SKANDALI NË ONKOLOGJI | Sali: asnjëherë nuk u morën parasysh vërejtjet e mia për mungesën e ilaçeve

    Ish ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, para deputetëve të komisionit hetues pranoi se ka pasur dyshime dhe shqetësime për mënyrën se si funksionin Klinika e Onkologjisë. Rritja e borxheve, dobësi në planifikim dhe kontrollit për furnizim me terapitë dhe mungesa e protokolleve mjekësore që përcaktojnë rregullat për përfshirjen e pacientëve në terapi biologjike, kanë qenë disa nga lëshimet që ai ka konstatuar.

    “Kjo do të thotë se të gjitha institucionet kompetente kanë qenë në dijeni për mungesën e herëpashershme të barërave në Klinikën e Onkologjisë, por asnjëherë nuk janë marrë masa efektive. Prandaj i bëra thirrje drejtorit të atëhershëm dr. Nino Vasev, menaxher i Klinikës që të ofrojë një plan të zbatueshëm për tejkalimin e këtyre sfidave, por fatkeqësisht kërkesa ime kaloi në heshtje. Pas kësaj nga dr. Nino Vasev kërkova të jepte dorëheqje”, deklaroi Bekim Sali, ish ministër i Shëndetësisë.

    Pushteti kërkon nga Sali të dijë që nëse konstatohen shkeljet, a do ta pranojë përgjegjësinë, politike por edhe penale.

    “Nëse keni pasur çfarëdo indikacionesh, njohurish, dëshmi konkrete, a i keni denoncuar në institucionet kompetente si Prokuroria Publike, Minstria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Shëndetësor, dhoma e mjekëve ose Fondi Pensional? Shpresoj që nëse e keni ditur dhe nuk e keni paraqitur, e dini se edhe ju jeni bashkëpunëtor. Kjo nënkupton mosdenoncim të veprës penale”, tha Martin Kostovski, LSDM.

    “Ministri i Shëndetësisë nuk është organ hetues që duhet të hetojë dokumentacionet. Sigurisht, e ka për detyrë të bashkëpunojë me të gjithë organet hetuese dhe të iniciojë komisione kur dyshon se diçka nuk është në rregull në atë Klinikë. Unë duhet t’u them se në pjesën e financave, përgjegjës është Fondi për Sigurim Shëndetësor. Në pjesën e terapisë Malmed është institucioni që jep leje për regjistrim dhe aplikim për trajtim profesional me barëra të caktuar”, shtoi Bekim Sali, ish ministër i Shëndetësisë.

    Pas ish ministrit Sali, para deputetëve doli ministri i Brendshëm Spasovski. Ai thotë se ministria punon në zbardhjen e rastit por përgjegjësinë për vonesat në ngritjen e padive e adresoi të Prokuroria Publike. Spasovski tha se informacioni i parë nga MPB-ja në Prokurori për keqpërdorime në Onkologji daton që nga viti 2012, por nuk ka pasur padi.

    “Ministria e Punëve të Brendshme ka lënë hapësirë që të fshihen gjurmët, ndoshta të asgjësohen disa gjëra që ndoshta më tej në hetim do të ndihmonin që të merret vesh e vërteta dhe fajtorët e vërtetë të dalin para drejtësisë… Nëse ministria e Brendshme me rekomandim të Prokurorisë i ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet për mbledhjen e dëshmive materiale dhe ka gjetur dëshmi cilësore përse nuk kemi padi edhe pas më shumë se 40 ditësh?”, pyeti Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

    “Gjatë kësaj periudhe bëhen dy lloje të ekspertizës. Njëra është për të gjitha pajisjet elektronike nga të cilat janë bartur të gjitha të dhënat që janë aty dhe e dyta, ekspertizë nga ekipe profesionale për dokumentet mjekësore. Kemi marrë mbi 50 kartone shëndetësore të pacientëve të klinikës. Kur të përfundojë ekspertiza do të merren dhe masa të tjera, megjithatë ngritja e padive nuk është kompetencë e jona por e prokurorisë”, deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

    Komisioni hetues do të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë gjatë seancave të ardhshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti e përsërit: Tërhiqemi nga qeveria, nëse VMRO-DPMNE voton ndryshimin e Kushtetutës

    Lajmi i rradhës

    NËNSHTETËSIA / Limani nuk është e rrezikshme për shtetin, gjykata hedh poshtë vendimet e MPB-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë