SKANDALI ME LIBRIN E GJUHËS SHQIPE | MASh: Do të korrigjohen lëshimet, arsimi është politikisht neutral

    Ende pa kaluar 24 orë, ministria e Arsimit dhe Shkencës bëhet pishman. Tani kërkon korrigjimin e librit të gjuhës shqipe për klasën e pestë në të cilin autori Vehbi Kadriu, babai i një zyrtari të BDI-së, kishte përfshirë këtë parti politike. Nga dikasteri i Shaqirit që dje për Alsat përmes një kumtese me dhjetëra gabime gjuhësore mbronte me çdo kusht autorin Kadriu, sot thonë se procesi edukativo-arsimor duhet të qëndrojë jashtë politikave ditore partiake dhe duhet shmangur involvimi i një strukture të caktuar politike në tekste shkollore.

    “Duke marrë parasysh atë se arsimi, ndërsa gjithashtu i gjithë procesi edukativo-arsimor janë politikisht neutrale dhe jashtë politikave ditore partiake, ndërsa me qëllim të shmangies së involvimit të një partie ose strukture të caktuar politike në tekstet shkollore, do të korrigjohen lëshimet në tekstin shkollor gjuha shqipe për klasën e 5-të. MASH i bën thirrje autorit të tekstit shkollor të theksuar dhe Shërbimit Pedagogjik të veprojnë sipas Ligjit për tekstet shkollore”, – Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    Për këtë rast, profesori veteran Xheladin Murati bën thirrje që politika t’i mbajë duart larg shkollave. Ai tha se për nxënësit e klasës së pestë nuk janë të nevojshme informacionet për parti politike përkatëse.

    “Gabimi që ka ndodhë, nuk e di a me arsye ose pa arsye, sepse me arsye është nëse autori ka përfitime politike, është pa arsye sepse për të shpjeguar fjalët të cilat i përdoren autori, ka shumë raste të tjera dhe shumë shembuj më konkret dhe më praktik, për shembull, në vend që të thuhet BDI, sepse kur nxënësit do pyesin çka është BDI-ja, mësuesi duhet gjerësisht të ua shpjegojë çka është BDI-ja, kush ka qenë e si vepron si vepron dhe kështu implikohet politika, implikohet partia dhe me këtë ne bëjmë politizimin e librit, politizimin e mësimit”, tha Xheladin Murati, profesor veteran.

    Murati alarmon për nivelin e gabimeve në libra, thotë se nëse analizohen të gjitha, mund të ngelim pa libra. Ai shtoi se në këto raste, as recensentët, as redaktorët, as korrektorët e as përkthyesit nuk e bëjnë punën e tyre si duhet.

    “Politika nuk e ka vendin në shkollë dhe arsimi duhet të depolitizohet dhe të departizohet, aq më pak kur në librat shkollorë ekzistojnë të dhëna se ka tendenca për partizim ose politizim. Në këtë rast, në librat shkollorë ka aq shumë gabime dhe aq shumë mangësi, sa nëse ulemi t’i analizojmë, krejt librat duhet të tërhiqen prej përdorimi” “Ne nuk duhet të presim që libri të ketë 30% siç thotë ministri gabime që ta tërheqim nga përdorimi,  libri duhet të përmirësohet sepse me këtë krijojmë dije të gabuara, dije jo objektive, dije joreale, të cilat implikojnë edhe krijojnë një harmoni jo të mirë mes nxënësve”, deklaroi Xheladin Murati, profesor veteran.

    Ndryshe, fakte të shtrembëruara dhe joreale ju servohen nxënësve edhe përmes librit Shoqëria dhe Historia, librit të Gjeografisë dhe tjera. Shaqiri për gjithë këto gishtin e drejton nga Komisioni Nacional i Teksteve Shkollore i cili udhëhiqet nga Jovanka Lazareska Stançeska në të cilin ka 19 anëtarë, 6 prej tyre janë shqiptarë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Artan Grubi dëmshpërblen “branitellat”

    Lajmi i rradhës

    BDI hesht ndaj akuzave të “Grupit të zjarrit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë