Këta njerëz që bënë qindra milionë euro biznes, praktikisht u pasuruan në kurrizin e qytetarëve duke përdorur mjete të tilla ilegale, duke rrezikuar kështu jetën e qytetarëve. Kushdo që ka bërë një gabim para ligjit do të përgjigjet, pavarësisht se kush është, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski si koment për rastin e prokurimit të mazutit kancerogjen.
I pyetur se sa i kënaqur është me masat e dhëna nga gjykata për të dyshuarit, Mickoski tha se nuk dëshiron të komentojë vendimet e gjykatës.
“Nuk do të komentoja vendimet e gjykatës. E kam thënë shumë herë në të kaluarën. Por mund të them se këta njerëz bënë qindra milionë euro biznes mbi kurrizin e qytetarëve, praktikisht u pasuruan në kurrizin e qytetarëve të Maqedonisë duke përdorur mjete të tilla të palejueshme dhe duke djegur substanca të tilla të palejueshme, duke rrezikuar kështu jetën dhe duke e shkatërruar të drejtën e vetme për jetë që është e garantuar me Kushtetutë për të gjithë qytetarët”, tha Mickoski.
Në lidhje me atë se a ka ndonjë instrument dhe mekanizëm për të parë se çfarë mazuti është importuar në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023, duke pasur parasysh se informacionet fillestare janë se bëhet fjalë për blerjen e mazutit me origjinë dhe cilësi të dyshimtë, ndërsa kallëzimet penale janë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për pastrim parash, Mickoski tha se hetimi duhet të përfundojë.
“Të presim derisa të përfundojë hetimi dhe vetëm pas përfundimit të hetimeve mund të komentojmë të gjitha dyshimet e bazuara për të cilat do të akuzohen këta persona. Deri atëherë do t’i përmbahemi asaj që MPB-ja dhe Byroja për Siguri Publike i kanë bërë të ditur opinionit”, tha Mickoski.