Spanja ‘ecën përpara’ me një ligj të propozuar për të shkurtuar orët zyrtare të punës

    Spanja së shpejti mund të kalojë në një javë më të shkurtër me punëtorët që gëzojnë 2.5 orë më shumë pushim pasi qeveria miratoi të martën një projektligj që do të zvogëlonte orët zyrtare të punës nga 40 orë në 37.5 orë.

    Nëse miratohet, projektligji, i cili tani do të kalojë në parlamentin spanjoll, do të përfitonin 12.5 milionë punonjës të sektorit privat me kohë të plotë dhe të pjesshme.

    Kjo pritet të përmirësojë produktivitetin dhe të zvogëlojë mungesat në punë, sipas Ministrisë së Punës së vendit, shkruajnë mediat e huaja.

    “Sot, ne po modernizojmë botën e punës dhe po i ndihmojmë njerëzit të jenë pak më të lumtur”, tha ministrja e Punës, Yolanda Díaz, e cila kryeson partinë Sumar që është pjesë e qeverisë aktuale të koalicionit të krahut të majtë.

    Masa, e cila tashmë zbatohet për nëpunësit civilë dhe disa sektorë të tjerë, do të prekte kryesisht shitjen me pakicë, prodhimin, mikpritjen dhe ndërtimin, shtoi Díaz.

    Qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez nuk ka një shumicë të qartë në parlament, ku projektligji duhet të miratohet që të bëhet ligj.

    Sindikatat kryesore kanë shprehur mbështetje për propozimin, ndryshe nga shoqatat e biznesit.

    Ndrzshe, Sumar, partneri i pakicës së majtë ekstreme i Partisë Socialiste të Sánchez, propozoi projektligjin.

    Por partia nacionaliste katalane Junts, një aleate e rastësishme e koalicionit të Sánchez, shprehu shqetësim për atë që tha se do të ishin pasoja negative për kompanitë e vogla dhe të vetëpunësuarit nën një javë pune më të shkurtër.

    Andaj, koalicioni do të duhet të balancojë kërkesat e Junts dhe partive të tjera më të vogla për të miratuar projektligjin.

    Spanja ka pasur një javë pune 40-orëshe që nga viti 1983, kur u reduktua nga 48 orë.

    Pas pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka pasur lëvizje për të ndryshuar zakonet e punës me skema të ndryshme pilot të nisura në Spanjë për të futur potencialisht një javë pune katër-ditore, duke përfshirë një test më të vogël në Valencia.

    Rezultatet e programit njëmujor sugjeruan që punëtorët kishin përfituar nga fundjavat më të gjata, duke zhvilluar zakone më të shëndetshme siç është marrja me sport, si dhe duke ulur nivelet e stresit të tyre./Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Ukraina mund të heqë dorë nga dollari për euron

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë