Si shfaqet maskilizmi në fjalë të urta, tradita e kanun?

    Psikologe – Kristal Hila

    MASKILIZËM

    Epërsia e supozuar e burrit ndaj gruas, e lidhur tradicionalisht me atributet e burrërisë; qëndrimin ose sjelljen që rrjedh prej tij, në pasqyrimet e tij shoqërore.

    Fatkeqësisht, jetojmë akoma në një shoqëri maskiliste, kryesisht në Shqipëri ku emancipimi në këtë aspekt duket vite dritë larg.

    Jetojmë në një shoqëri ku prindi lumturohet më shumë që të lindë djalë se sa vajzë «që të mbahet gjallë mbiemri». Ku preferohet të punosohet një burrë se sa një grua, në pozicione të larta pune. Ku në qoftë se një burrë ka patur shumë marrëdhënje është «i shkathet» ndërsa një grua në të njëjtën pozite quhet e përdale.

    TRADITA

    Që në periudhat më të hershme, roli kryesor i gruas ka qënë gjithmonë si shërbëtore.

    Duhet të mbante shtëpinë, ti lante këmbët burrit dhe vjehrrit dhe të shtronte tavolinën për të tjerët, se ajo do hante në fund.

    Duke filluar që në gjenezat e jetës së një foshnje, induktohet një mëndësi maskiliste, ku djali është shumë më lart se vajza. Kur lindte djalë duhet ta dinin të gjithë, gjuanin me armë në ajër, bëhej festë e madhe; ndërsa kur lindte vajzë një kafe e thjeshtë ishte më së e mjaftueshme.

    Nuk duhet lënë pa permendur që vajza mësohej që e vogël që të conte kafet në tavolinë, të shërbente kur vinin miq në shtëpi, ndërkohë që në atë moshë gjëja e vetme që duhet të bënte ishte të luante me kukulla.

    Objektivi i jetës duhet të ishte që të mësonte si të sillej te shtëpia e burrit, te shtëpia e saj e ardhshme.

    Natyrisht, vajza nuk kishte të drejtë të shprehte mendimin e saj, apo dhe të fliste. Thjesht, duhet të bënte atë që i thuhej, pa kundershtuar.

    KANUNI I LEKE DUKAGJINIT

    Libër i tretë

    Martesa

    Krye i dytë

    Nye i dymbdhetët – 12

    Tagri i vajzës:

    vajza, edhe në mos pasët prindë, ajo s’ka tagër me mendue për martëse të vet, tagri në dorë të vllaznve a të kushrijve.

    Vajza s’ka tagër:

    a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë për atë, për të cilin t’a fejojn

    b) m’u perzie në shkusi as në fejesë

    c) as në kepuce as në petka

    Nye i trembdhetët – 13

    Grueja a’ në dëtyrë:

    a) me i a ruejtë nderin burrit

    b) me i rrogue pa zhibla

    c) me i ndej nën sundim

    d) m’u pergjegje dëtyrve të kunores

    e) me i ndejë gadi më të veshmen e të mbathmen

    f) mos me i u perzie në fejes të të bijvë e të të bijave

    Tagri i grues

    Grueja ka tagër me lypë prej burrit të mbajtmen, veshen e mbathen

    Krye i tetët

    Trashigimet

    Tagri i trashigimit në Kanu

    Kanuja njef për trashigues djalin dhe jo vajzën

    As te prindja as te burri grueja s’hin në pjesë te trashigimit

    Krye i tretë

    Nye i shtatëmbdhetët – 17

    Tagri i djalit me për me leshue vajzën e zanun

    Njatë here kur ti teket djalit, asht i lirë me leshue vajzën e xanun, porse sheji e gjithsa pare të ket la për vajzë i hupin; arsyeja asht: “Kush e lshon vajzën ndër unaze, kanuja i a ban gjobe hem shejin hem paret sa të kete la per të”.

    Vajza nën unaze nuk ka tagër me lshue djalin

    Vajza e xanun nuk mundet me e lshue djalin edhe në mos e pastët për sy. Po s’nigjoj vajza me shkue m’at fat, qi e kanë xanë, e edhe prindja i përkrahën se bisë, kjo s’mund të martohet ma për të gjallët e dhandrrit me tjetërkënd.

    Edhe po muer tjetër grue dhandrri vajza e xanun prej tij jet e lidhun se e lidhun.

    Me dekë te dhandrti, kanuja e liron vajzën, e po desht, mund të martohet për arsye qi “me deke të dhandrrit, sheji xehet i hupun”. Po s’ndigjoi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xanë, edhe me perdhuni do t’ia apin atij, qi e ka xanë me “Fishek me shinë”; e për n’i rafte per sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek të prindës së saj, e gjaku i vajzes shkon hupes, për arsye qi me fishek të tyne e vrau.

    Nye i nandëmbëdhetët – 19

    Cmimi qi nepej e nepet per gra

    Cmimi qi nepej per varza e gra, tash 50 vjet e andej, përbahej prej 50,100.200 mije 400 grosesh.

    Cmimi i kanusë së vonë përbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues.

    Krye i pestët

    Nye i njizetetetët – 28

    Me e rrahe burri gruen, nuk bjen ne faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojne te rrahmen.

    Nye i njizetenandët – 29

    «Grueja asht shakull për me bajte»

    Grueja njifet si calikë për me e bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja s’hjekin dorë prej sojet, e ndalin për vedi e mbi vedi të përgjegjmen për të, por edhe me lypë arsye, me ba me e gjetë gja.

    Nye i tridhetëparë – 31

    (Me lshue gruen)

    Për dy punë e ka fishekun në shpinë grueja e për një punë i pritet theku e lshohet.

    a) Për kurvni

    b) Për mik te prem

    Për këto dy pune të pabesijet i shoqi e vret të shoqën, e rrin pa ndore, pa bese e pa kene i ndjekun për gjak, se prindja e grues së gjakut marrin cmimin e gjakut, e këtij do t’i napin fishekun e do t’i qesin dorëzanet.

    Grueja, qi lshohet, tuj dale shpijet te burri, kurrnji send s’ka tagër me marrë me vedi pose petkash, qi ka në shtrat. I hupin petkat e grues së lshueme, përse cmimi që ka pasë la burri për të, i jet ka prindt.

    Krye i gjashtët

    Nye i tridhetëtretë – 33

    Tagri i burrit mbi gruen

    Burri ka tagër:

    a) Me kshillue e me qortue gruen:

    b) Me rrahë e me lidhë gruen e vet, kur të mbrrijë me i a perbuzë fjalën e udhnit

    «FJALE TE URTA»

    Sa vrima ka muri, aq halle ka burri.

    Guri te muri, vajza te burri.

    Kur blen mall, nxitohu; kur merr grua, mendohu.

    Burri eshte cadra e gruas.

    Burri krijon ligje, gruaja krijon zakone.

    Vajzën jepe në fis të mirë, se ta rregullojnë ata.

    Nderi i burrit është gruaja.

    Shtepinë e mban gruaja.

    Bërtiti satë bije që të të dëgjojë nusja.

    Goca pa nder, si lulja pa erë.

    Nuse e bukur farfuri, por nga mendtë firifi.

    Shtat e hije si asnjë shoqe, mendtë në krye asnjë koqe.

    Gruaja e fut shejtanin në shishe.

    Gruan dhe kaun merre nga vendi yt.

    Gjuha e gruas shkrep pushken e burrit.

    Fshati digjet, kurva krihet.

    Lind djalë, e kam unë meriten; lind vajzë, e kemi te dy.

    Flokë gjata, mendja pakta.

    Një nga gjërat më të trishta është vlerësimi kaq i madh për mikun dhe parëndësia e vajzës.

    Kur vinte miku në shtepi duhej respektuar në të gjitha mënyrat, që nga ushqimi, pija, fjetja dhe duhej kënaqur dhe nga ana seksuale. Ishte një nder ti jepje gruan «borxh» për natën që do kalonte në shtëpi.

    Vazhdojmë të kemi akoma një mëndësi të asaj cfarë mendojnë të tjerët, të presim sa më mirë miqtë, të jetë sa me e perfekte paraqitja e jashtme, saqë anashkalohet se si ndihen në të vërtetë vajzat, cfare duan në të vërtetë ato.

    Kohë më parë, vajzat shikoheshin si pronë, deri në gradën e një skllave, dicka për «tu shitur» duke e martuar për ta nxjerrë nga shtëpia, që të shkojë te shtëpia e saj e vërtetë.

    Ndërsa tani ndoshta nuk shikohen më si pronë, ama të drejtat nuk janë të barabarta për të gjithë. Për të aplikuar për një punë, për tu pranuar në një pozicion domëthënës pune, apo për të bërë një punë që ka qënë gjithmonë e përfaqësuar nga burrat, gratë janë një shkallë më poshtë, gjithmonë duhet të bëjnë dyfishin e punës, për të treguar dicka të dukshme.

    Nqs refketojmë, se kush është bartësi aktual i këtij mentaliteti të sëmurë dhe të dëmshëm që i kthen gratë në një rol “skllave” shtëpiake, të privuar nga liria e zgjedhjes dhe e veprimit, shikojmë që bartëse janë vetë gratë, nënat që sjellin në botë dhe i rrisin këta fëmijë meshkuj si të ishin perëndi, të aftë për çdo gjë, të paprekshëm dhe arrogantë.

    Gjyshet e ardhshme e konsiderojnë akoma ndryshe idenë e të pasurit një mbesë me nje nip. Lindja është një bekim. Qoftë djalë apo vajzë, do të marrë gjithë dashurinë e botës nga mami, babi, gjyshërit, etj. Kemi parë gra që qajnë me lajmin se nusja e tyre priste një vajzë. Ose gra që i konsiderojnë djemtë e tyre ndryshe nga vajzat e tyre. Për të mos folur për nusen e ardhshme: asnjë grua nuk do të jetë kurrë e denjë për të, askush nuk do të ketë kurrë aftësitë e tij, askush nuk do të jetë mjaftueshëm e bukur… Dhe mbi të gjitha, ajo kurrë nuk do ta dojë atë si nëna e tij.

    Ka patur gjithmonë elementë maskilistë në shoqerinë tonë.

    Duke filluar nga traditat deri te fjalët e urta, ku ato fjalë percillen brez pas brezi, për të ruajtur «kulturën» apo shprehje të mocme, por a ia vlejne të ruhen të tilla fjalë të urta, të tilla zakone?!

    Djemtë edukohen që të vegjël që janë më superior se vajzat, që janë më të rëndësishëm. Dhe vazhdohet të rritet një brez djemsh, ku e marrin për të mirëqënë që ta kenë darkën gati, rrobat e hekurosura, që kanë gjithmonë të drejtë dhe nuk i duhet kthyer fjala.

    Mendoj që në vëndin tonë është i radikalizuar aq thellë maskilizmi, sa dhe në gjërat e vogla të lartpërmëndura, nuk shikohet si përqasje maskiliste.

    Edukimi ndaj respektit është hapi i parë drejt një shoqërie më pak maskiliste! /Humanum/

    Lajmi Paraprak

    Përdorimi i zgjatur i rrjeteve sociale na vështirëson marrjen e vendimeve të përditshme

    Lajmi i rradhës

    BURGJET E STËRMBUSHURA TË DANIMARKËS

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë