Një ditë para fillimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit radhë të gjatë për hyrje dhe dalje nga tregu i Bit Pazarit në Shkup. Qytetarët po bëjnë përgatitjet e fundit. Ndërsa disa në duar mbanin qese të stërmbushura me fruta-perime dhe produkte mishi, shumë qytetarë të tjerë me qese thuajse të zbrazura, varësisht mundësive ekonomike. Pavarësisht mundësive qytetarët thonë se në Ramazan nuk duhet bërë shpenzime pa nevojë.
“Po edhe nuk ka nevojë me bë harxhime të mëdha, janë disa gjëra tjera që duhet ti kemi jo vetëm ushqimi. Duhet të jemi njerëz edhe para Ramazanit dhe pas Ramazanit, jo vetëm gjatë kohës së Ramazanit të bëhemi engjëj e pastaj diçka tjetër”, tha një qytetar.
“Sa më shumë bio të përdorin, sidomos të moshuarit se për ato bio duhet të jenë. Kur ka mysafirë duhet dhe një iftar nën 70 ose 80 euro nuk mund ta bësh. Duhet me mendu që ka edhe skamnorë, duhet me ju ndihmu edhe skamnorëve edhe ushqimin duhet me pas normal, sikurse çdo herë mos ta teprojmë”, tha një tjetër qytetar.
“Si ishin çmimet, ju sapo dolët nga tregu? Çmimet, normal si çdo ditë. Diku shtrenjtë e diku më lirë, varet në çfarë tezge blen. Për Ramazan e përgjithmonë lutjet janë në pikë të parë, ushqimi sa të kemi mundësi. Si për vete edhe për mysafirët? Pak më ndryshe për mysafirët. Sa do të kishte kushtuar një iftar për një familje? Varet çfarë iftari, në shtëpi veç me familjen një përgatitje shkon deri më 1500 ose 1000 denarë, ka edhe më lirë dhe më mirë”, shtoi një qytetar.
“Ka dikush i harxhon 100 euro për një natë a ka dikush as 500 denarë nuk i harxhon. Kush ka për atë nuk janë asgjë këto çmime ndërsa për të varfrin janë shumë të larta”, theksoi një qytetar.
Shitësit brenda tregut thanë se janë të vetëdijshëm për çmimet e larta por edhe të gatshëm për të ndihmuar çdo familje në nevojë.
“Çdoherë ata që kërkojnë, që kanë nevojë ju ndihmojmë gjithmonë”, tha një shitës.
“Çdo myslimanë atë shprehi e ka, duhet të jemi bamirës ndaj njëri tjetrit. Nëse vjen ndonjë myshteri, i njohim pak a shumë ata që janë, tashmë 30 vjet jemi këtu, normal që nuk i kthejmë ato, nuk i lëmë pa i shërbyer edhe nëse nuk kanë mundësi”, shtoi një shitës tjetër.
Muaji i Ramazanit do të përfundojë më 29 mars, ndërsa Bajrami festohet më 30 mars. /Alsat/