Sivjet asgjë, pagat do të rriten n’mot!

    Sindikatat në Maqedoninë e Veriut kanë kapërcyer edhe kërkesën e mëparshme për një pagë minimale prej 450 euro për të cilën thonë se bile i takon të kaluarës, por thonë se tani dhe në të ardhmen do të duhet të flasim për një rritje të pagës minimale në masën 600, madje edhe 800 euro, duke pasur parasysh se punëtorët e Maqedonisë më së shumti largohen për punë në shtetet e rajonit .

    Kërkesa për rritjen e pagave mbështetet edhe tek ulja e pagave, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, duke iu referuar të dhënave të Entit shtetëror për statistikë. Ata theksojnë se inflacioni aktual flet shumë për stanjacionin e pagave dhe uljen e standardit të jetesës, duke i sjellë qytetarët në treg për të matur sa gramë peshon produkti që të mos u kushtojë shumë sepse janë vënë në një situatë ku po mbijetojnë dita ditës. Andaj edhe kërkohet rritje pagash.

    “Punëdhënësit duhet të kuptojnë se sa më shumë të paguhemi, aq më produktivë jemi. Besoj se në Maqedoni punëdhënësit mund të presin aq produktivitet për 22.567 denarë sa ndajnë nga kapitali i tyre”, thotë kreu i Sindikatave Slobodan Trendafillov. Ai thekson se është dërrmues fakti se sa nga fitimi total shkon për pagat e punëtorëve dhe sa pjesë e kulaçit i mbetet punëdhënësit. Në Bashkimin Evropian, raporti i pagës me kapitalin që mbetet për pronarët e bizneseve është diku midis 60-70 për qind për pagën dhe 30-40 për qind për ta. Ndërsa Maqedonia është një vend në të cilin ndahen vetëm 10-15 për qind për pagat e punëtorëve, dhe gjithçka tjetër u mbetet pronarët e bizneseve që ata të kenë luks dhe t’i sigurojnë vetes gjithçka që punëtorët vetëm mund ta ëndërrojnë, thekson Trendafillov. Sindikatat bëjnë thirrje edhe për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe anekseve të tyre.

    Numri një i Lidhjes së Sindikatave, Trendafillov thotë se presim që qeveria, si partner social, të sigurojë burimet e nevojshme financiare, të gjejë mënyra dhe mundësi për të harmonizuar pagat e shumë kolegëve tanë, veçanërisht në sektorin publik, në aktivitete që janë të nevojshme dhe që për shkak të periudhës zgjedhore nuk ka pasur asnjë harmonizim për pagat e tyre.

    “Ne bëjmë thirrje që të respektohet një marrëveshje kolektive dhe një marrëveshje sociale përmes së cilës do të arrijmë të përcjellim pritshmëritë tona dhe mundësitë e tyre dhe të gjejmë një zgjidhje që do të thotë të mirë për punëtorët. Gjithçka tjetër do të jetë ekskluzivisht në dëm të punëtorëve dhe kësisoj në dëm të shtetit”,thekson ai.

    Nga Sindikatat e Arsimit gjithashtu kanë bërë thirrje për paga më të larta duke marrë parasysh nivelin e pagës themelore pa shtesë në arsim fillor prej afër 33.500 denarë dhe në arsimin e mesëm prej 34 600 denarë që janë relativisht të ulëta karshi pagave të tjera dhe atyre në rajon si dhe në raport me veprimtaritë e tjera, andaj edhe nevojitet që të punësuarit në arsim të kenë paga më të larta si degë e rëndësishme e shoqërisë. Ato kërkojnë edhe rritjen e pagës bazuar në harmonizimin prej 12 për qind me rritjen e muajit mars të pagës minimale. Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se në vitin e ardhshëm planifikohet rritje e pagave në administratën publike, ku është në proces përgatitja e versionit punues, i cili do të duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat.

    “Do të ketë paga më të larta në arsim dhe institucione të tjera, dhe do të kthehen borxhet, tha kryeministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pres që ky propozim-version i buxhetit për vitin e ardhshëm të prezantohet në seancën e Qeverisë javën e ardhshme, e më pas, sipas rendit dhe procedurave, të prezantohet para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Kështu që rritja e pagave parashikohet si në kuadër të arsimit ashtu edhe në institucionet e tjera, varësisht nga mundësitë. Pres që konsolidimi të përfundojë deri në fund të vitit, tashmë një pjesë e madhe e borxheve ngadalë por me siguri po kthehen, ngadalë llogaria e Qeverisë po del nga bilanci negativ që e kemi trashëguar”, tha Mickoski.

    Ai përkujtoi se llogaria e Qeverisë më 24 qershor të këtij viti ka qenë rreth minus dymbëdhjetë miliardë denarë, minus 200 milionë euro dhe tani, siç ka treguar ai, po i afrohet pozitive zeros dhe pret që të jetë pozitive tashmë nga tetori, sepse një pjesë nga borxhet janë duke u kthyer, dhe siç ka theksuar ai, janë përmbushur obligimet e harruara.

    “Mund t’ju them sot, para se të vija këtu, kam pasur një takim me drejtorin e ish-ELEM-it, ESM-së së sotme, atje diku borxhet janë rreth pesë miliardë, disi kjo pesë u bë markë e tyre, pesë miliardë borxhe për pensionistët, pesë miliardë në fondin e shëndetësisë, pesë miliardë ESM, etj. Borxhet po grumbulloheshin, paratë po derdheshin në xhepat e privatëve. Pak a shumë, ky është realiteti që kemi trashëguar. Por nuk ka as rënkime, as keqardhje, prandaj morëm besimin e qytetarëve që të punojmë shumë dhe të dalim nga kjo moçal që trashëguam dhe më në fund të hyjmë në procesin e zhvillimit dhe të projekteve”, theksoi kryeministri Mickoski.

    Nga Organizata e Punëdhënësve lidhur me kërkesën për rritjen e pagës minimale në 450 euro, thonë se çdo rritje tjetër e pagës minimale, jashtë asaj ligjore apo harmonizimit të rregullt në muajin mars , do të sjellë probleme në ekonomi.

    “Paga jonë minimale është shumë më e lartë se shuma që do të merrej sipas direktivës evropiane të pagës minimale, është të paktën 57 për qind e mesatares dhe direktiva rekomandon 50 për qind . Një shumë më e lartë e pagës minimale do të çojë në ‘ngjeshjen’ e një numri në rritje punëtorësh me nivele të ndryshme arsimimi dhe aftësish në të njëjtin nivel, gjë që çon në demotivimin e punëtorëve të mirë. Krahasimi i pagës minimale me vendet e tjera nuk bëhet thjesht duke krahasuar shumat, por duhet krahasuar me pagën mesatare në vend, Bruto Produktin e Brendshëm për frymë dhe taksat mbi pagën. Për shembull, në Mal të Zi taksat janë 20 për qind në raport me pagën bruto, ndërsa tek ne është rreth 33 për qind . Aty nuk paguhet taksë personale për pagat deri në 700 euro dhe nuk paguhet as kontribut shëndetësor, gjë që bën që shumat të mos krahasohen”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënsve.

    Ekspertët ekonomik janë në favor të rritjes së pagave me një marrëveshje nga ana e të gjithë palëve.

    Rritja e pagave duhet të jetë në marrëveshje mes sindikatave, si në Austri dhe në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore që kanë standarde të larta sociale, dhe jo të vendosë qeveria, thotë analisti ekonomik Branimir Jovanoviq, duke shtuar se ky është thelbi i marrëveshjeve kolektive. Një minimum për (rritje), në përgjithësi për të gjitha pagat dhe të ardhurat e tjera, është inflacioni i vitit të kaluar që të mos ketë humbje të fuqisë blerëse.

    Në Maqedoni, si shtet me paga të ulëta, në parim duhet të jetë më shumë se kaq, që pagat të fillojnë të arrijnë ato evropiane. Një rregull tjetër për ngritje është inflacioni plus rritja e ekonomisë, në mënyrë që pjesa e pagave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të mos ulet, thekson Jovanoviq. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Jo, kompjuterët nuk mund të vërtetojnë se çfarë ka shkruar në të vërtetë Shekspiri

    Lajmi i rradhës

    KE: pa bullgarët në kushtetutë, s’ka nisje të negociatave për RMV-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë