SKANDALI ME PROVIMIN E DJALIT TË XHAFERIT | “Asnjëherë nuk kam ndikuar në vendimet e institucioneve”

    Talat Xhaferi / Fotografia: Nistori

    Asnjëherë nuk kam ndikuar në vendimet e institucioneve, tha sot kreu i parlamentit Talat Xhaferi pasi antikorrupsioni zbuloi që djali i tij kishte dhënë provimin e jurisprudencës pa i plotësuar kushtet ligjore për këtë ndërsa së shpejti pritet të përfundojë Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik që është kusht për të zënë vendin e ndonjë gjykatësi apo prokurori.

    “Sa i përket punës dhe famës së çështjes së djalit, mendoj që kjo konferencë për shtyp është në suaza të vizitës, do të keni mundësi që në takimet e radhës të keni prononcim edhe për këtë. Një gjë e di, në jetë për asgjë si bartës funksioni nuk kam ndikuar në vendimet e asnjë institucioni”, tha Talat Xhaferi.

    Për anulimin e provimit të jurisprudencës të djalit të kryeparlamentarit, Barlet Xhaferit, nevojitet vendim gjyqësor ndërkaq nga komisioni Antikorrupsion ende nuk e dinë nëse ky rast do të iniciohet në gjykatë pasi që po vijojnë hetimet. Deri atëherë, nga Ministria e Drejtësisë shpallen jo kompetent për të vepruar.

    “Në qoftë se organet kompetente zbulojnë keqpërdorime rreth dhënies së provimit të jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë do të veprojë në përputhje me vendimet të cilat këto organe do t’i sjellin. Në lidhje me mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës të Barlet Xhaferit, ju informojmë se Ministria e Drejtësisë do t’i respektojë të gjitha vendimet të cilat do të sjellën nga ana e institucioneve kompetente”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

    Nuk dihet nëse ka precedent për anulimin e certifikatës të provimit të jurisprudencës pasi që të gjitha këto dokumente ishin djegur në vitin 2018, kur objektin e ministrisë së Drejtësisë e kaploi flaka. Edhepse ish-ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, deklaroi se të gjitha universitetet asokohe kanë lëshuar vërtetime si ato të UEJL-së, nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Tetovës dhe Universiteti Shën Kirili dhe Metodi për Alsat deklaruan se nuk kanë lëshuar vërtetime të tilla, gjegjësisht janë lëshuar vërtetime për kryerjen e studimeve, por jo edhe shkalla 7/1.

    “Në certifikatat dhe diplomat për studimet e kryera universitare, janë shënuar vetëm kreditet e fituara ECTS dhe titulli profesional, pa treguar nivelin dhe nënnivelin e kualifikimit, përkatësisht shkallën e kualifikimit”, thonë nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi.

    “Në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, nuk janë lëshuar vërtetime të tilla. Vërtetimet lëshohen vetëm në harmoni me Ligjin e arsimit të lartë”, u shprehën nga Universiteti i Tetovës.

    Ndryshe, Komisioni Antikorrupsion aktualisht po heton nëse ndonjë prej gjykatësve dhe prokurorëve aktual ka kaluar provimin e jurisprudencës në mënyrë të kundërligjshme. Zhdukja e dokumenteve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë po e vështirëson këtë proces. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor në Maqedoni, tentojnë të shpëtojnë veten nga korrupsioni

    Lajmi i rradhës

    Taravari: Nuk kemi informata të sakta të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë