Mbi 1.000.000.000 njerëz jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar. Këta persona vuajnë nga një kufizim që kanë në kryerjen e një aktiviteti apo detyre dhe kështu shpesh nuk do të jenë në gjendje të përfshihen në shumë situata të jetës. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Shumë persona edhe pse jetojnë me një paaftësi të caktuar, i përshtaten shumë mirë realitetit, kërkojnë të përfshihen në të gjitha veprimtaritë, kërkojnë të pranohen nga shoqëria… Por si i trajton shoqëria ata? Si i trajtojmë ne të gjthë? Me çfarë vështirësish jetojnë ata çdo ditë të jetës? Ja keni bërë ndonjëherë këto pyetje vetes ndërsa shikoni dikë që ecën me një karrocë elektrike pranë jush? E dini se çfarë përgjigje mund të merrnit prej tij?
Unë jetoj çdo ditë me këtë kufizim, dhe shpesh më duhet…
• Të pres për dikë që të më ndihmojë të ngjiten me karrocën time në ato shkallët e pallatit që nuk e ka një vend të posaçëm për mua. Dhe kjo ma bën jetesën shumë të vështirë edhe pse unë e kam pranuar që jetoj në një karrocë me rrota.
• Me duhet cdo dite të pranoj dhe shpresoj njëkohësisht në gjatë intervistës tjetër për punë të më pranojnë. Ata ndoshta nuk e dinë që unë jam shumë i aftë në atë punë, ose të paktën kështu e shikoj veten time. Përse nuk më lejoni ta provoj?
• Të përballem me shikimet tuaja të pamëshirshme. Nuk e kam njërin krah dhe kjo është e dukshme. Prandaj mjaft e bëre gjithçka edhe më të vështirë!
• Kryej çdo ditë të gjitha veprimtaritë e higjenës vetëm. Më parë më ndihmonte nëna ime por ajo tani është shumë e vjetër. Përse nuk caktoni dikë që të kudjeset për ne qoftë edhe për pak orë në ditë, qoftë edhe brenda një institucioni të mirëfilltë?
• Mungesën e një karroce. Mikut tim ja kanë dhuruar një të tillë, por unë nuk jam aq me fat. Cilat janë ato gjëra që e pengojnë aprovimin e një fondi që do të shkojë për blerjen e karrocave të invalidëve?
Edhe unë dua të kem një jetë më të thjeshtë! Unë mund të pranoj pa u ankuar këtë problem që kam, ndërsa ti mund të ma bësh jetën më të thjeshtë. Kam nevojë të pranohem, kam nevojë të arsimohem, të punoj, të krijoj një vend në një shoqëri që më bën të njihem për vlerat që kam dhe jo për “paaftësinë” time. Të njihem dhe të mos njihem! Sepse ne shpesh nuk na njeh njeri, shpesh jemi të padukshëm për ju edhe pse thithim të njëjtin ajër në lulishte, supermarket, apartament. Shpesh shikohemi si ajo vajza apo djali që nuk mund të bëjë këtë apo atë gjë, por ndoshta ju nuk e dini se çfarë ne jemi apo nuk jemi në gjendje të bëjmë sepse në fund të fundit shumë rrallë na jepet mundësia të tregojmë edhe aftësitë tona./Pernenat/