Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se të gjithë anëtarët e Komisionit për falje kanë dhënë dorëheqje, për arsye personale dhe profesionale.
“Anëtarët e Komisionit për falje sot e kanë informuar presidenten Gordana Siljanovksa Davkova se kanë dhënë dorëheqje kolektive nga pozitat në Komision”, njoftuan nga Presidenca, e cila ka njoftuar se së shpejti do të fillojë konsultimet për përbërjen e re të Komisionit, ndërkohë ka vlerësuar që sistemi për falje ka dobësi ligjore.
Presidentja ka pranuar dorëheqjen e Metodija Kanevçevit, Gordan Kallajxhievit, Arlinda Kadriu Shahinoviqit, Zora Mitiqit, Ana Gjorgjieva Ivanovskës dhe Ajtene Shaqirit.
Ndryshe, konsideroj se ndoshta është koha për një “rifreskim” në Komisionin për falje, tha më 25 tetor ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kuadër të vendimit të fundit për faljen e të dënuarve nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila këto ditë shkaktoi një valë reagimesh në opinionin politik dhe publikut të gjerë.