Spanja synon të bëhet eksportues i hidrogjenit ekologjik

    Spanja synon të bëhet eksportues i hidrogjenit ekologjik, sepse vendi ka shumë diell dhe erë, pra shumë mundësi për prodhimin e tij. Por për prodhimin e hidrogjenit nevojitet edhe ujë. Dhe uji është me pakicë.

    Kompania e autobusëve të kryeqytetit të ishullit Majorka, Palma, ka 200 autobusë. Pesë prej tyre përdorin si karburant hidrogjen të lëngshëm, i cili subvencionohet edhe nga BE. Mbushja e serbatorit zgjat 8 deri 10 minuta dhe është shumë e thjeshtë.

    Autobusët me hidrogjen nuk bëjnë fare zhurmë dhe lënë pas vetëm ujë dhe asgjë tjetër. Por kur përdor hidrogjen, në vend të naftës, kjo kushton dyfishin, rreth 35 euro më shumë për çdo 100 kilometra.

    Hidrogjen i lëngshëm edhe në hotele

    Spanja synon të kthehet në gjigand energjie me të gjitha problemet dhe shancet që sjell. Hidrogjeni i lëngshëm vjen akoma prej pjesës kontinentale të vendit. Por pas disa javësh fabrika e Majorkës do të prodhojë vetë hidrogjen të lëngshëm. Fushat me elementë diellore prodhojnë energji me rrugë ekologjike për të ndarë ujin në hidrogjenin e shumë kërkuar dhe oksigjen. 

    Në të ardhmen hidrogjenin e lëngshëm parashikohet ta përdorin edhe hotelet dhe kjo mundëson që turizmi të kthehet shpejt në turizëm të qëndrueshëm.

    Potencial për konflikte

    Por jo të gjithë janë të gëzuar. “Vitin e kaluar patëm kufizime të ujit për konsum. Pishinat nuk u mbushën më me ujë. Lulishtet nuk u ujitën. Të konsumosh sasi të tillë uji për prodhimin e hidrogjenit në një situatë të tillë, është shumë dritëshkurtër.” – thotë një banor.

    Impianti më i madh për prodhimin e hidrogjenit në Spanjë ndodhet në brendësi të vendit. Por edhe atje ka pak ujë. Dhe në këto periudha të thata ujin e përdor kryesisht bujqësia, në mënyrë që të luftojë tharjen e bimëve.

    Ignacio Urbasos, ekspert energjie pranë Real Instituto Elcano, Madrid mendon: “Kjo do të kthehet në konflikt. Në Spanjë energjia e renovueshme prodhohet më lirë në brendësi të vendit. Por aty nuk ka përdorim të ujit të detit dhe ka përdorim të kufizuar të ujrave të zeza. Në brendësi të vendit do të kemi me siguri një konflikt direkt për ujin.”

    Muajt e fundit kanë qenë shumë të thata dhe kanë treguar sa e brishtë është ëndërra për t’u kthyer në gjigand energjie. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Palestinezja 11 vjeçe që nuk frikësohet ta kryejë detyrën e gazetares në Gaza

    Lajmi i rradhës

    Vuçiq: Sanksionet kundër Rusisë nuk përmenden në deklaratën e Samitit për Ukrainën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë