju informoj se jemi në përfundim të propozim ligjit të ri për lojërat e fatit që mund të ju garantoj që minimum 50 deri në 70 për qind do të jetë më rigoroz me nenet brenda ligjit, të cilat vetëvetiu do të sjellin mbylljen e dikund 70 për qind të bastoreve të kazinove, që janë nëpër lagjet tona, afër shkollave, afër çerdheve gjithandej, që është bërë industria kryesore e qeverisë së kaluar”, u shpreh Izet Mexhiti, Zv kryeministër.
Ai njoftoi se teksti i propozim ligjit është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të prezantohet në Qeveri. /Alsat/