Spasovski: MPB ka video të cilat tregojnë rastin me hendbollistin kroat

    Grushte, shqelma e shtyrjeje. Kjo video pretendohet se është momenti kur u rrah për vdekje hendbollistit kroat Denis Tot.

    Deklaratat e ndryshme nga MPB shtuan edhe më shumë spekulimet dhe dyshimet në opinion se ky rast po fshihet.

    E për këtë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se po punohet në zbardhjen e rastit të duke konfirmuar se ekzistojnë edhe video-incizime që tregojnë në detaje se si ka ndodhur ngjarja, kështu duke hedhur poshtë edhe akuzat se po fshihen dëshmitë.

    Spasovski shtoi se kanë edhe biseda e se motiv i ngjarjes është mosmarrëveshja personale mes vajzës dhe tashmë të ndjerit, ndërsa sqaroi se personin e tretë në arrati do të ketë fletë arrest.

    “Policia ka video-incizime ku në detaje shihet se si ngjarja rrjedh, normalisht nga biseda ka disa arsye se përse ka ndodhur ngjarja. Në asnjë moment nuk kemi ndërprerje deri në momentin e zbardhjes së plotë të rastit me dorëzimin e kallëzimeve penale në afat të gati 24 orëve. Dy persona janë arrestuar, një person po kërkohet. Kemi fletarrestim qendror, do të lëshohet edhe fletarrestim vendor dhe ndërkombëtarë”, theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

    MPB fillimisht doli me informata se nuk ka pasur dhunë të ushtruar mbi hendbollistin Tot, e më pas njoftimi u ndryshua.  Për këtë Spasovski sqaroi se informacionet e para nuk ishin nga vendi i ngjarjes, por nga qendra klinike.

     “Informacionin fillestar e japim në bazë të asaj që na kanë thënë në Qendrën Klinike. Më tej vazhdojnë veprimet hetimore, shikojmë kamerat, thërrasim njerëz për bisedë në stacionin policor, përfshirë pronarin dhe punonjësit e një diskotekës”, tha Spasovski.

    Nga Prokuroria Publike për TV21 nuk e konfirmojnë saktësisht autenticitetin e video incizimit që është publikuar në rrjetet sociale, e që pretendohet se është incizim i vrasjes së hendbollistit kroat Denis Tot. Por nga Prokuroria pranojnë se ekzistojnë video-incizime dhe se të njëjtat po analizohen.

    “Të gjitha pamjet nga video-incizimi në momentin kritik për vendndodhjen e specifikuar janë siguruar. Me postimin e video incizimeve në asnjë mënyrë nuk mund të dëmtohet apo të ndikohet në procedurë. Megjithatë, apelojmë për përmbajtje në publikimin dhe shpërndarjen e videove, përmbajtja e të cilave mund të jetë shqetësuese për publikun, e veçanërisht për familjen dhe të afërmit e të ndjerit“,thonë nga Prokuroria Publike.

    E mes tjerash Spasovski porositi se dezinformatat nuk ndihmojnë në hetim. Sipas tij hetimi po vazhdon dhe se janë mare në pyetje edhe disa persona tjerë,  ndër ta edhe stafi i diskotekës.

    Lajmi Paraprak

    Kosova vazhdon me mosndëshkimin e korrupsionit

    Lajmi i rradhës

    Nedellkovski: Nuk do të ndërpritet greva, nëse nuk ka zgjidhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë