Skemë mashtruese me pensione invaliditeti – 23 të arrestuar, një në arrati!

    23 persona u privuan nga liria, ndërsa një person, i cili dyshohet për një sërë veprash penale, është i pakapshëm nga organet e rendit, pas operacionit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Ministrisë së Brendshme, të kryera në disa lokacione në zonat e Shkupit, Velesit, Tetovës dhe Gostivarit, pas dyshimeve për keqpërdorime në procedurat e përfitimit të së drejtës për përkujdesje nga person tjetër dhe të drejtës për pensione invaliditeti. Duke vepruar mbi kallëzimin penal, prokuroria lëshoi një Urdhër për procedurë hetimore kundër 49 personave.

    “Gjatë vitit 2023, i dyshuari i parë, një ish-punonjës i një klinike universitare, së bashku me dy të dyshuar të tjerë, krijuan një grup kriminal, i cili kishte për qëllim kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm” dhe “Dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm”. Ndërkohë, 9 të dyshuar të tjerë u bënë anëtarë të grupit, dy prej të cilëve, si mjekë specialistë, ishin kryetarë të Komisionit të Ekspertëve për dhënien e konstatimeve, vlerësimeve dhe mendimeve mbi nevojën për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër në kuadër të Spitalit të Velesit, ndërsa mjekët specialistë të tjerë ishin të punësuar në Spitalin e Velesit, Klinikën Universitare për Neurologji Shkup, Ordinancë e mjekësisë së përgjithshme dhe ordinancat specialistike nga Velesi, një avokat nga Velesi dhe një zyrtar në Institucionin Publik Qendra për Punë Sociale – Tetovë”, thotë Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Një nga institucionet që dyshohen se ka pasur keqpërdorime, është pikërisht edhe Klinika e Neurologjisë ku ministri aktual i Shëndetësisë është i angazhuar si doktor. Ministri Arben Taravari tha se i mbështet aksionet e tilla.

    “Ne nuk jemi as polici, as prokurori e as nuk i ndjekim njerëzit, megjithatë i përshëndes të gjitha aksionet edhe unë e di se ka fenomene të tilla, nuk dua të gjeneralizoj se nuk janë të gjithë mjekët, por aty ku ka dyshime, i mbështes të gjitha dhe si Ministri e Shëndetësisë jemi këtu për të ndihmuar këto aksione, që të pastrohemi nga krimi dhe korrupsioni”, tha Arben Taravari.

    Siç njoftojnë nga MPB-ja, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 110.000 euro, 65.000 denarë e 100 dollarë, disa celularë, fletore me të dhënat e debitorëve, si dhe dokumentacion i ndryshëm mjekësor dhe disa vula faksimile. Të dyshuarit sot janë sjellë para gjykatësit për procedurë paraprake në Gjykatën Penale në Shkup. Prokuroria, duke marrë parasysh veprat penale të kryera nga secili i dyshuar veç e veç, si dhe lartësinë e dënimeve që rrezikojnë dhe caktimin e masave të sigurisë, propozoi caktimin e paraburgimit për 12 të dyshuarit, ndërsa për tre të dyshuarit u shqiptua masa e arrestit shtëpiak, ndërsa për personat e mbetur u propozua masa e kujdesit. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Dëbimi i shtetasve kroatë nga Serbia – Drama njerëzore në mes të tensioneve politike

    Lajmi i rradhës

    A mund të frenohen falimentimet e kompanive gjermane?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë