Skandali i korrupsionit në Parlamentin Europian, Borrell: Është shumë shqetësuese

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha sot se hetimi që Belgjika po kryen për korrupsionin e dyshuar në Parlamentin Evropian është “shumë shqetësues”.

    “Sigurisht që lajmet janë shumë shqetësuese. Ne po përballemi me disa ngjarje, disa fakte që sigurisht më shqetësojnë mua si ish-president i Parlamentit Evropian”, tha Borrell pas mbërritjes në takimin e ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

    Gjyqësori belg kreu disa kontrolle të premten si pjesë e një hetimi të hapur në mes të korrikut të këtij viti për një organizatë të dyshuar kriminale që depërtoi në zemrën e Parlamentit Evropian dhe dyshohet për ndërhyrje në politikën e sindikatave dhe korrupsion përmes Katarit.

    Zyra e Prokurorisë Federale njoftoi se janë kryer 16 kontrolle në disa komuna të Brukselit dhe se kontrollet janë kryer “si pjesë e një hetimi të gjerë për aktet e dyshuara të organizimit kriminal, korrupsionit dhe pastrimit të parave”.

    Gjatë kontrollit u sekuestruan 600 mijë euro para në dorë, si dhe pajisje kompjuterike dhe telefona.

    Prokuroria belge ka ngritur dje akuza ndaj katër personave të dyshuar për marrjen e parave dhe dhuratave për të ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian në favor të një shteti të Gjirit.

    Parlamenti Evropian njoftoi se zëvendëspresidentes Eva Kaili i pezulluan kompetencat dhe detyrat, ndërsa socialistët grekë, Lëvizja PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftuan se ajo u përjashtua nga partia.

    Ndërkohë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock paralajmëroi se besueshmëria e Bashkimit Evropian është vënë në pikëpyetje në rastin e korrupsionit të dyshuar në Parlamentin Evropian.

    Ajo bëri të ditur se ky, siç e quajti ajo, “incident i pabesueshëm”, duhet të zbardhet tërësisht me zbatimin e plotë të ligjit.

    “Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Bashkimit Evropian, kështu që ka pasoja në fusha të ndryshme”, u tha Baerbock gazetarëve pas mbërritjes në takimin ministror të BE-së në Bruksel. /kp/

    Lajmi Paraprak

    Parlamenti i Holandës miraton rezolutën për rivendosjen e vizave për Serbinë

    Lajmi i rradhës

    Psikologët: Lavdëroni fëmijët për mundin, jo për inteligjencën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë